TIRANË

Ish-deputeti Ervin Salianji ka premtuar ‘surpriza’ të tjera për sa i përket çështjes së “Babales” dhe përgjimeve që me sa duket e kanë futur tani në telashe. Nga Gjykata ku po zhvillohet procesi ndaj tij për “kallëzim të rremë”, Salianji tha se është një proces i montuar dhe se në seancë avokatët e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ishin bashkë me prokurorin.

Ai tha se pavarësisht padive dhe gjyqeve nuk intimidohet.
“Më akuzojnë si organizator dhe se kam dashur të dëmtoj ish-ministrin Xhafaj dhe prokurorinë. Shpresoj të vijë një ditë që forca e ligjit të jetë sa është ajo e krimit sot. Ngjitur me prokurorin për garanci, ishin avokatët mbrojtës të tij.
Proces i montuar, qytetarët e kanë dëgjuar me provat e prokurorisë. I kërkova të marrin nën arrest Alfred Nushin dhe Andon Markon. Prokuroria nuk kishte as përgjigje për rastin, jo vetëm s’më intimidojnë dot, kam 39 procedime padi apo kallëzime, më nxisin më shumë në misionin e politikës. Të tregoj të vërtetën e të mbroj interesin publik. Do kemi surpriza të tjera”, deklaroi Salianji.

Ai theksoi se në tre apo katër muaj përgjime prokuroria s’ka gjetur një kontakt të vetëm të tijin me Alizotin.
“Kanë qenë duke lexuar atë që kanë lexuar më parë. Nuk fajësohem dot për agjitacion e propagandë, nuk ka asnjë provë vetëm indicie. Është një rrugë e pistë që ndjek prokuroria në shërbim të qeverisë për të intimiduar cilindo që denoncon”, deklaroi ish-deputeti i PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb