Me 3 pikë në 3 ndeshje, “djalli” duhet të zgjohet në Champions, por për fatin e keq, kalendari i rezervon Milanit mbase rivalin më të vështirë, Realin e Carlo Ancelottit. Në “Bernabeu” pritet një ndeshje spekatakolare pasi përballë do të jenë dy nga klubet më të famshme në botë. I qartë për atë që e pret u shfaq trajneri Fonseca:
“E presim këtë përballje me shumë motivim. Luajmë kundër ekipit favorit për të fituar Champions League, për ne është një mundësi e shkëlqyer për t’u rritur. Pa frikë dhe me guxim mund të bëjmë një ndeshje të mirë. Unë përpiqem gjithnjë t’i përcjell lojtarëve dëshirën për të fituar, nuk do të jetë ndryshe kundër Realit, edhe pse jemi të qartë se Real Madrid është një skuadër e madhe. Formacioni? Leao do të luajë nga minuta e parë”.
Reali vjen në këtë përballje më i relaksuar pasi këtë fundjave nuk zbritën në fushë, në një kohë kur takimi i tyre kundër Valencias u shty. Duke lënë më një anë këtë detaj, pasi kjo nuk ishte zgjedhja e tyre, Ancelotti u kthye te sfida kundër Milan, një ndeshje që për të është gjithnjë e veçantë për shkak të kaluarës së tij të famshme si kuqezi:
“Për mua është gjithnjë e veçantë të përballem me Milan. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Milan nuk i ka bërë një nisje të mirë sezonit, por është një skuadër shumë e rrezikshme dhe me shumë cilësi. Ata kanë shumë potencial edhe pse nuk e kanë nxjerr akoma. Ne jemi në kërkim të vazhdimësisë, mendoj se do ta gjejmë së shpejti”.
Real-Milan është një ndeshje speciale edhe për mediat, pasi në Itali dhe Spanjë i kanë kushtuar faqet e para: “Djalli në trup”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë, shoqëruar me foton e Leao dhe Mbappe, dy lojtarë nga të cilët pritet shumë. “Miku i zjarrtë”, ishte titulli kryesor i AS, me Moratta në plan të parë pasi edhe për të kjo është një përballje e veçantë si një ish i famshëm.
(BalkanWeb)