Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, deklaroi në rubrikën “Opinion”, në News 24, se vendimi për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ishte politik, dhe se kryeministri Edi Rama nuk e shiti deri në fund, pasi kishte frikë prej tij. Sipas Gjatës, Tahiri ka gjëra dhe dosje shumë të rënda për Ramën dhe PS-në.

“Rama nuk e shiti deri në fund Tahirin, sepse kishte frikë, pas Tahiri pati të dhëna për të, kishte dosje. Vetëm përgjimet e Dibrës dhe Durrësit e pamë çfarë doli, imagjino çfarë mund të ketë Saimiri për to. Saimir Tahiri di shumë gjëra, ai tha dje “Do kishte qenë më burrërore, të më dënonin sipas akuzave të Prokurorisë”. Ky ishte kërcënim i hapur”, tha Gjata.


Çfarë prisnit për Saimir tahirin?
E dinim që gjithçka prisnim, vetëm drejtësi jo. Ajo që ndodhi mbrëmë, mund ta perifrazoj me shprehjen popullore: “u mbars mali, e polli një mi”. Shpërdorimi i detyrës sot është si agjitacioni i propagandës në kohën e Enverit. Shpërdorim detyre mund të gjejmë për këdo. Është një urë shpëtimi për të larë duart. Problemi është shumë më i thellë. Gjithçka sillej rreth asaj shprehjes “shefi i madh”.


Me çfarë thotë Tahiri, tregon se ai ka vërtet gjëra të rënda, se ka qenë ministër i Brendshëm dhe në një kohë shumë të trazuar, kur Shqipëria u kanabizua. Tahiri nuk e lejoi ta godisnin që nga deklarata e tij “S’keni parë gjë akoma”, deri te “Shefi i madh”, duke iu thënë se “do iu marr të gjithëve me vete”. Këtu ai kërcënoi hapur Edi Ramën. Kjo e shpëtoi atë, por shkatërroi drejtësinë. Dosja “Tahiri” u shkatërrua me ardhjen e Arta Markut dhe shoqes së saj, Donika Prela.


Si e keni parë Tahirin, sigurinë e tij?
Të mbrojtur politikisht nga Rama. Kjo që ndodhi me Tahirin ishte brenda luftës për pushtet mes Tahirit, Ramës e të tjerëve brenda PS. Sa ministra të Brendshëm ka futur në burg Enver Hoxha? Të gjitha me radhë, që kishin bërë krime, por kryekrimineli ishte Enver Hoxha. E njëjta metodë përdoret tani me përjashtim të pushkatimit. Rama nuk e shiti deri në fund Tahirin, sepse kishte frikë, pas Tahiri pati të dhëna për të, kishte dosje. Vetëm përgjimet e Dibrës dhe Durrësit e pamë çfarë doli, imagjino çfarë mund të ketë Saimiri për to. Nëse Tahiri do dënohej për drogë e grup kriminal, po Rama ku ishte që nuk e shikonte.

Kauza e PD është që fajtorët të dalin para drejtësisë. Për shkak të drogës, nuk kemi asnjë lëvizje drejt BE-së. Nuk u dha drejtësi. Saimir Tahiri di shumë gjëra, ai tha dje “Do kishte qenë më burrërore, të më dënonin sipas akuzave të Prokurorisë”. Ky ishte kërcënim i hapur.

Treshja e gjyqtarëve që vendosën për Tahirin a ka pasur presion?
Ka pas edhe vendime më të bujshme, me vrasës e super-killera. Këtu problemi është politikë dhe gjykata ra në rrjetën politike. Nëse ata justifikohen se kishte stres, duhet të japin dorëheqjen urgjent. Ishte një zgjidhje politike për çështjen “Tahiri”.

(d.ç./BalkanWeb)