GJERMANI

Policia Federale e Gjermanisë ka arrestuar një shqiptar dhe e ka kthyer mbrapsht në Austri pasi po tentonte të hynte në Gjermani me dokumente të rrejshme. Ndalimi i tij u bë në pikën kufitare të  Schwarzbach në autostradën A8 një autobus, i cili rezultonte i regjistruar në Kosovë.

Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, atyre u ra në sy një shtetas 28 vjeçar i Shqipërisë, i cili u tregoi një pasaportë në gjendje të rregullt, shkruan dpa.de. Por me rastin e rishikimit të të dhënave në pasaportë, policët panë në kompjuter se për personin me këto të dhëna ishte në fuqi një ndalim hyrjeje në Gjermani. Për këtë arsye ata e kanë marrë të dyshuarin dhe e kanë çuar në Freilassing, për hetime të mëtejme.

Duke e shikuar pasaportën më hollësisht, policët erdhën në konstaimin se ajo nuk i takonte fare personit të kapur. Ai, për udhëtimin e tij në Gjermani, kishte përdorur pasaportën e vëllait pasi kishin ngjashmëri të fortë mes tyre.

Gjatë kontrollit të shenjave të gishtërinjve, hetuesit kanë arritur ta sqarojnë identitetin e vërtetë të shqiptarit. Por edhe në të dhënat e tij origjinale figuronte një ndalesë hyrjeje në Gjermani dhe këtë masë e kishte marrë para pesë vitesh në Gjermani.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb