KOSOVË

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim të përbashkët me drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, si dhe me Ekipin Negociator të Kosovës.

Zyra e presidentit Thaçi njofton se në këtë takim është biseduar për procesin e dialogut përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, duke përfshirë këshillat e SHBA-së për domosdoshmërinë e heqjes të përkohshëm të taksës dhe rifillimin e dialogut me Serbinë.

I pari i Kosovës ka theksuar se vendi i tij për asnjë moment nuk duhet të cenojë marrëdhëniet me SHBA. Ai mes tjerash ka theksuar se i gjithë grupi negociator i Kosovës ka rënë dakord që të hiqet taksa me Serbinë dhe procesi i dialogut të vijojë normalisht deri në gjetjen e një zgjidhje me interes të përbashkët.

“Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, thuhet në përfundim të kësaj komunikate.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: