Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan e nisi me homologun e tij, Bajram Begaj vizitën në Tiranë. Kreu i shtetit turk u prit me ceremoni zyrtare dhe nderime të larta në oborrin e selisë së Presidencës. Pas pritjes dhe himneve kombëtare, Begaj i ka prezantuar Erdogan ambientet e brendshme të Presidencës për të vijuar më pas në takimin me delegacione.
Në një video të regjistruar nga regjia qendrore, dëgjohet se Presidenti Begaj e vë në dijeni homologun turk se ambientet e Presidencës janë pak të vogla, por nga ana tjetër ka zyra të mëdha.
Në një moment përkthyesi i Erdogan e pyet se sa metra katrorë është e gjithë godina, dhe Begaj shprehet se në total është rreth 600 metra katrorë.
Në një kohë që përkthyesi po ia shpjegonte në turqisht Presidentit Erdogan, Begaj dëgjohet teksa thotë se do flasë “me Edin” (kryeministrin Edi Rama) që duhet një godinë tjetër, ndërsa kreu i shtetit turk qesh. Më pas të dy Presidentët kanë vijuar në korridor, për të vijuar takimin, më pas, pa prezencën e mediave.
Diskutimi mes Begajt dhe Erdogan për ndërtesën e Presidencës
Presidenti Bajram Begaj: Është pak vendi i vogël ky…. Zyrat janë shumë të mëdha, por aq është vendi këtu…
(Erdogan interesohet të dijë më shumë, komunikon me përkthyesin)
Përkthyesi i Presidentit Erdogan: Sa metra katrorë është e gjithë godina?
Presidenti Bajram Begaj: Duhet të jetë rreth 600 metra katrorë.
(Përkthyesi ia përcjell në turqisht Presidentit Erdogan)
Presidenti Begaj: Do i them Edit që na duhet një tjetër…
(Presidenti Erdogan qesh)
(BalkanWeb)