Memorie.al publikon letrën e plotë të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku për Enver Hoxhën, e datës 18 Shtator të vitit 1974, e dërguar nga Roskoveci ku vuante fillimisht internimin, i akuzuar si “armik i partisë dhe popullit”. Në plot 24 faqe të asaj letre, Balluku i shpjegon gjithcka ish-shefit të tij, duke filluar që nga periudha e Luftës, e deri në atë ditë që ndodhej aty, larg shokeve dhe i ndarë nga familja. Dhe me damkën e madhe si i “pushkatuar politikisht” ai i lutet Enverit dhe Partisë, që të vënë dorën në zëmër dhe t’i japin edhe njëherë mundësinë që për ato pak vjet të jetës që i kanë mbetur, t’i kalojë pranë shoqërisë socialiste, duke dhënë kontributin e tij qoftë dhe në duke punuar në punë krahu…?!


Emri i tij u bë i njohur që në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në gjysmën e parë të viteve ‘40-të kur ai drejtonte njësitet guerile të qytetit të Tiranës, dhe më pas si Komandant i Brigadës së II-të Sulmuese. Pas mbarimit të Luftës, Balluku do të emërohej në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me gradën gjeneral-major, duke zëvëndësuar aty gjeneral Spiro Moisiun. Që nga ajo periudhë kohë e deri në vitin 1974 që zgjati karriera e tij, Beqir Balluku do të kryente një sërë funksionesh të larta partiake e shtetërore, si: zv-Kryeministër, Ministër i Mbrojtjes, anëtar i Byrosë Politike, dhe deputet në të gjitha legjislaturat.


Ai deri në fundin e viteve ‘60-të konsiderohej si një nga njerëzit më besnikë të Enver Hoxhës, gjë e cila do të provokonte një zili dhe xhelozi nga ana e Kryeministrit Mehmet Shehu, i cili në një të ardhme e shikonte veten de jure dhe de facto si pasardhësi i Enver Hoxhës. Balluku do të fitonte shumë kredenciale në sytë e Hoxhës për gjestin e tij të besnikërisë ndaj udhëheqjes më të lartë të PPSH-së, kur këta të fundit ndodheshin në një situatë politike mjaft delikate në Konferencën e 81 Partive në Moskë, ku vetë ai (Balluku) do t’i deklaronte ambasadorit sovjetik në Tiranë, Shikin, se; “Nëse udhëheqjes shqiptare do t’i ndodhte ndonjë e papritur e pakëndshme në Moskë, të gjithë shtetasit rusë që ndodheshin në Shqipëri do të ekzekutoheshin pa paralajmërim”. Kështu edhe për këtë fakt, pas prishjes me sovjetikët, figura e Ballukut do të njihte një rritje të menjëhershme të karrierës politike, deri në momentin më kritik të vetë institucionit që Balluku përfaqësonte, heqjen e gradave të ushtrisë shqiptare në vitin 1967. Çarja e parë e heshtur ndërmjet Ballukut dhe Hoxhës do të ndodhte pikërisht në vitin 1967, kur i plotëfuqishmi i Ministrisë së Punëve të Brendshëm për ushtrinë, gjeneral-major Halim Xhelo, do të shkruante letrën e famshme anonime në drejtim të Enver Hoxhës, në të cilën protestohej për zhveshjen e ushtrisë shqiptare nga sistemi i gradave.


Pas zbulimit të letrës dhe burgosjes së Xhelos, Hoxha dhe veçanërisht Shehu, do ta shihnin me një dyshim të madh autorësinë e vërtetë të saj, pasi ajo ishte shkruar nën hundën e Ballukut dhe në mos fshihej ai pas Xhelos, në rastin më të keq duhet të kishte pasur dijeni për ekzistencën e saj. Të paktën kështu aludohej në atë kohë nëpër korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Qëndror të PPSH-së. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, nga fundi i viteve ’60-të dhe fillimin e viteve ‘70-të do të nisnin edhe përplasjet e shpeshta ndërmjet Beqir Ballukut dhe zëvëndësit të tij, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-leitnant Petrit Dumes, gjë e cila do të provokonte disa mbledhje të Byrosë Politike, posaçërisht për këtë sherr midis dy figurave ushtarake më të larta. Aq të shpeshta do të ishin debatet e sherret Balluku-Dume, saqë vetë Beqiri do t’i kërkonte Enver Hoxhës në disa mbledhje të jashtëzakonshme byroje dorëheqjen nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Gjë e cila asokohe u refuzua në mënyrë kategorike nga Hoxha.

Një tjetër moment kulminant për Ballukun që dukej se “po e mbushte kupën”, çka hodhi shumë dyshime por për dyshen Hoxha-Shehu, do të ishte dhe vizita e Beqir Ballukut në krye të një delegacioni të përbërë nga eksponentë të lartë të Ushtrisë në Kinë në vitin 1972. Gjatë kësaj vizite kryeministri kinez Çu En Lai, do ta refuzonte kërkesën zyrtare të shtetit shqiptar për dërgimin e materialeve të teknologjisë ushtarake, duke ua thënë qartë: “Sado armë t’ju japim ne, Shqipëria nuk e përballon dot një sulm ushtarak të Bashkimit Sovjetik. Mënyra më e mirë e juaja për të rezistuar, është tërheqja nëpër male, apo siç quhet në gjuhën ushtarake, “Teoria e rrëshqitjes”. Ju duhet të krijoni një bosht ballkanik (Tiranë-Beograd-Bukuresht) anti-Moskë”.

Thuhet se menjëherë shifrantët e Sigurimit nxitojnë t’ja raportojnë këtë fakt udhëheqjes në Shqipëri, duke shtuar këtu edhe një tjetër dëshmi misterioze që Beqir Balluku, natën fshehurazi kishte shkuar në ambasadën sovjetike në Pekin dhe kishte negociuar me ambasadorin dhe shefin e KGB-së për Kinën rreth një Grushti Shteti të mundshëm të tij në Tiranë në bashkëpunim me 25.000 spetnazë (desantë) sovjetikë (akuzë kjo e Sigurimit të Shtetit). Si të mos mjaftonin gjithë këto gjëra, Beqir Balluku disa orë para mbërritjes së tij në Pekin, do të takonte në mënyrë incognito në aeroportin e Bukurështit, Ministrin e Mbrojtjes së Rumanisë, Gjeneralin, Ioan Ionita. Detajet e këtij takimi, kanë mbetur gjithashtu të mjegullta.

Ndërkaq vetëm dy vjet pas vizitës së tij në Pekin, do të fillonte edhe aktivi i Ushtrisë famëkeq i gushtit të vitit 1974, i zhvilluar në vilën e Mbretit Zog në Durrës. Në atë mbledhje që zgjati dy ditë me radhë, sipas porosisë së Enverit, Mehmeti dhe Hysniu ftuan të gjithë vartësit e Ballukut që të flisnin dhe diskutonin për “veprimtarinë armiqësore të tij”. Do të ishite pikërisht përmbajtja e “Tezave të Zeza”, ajo që do t’i kushtonte shumë shtrenjtë tre figurave më kryesore të ushtrisë shqiptare; Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos.

Vlen për t’u përmendur fakti, se ditën e shpalljes së Ballukut si “tradhëtar dhe puçist”, ish-shefi i Sigurimit të Ushtrisë, Halim Xhelo, që vuante dënimin në burgun e Burrelit, do të vdiste në mënyrë misterioze në qelinë e tij. (thuhej se ate ditë, ai humbi shpresën se mund të lirohej ndonjë ditë me ndihën e Ballukut). Ndërsa Pleniumi i gushti 1974, do të ishte gjyqi paralajmërues për kastën e ushtarakëve, të cilët vetëm disa ditë më pas do të ndjenin mbi vete të gjithë tërbimin e Hoxhës, tërbim i cili do t’i çonte drejt vdekjes të tre një vit më pas. Por para se të ndodhte kjo, Beqir Balluku u internua në qytezën e vogël të Roskovecit, prej nga ku, më datën 17 Shtator të vitit 1974, do t’i niste një letër të gjatë Enver Hoxhës, ku në 24 faqe të saj ai do t’i shpjegonte gjithçka shefit të tij që i kishte shërbyer me devotëshmëri që nga koha e Luftës. Dhe atë letër të mbyllur në një zarf, Balluku ia besoi vetëm djalit të madh të tij, Çlirimit, i cili e solli dorazi në zyrën e letra-ankesave në Komitetin Qëndror të PPSH-së.

Ç’farë shkruhet në atë letër, si e konsideroi Enveri autokritikën e Beqirit, dhe shënimet e Mehmet Shehut mbi të, bëhet e ditur nëpërmjet këtyre dokumenteve që Memorie.al po publikon të plotë ekskluzivisht në këtë dossier të rradhës, ndërsa ajo që vlen të theksohet është fakti se vetë Beqiri nuk e mësoi kurrë të vërtetën nëse ajo letër mbërriti në duart e Emver Hoxhës…?! Dhe kështu ai duhet të ketë ikur nga kjo jetë me pengun e madh që shefi i tij nuk e kishte marrë letrën, përndryshe do t’i kishte kursyer të paktën jetën. Kjo gjë konfirmohet edhe nga vetë familjarët e Ballukut, të cilat gjithashtu deri para zbulimit të letrës, kanë pasur dhe mbrojtur të njëjtin version si babai i tyre.

vijon nga numri i kaluar

LETRA E BEQIR BALLUKUT PER ENVER HOXHEN

Në mbledhen e Këshillit të Mbrojtjes për aprovimin e tezave unë kam bërë disa vërejtje të vogla të cilat janë pranuar, dhe menjëherë pas aprovimit ne iu përveshëm punës për zbatimin dhe vënien e tyre në provën e jetës, rezultatet e punës dhe traditat organizative- luftarake të arritura në ushtri dhe në hallkat e tjera të mbrojtjes sipas kërkesave të tezave janë të njohura. E konsideroj të nevojshme të theksoj se Komiteti Qëndror dhe shoku Enver që në fillim, për hartimin e tezave ndoqën rrugën e drejtë, neve na u dha skema për hartimin e tyre, dhe fillimisht me këtë detyrë në krye të një grupi pune u ngarkua shoku Petrit, i cili mbas disa muajsh përpjekje nuk ja arriti dot qëllimit, në kohën që shoku Mehmet paraqiti projektin e mbaruar, shoku Enver më ka thënë se në qoftë se neve kemi material të gatshëm sipas detyrës së vënë, e paraqitni për shqyrtim.

Në këtë kohë unë duke parë se projekti i paraqitur nga shoku Mehmet ishte një material që trajtonte në një nivel të lartë politik, ideologjik dhe ushtarak të gjitha problemet e mbrojtjes, që ishin në të vërtetë një doktrinë ushtarake dhe që materialet tona të grupit të parë, ashtu edhe të grupit të dytë, ishin jo vetëm larg tij, por të zbehtë dhe me trajtim të ngushtë, në këtë kohë unë i kam thënë shokut Enver, që të bazohemi në materialin e paraqitur nga shokut Mehmet dhe në këtë mënyrë u veprua. Unë kurdoherë kam vlerësuar lart ashtu siç janë aftësitë dhe talentin e shokut Mehmet në të gjitha fushat përfshi dhe atë ushtarake, e kam vlerësuar si krahun e djathtë të shokut Enver, si shokun që ka zbërthyer dhe zbërthen idetë e tij me talent e frymë të lartë M-L në të gjitha fushat, dhe në rastin konkret edhe në fushën ushtarake si gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare dhe në periudhën e pasçlirimit për forcimin dhe modernizminin e ushtrisë, e deri në hartimin e librit të tezave, kurrë nuk kam menduar të vejë vijën e barazimit të aftësive të mija të kufizuara me ato të Mehmet Shehut.

Balluku: Nuk mundëm të hartonim dot tezat e mbrojtjes
Siç thashë dhe më lart megjithëse ne na u dha skema taktike, dhe koha për hartimin e tezave me dy grupe pune, nuk mundëm ta kryejmë këtë detyrë. Duke e parë problemin në këtë plan, unë kam pranuar me bindje tezat dhe i jam përmbajtur faktit se neve nuk e kryejmë dot këtë detyrë sepse nuk ishim dhe nuk jemi në gjëndje të kapim dhe të trajtojmë me një frymë kaq të lartë e parimore një rreth problemesh të tilla politike, ideologjike dhe ushtarake të lidhura dhe bazuara në kushtet e realitetit e teatrit shqiptar, por detyra jonë kryesore tani është zbërthimi dhe vënia e tyre në jetë energjikisht në të gjitha hallkat e mbrojtjes, kështu kam nisur rrugën me vendosmëri përpara zbërthimit e vënies së tyre në praktikën e në provën e jetës, si në fushën e organizimit e të përgatitjes luftarake e taktike-operative dhe të fortifikimit xhenier të vëndit, sigurisht në raport të drejpërdrejt me shkallën e njohjes dhe të përvetësimit të këtyre metodave të reja, duke u ruajtur nga format klasike të ushtrive të mëdha, dhe nga dogmatizmi në zbatimin e tyre.

Gjatë periudhës pesëvjeçare, d.m.th. deri në Pleniumin e 12 të Komitetit Qëndror të PPSH-së kur Byroja Politike mori në shqyrtim problemin e ushtrisë në bazë të raportit të Drejtorisë Politike, dhe të konkluzioneve të saj të tërhequra mbas konsultës mbi gjëndjen e stërvitjes dhe gatishmërisë luftarake si dhe të marrëdhënieve të mia me Petritin, për çështje të tilla të metodës së punës, unë në këtë mbledhje u kritikova për pesimizëm dhe për tendencë të grumbullimit të kompetencave, mbi këtë bazë u muarrën masa organizative për përmirësimin e drejtimit, duke u shkarkuar unë nga lidhjet e shumta dhe u ngarkua shefi i shtabit.

E shtjellova këtë periudhë me qëllim që të nxjerr në pah, se përveç të metave dhe dobësive në stilin dhe metodën e punës gjatë punës 5 vjeçare të vënies në jetë të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, neve kemi luftuar kundër dobësimit e të metave në proçesin e stërvitjes luftarake, si në lidhjen e saj me strukturën e hapjes organizative të ushtrisë dhe të hallkave të tjera të mbrojtjes, si përmirësimin e metodës së mësimëdhënies dhe sigurimin e pjesëmarrjen e kontigjenteve që në këtë drejtim të vëreheshin dobësi të theksuara liberale dhe që pas Pleniumit të 12–të të Komitetit Qëndror, e veçanërisht pas Pleniumit të 4 të K.Q., ky tregues pësoi ndryshime të mëdha pozitive si në pjesëmarrje ashtu dhe në drejtimin e sigurimin e saj me kuadro dhe bazë materjale, një ndikim pozitiv ka pasur në këtë fushë edhe krijimi i shkollave të lira mbi bazën e garnizoneve në vënd, dislokimin e tyre në shkallë batalion-grup.

Balluku: U përqëndrova kryesisht në mbrojtjen bregdetare
Pra pa mohuar aspak të metat dhe dobësitë e mia në punë, stërvitja luftarake është bazuar në kërkesat e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dukë vënë theksin në përmirësimin rrënjësor të stërvitjes së vogël të nënreparteve e reparteve, si bazë e përgatitjes dhe kompaktësimit të ushtrisë nga formacioni i vogël deri tek i madhi.

Krahas këtij kursi të drejtë gati për çdo vit janë zhvilluar e zhvillohen stërvitje me pjesëmarrje të gjerë të trupave dhe stërvitje të mëdha komando-shtabi të shkallës tekniko-operative dhe operative-strategjike, sepse këto janë binom dhe të lidhura organikisht në mes tyre, sepse pa ecjen e tyre paralele, nuk mund të zbatohen detyrat në fushën e luftës që parashikojnë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes.

Temat e stërvitjeve të mëdha komplekse me pjesëmarrjen edhe të forcave vullnetare e organeve shtetërore të Partisë si në mbrotje, kundërmësymje, mësymje, bllokim e asgjesim të desantit ajror armik, janë karakterizuar kurdohere në kryerjen me shpejtësi të manovrës së forcave e mjeteve, si paralel frontit ashtu dhe nga thellësia nën mbulimin kundërajror në shumë rrugë paralele natën, për në rajonet e përqëndrimeve ose bazat e nisjes për kundërsulm e kundërgoditje të përgatitura posaçërisht për në pikpamjen xheniere. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare më ka shqetësuar përsosja e mbulimit dhe sigurimit më të mirë të drejtimeve kryesore, veçanërisht të drejtimit bregdetar, kështu kam ecur unë në raport me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes deri në Pleniumin e 12 të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Qershor 1971.

Punimet e Pleniumit të 12 të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe fjalimet e shokut Enver dhe Mehmet në këtë Plenium janë një afirmim dhe pasurim i mëtejshëm i tezave të Këshillit të Mbrojtjes, por unë këto mësime i kam kuptuar dhe e trajtuar në mënyrë të gabuar.

Pse ka ndodhur kjo?

Megjithse gjatë periudhës 5 vjeçare, d.m.th. deri në Pleniumin e 12 të K.Q. nuk kam shfaqur ndonjë lëkundje të hapur ose të hartoj ndonjë material, unë kam qenë nën efektin e influencës e ideologjisë borgjezo-revizioniste.

Në këtë vështrim, tek unë janë kristalizuar avash avash mendime dhe koncepte që vijnë në kundërshtim me tezat e Këshillit të Mbrotjes, të cilat shpërthyen menjeherë pas Pleniumit të 12-të të Komitetit Qëndror dhe që më çoi të shkas në këto gabime dhe faje të rënda.

Balluku: Kam ecur qorrazi, kujtoja se isha mirë
Unë duke ndërrmarë këtë përpunim kam ecur me ndërgjegjie të qetë se gjoja po mbështetem në konkluzionet e Pleniumit dhe në emër të së resë, duke e gjykuar këtë fenomen në pozita të gabuara që kishin zënë vënd në kokën time, kam menduar se arti ushtarak më tepër se cdo shkëncë tjetër është në lëvizje dinamike dhe se ky fenomen kërkon njohje dhe e kontroll dhe masa efektive është kundërvënie në kohën e duhur, kjo rrugë është e drejtë dhe e domosdoshme kur bëhet brenda parimeve të artit ushtarak dhe është e dëmshme dhe e dënueshme rruga që kam ndjekur unë që i mbërthyer nga konceptet e huaja kamë ecur qorrazi i bindur se po bëja diçka të mirë e të nevojshme.

Gjatë vitit 1971-1972 si materiali i parë ashtu dhe materiali i dytë nuk është pranuar nga shokët, unë në këtë kohë kam menduar se me gjithë dobësitë e korigjimet që i duhen bërë materialit, e reja hyn me vështurësi dhe kam ngulur këmbë që ky material të ripunohet dhe në këtë proçes të lindë materiali i tretë me përmbajtjen e tij të gabuar, në tërë këtë proçes unë kurrë nuk kam menduar që të hiqet dorë nga mbrotja pozicionale-aktive në fron, kurrë nuk kam menduar të anoj dhe të prek sadopak unitetin në të gjitha instancave e veçanërisht në Byro midis shokut Enver dhe Mehmet, të cilin e kam mbajtur në çdo rrethanë e situatë si sytë e ballit, ose kurrë nuk kam menduar se libri në tërsi i tezave, të zëvëndësohet me një platformë të re, ky është gjykim i përciptë dhe i përgjithshëm i një njeriu të sëmurë dhe hapja e rrugës dhe lënia në shesh të lirë për të vepruar, shkaqeve në rastin konkret, koncepteve dhe botëkuptimeve të huaja liberale.

Vihet pyetja pse shkova unë në këto gabime dhe faje?
Përgjigjia e vetme është një, kjo ka ndodhur se unë duke qenë nën efektin e ideologjisë borgjeze-revizioiniste hodha ide dhe mendime që revizionojnë problemet esenciale të artit ushtarak popullor dhe që mënyra e të shtruarit e argumentimit të tyre në rastin konkret të çon në cënimin e unitetit në Byro dhe prekjen e problemeve të tjera që do të flas më poshtë. Unë gjatë kësaj kohe nuk kam bërë një luftëv të ashpër me botën time të brendëshme, pranoj se konceptet e mia të gabuara borgjeze-revizioniste si liberalizmi, subjektivizmi, mendjemadhësia, niveli i ulët ideologjik më kanë çuar në revizioinimin e vijës ushtarake të Partisë që shprehet në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, dhe zëvëndësimin e tyre me parime dhe norma që i ndryshojnë mbrotjes karakterin e përcaktuar.

Balluku: Do luftonim si vietnamezët, luftë partizane
Si në materialin e parë, të dytë dhe të tretë, temë kryesorë është tema e mbrotjes pozicionale-aktive ku hidhen ide mbi format e organizimit dhe aktivitetit të saj, si në fushën taktike ashtu dhe në atë operative, ndryshimet që parashikohen në këtë material prekin probleme që përbëjnë boshtin kryesor mbi të cilat është ndërtuar tërë sistemi i tezave, si parimet organizative, parimet e rregullat e luftimit në mbrojtje, kundërsulmet dhe kundërgoditjet. Ndryshimet që parashikohen në materialin e tretë të çojnë në mënyrë të paevitueshme në luftimin e manovruar, sidomos të forcave operative, të cilat humbin dhe lidhjen organike me forcat art-mitraliere që mbulojnë drejtimin e dhënë sepse ligji i luftës pozicionale-aktive në front kërkon lidhjen organike të luftimeve mbrojtëse në pozicione, pikëmbështjetje, nyja mbrojtje e breza me aktivitetin e parashikuar dhe planëzuar që përmblidhet në dhënien e kundërsulmeve dhe kundërgoditjeve. Këtë ndryshim esencial e reflektojnë më së miri ndryshimet që parashikohen në materialin e tretë që gjoja në emër të rritjes së aktivitetit dhe të ngritjes së shpirtit sulmues të mbrojtjes, kundërsulmet zëvëndesohen me sulme dhe kundërgoditjet me goditje, ky është një shartim i trashë dhe pavënd i parimeve, e rregullave të luftës në front dhe prapavijë, me luftën e manovruar pa front në prapavijat e armikut, ashtu si veprojnë sot vietnamezët ose si do të veprojë, në rast eventual ushtria jonë nga e keqja, kur luftimi në front nuk është i mundur, atëhere kalohet në shkallën e ulët të luftës partizane.

Në këtë vështrim dhe problemet që i kundërvihen tezave nga e ashtuquajtura tema e mbrojtjes “të kthejmë fushat në male”, ku preken problem esenciale dhe që ndryshimi i tyre të çon në veprime të paevitueshme në ndryshimin e tërë pjesëve përbërëse të Tezave që janë të lidhura dhe në funksion të njera tjetrës, pra kjo rrugë të çon dashur padashur në krijimin e një platëforme të re tezash, rrugë në të cilën unë kam ecur qorrazi deri në Qershor 1973, i bindur se po bëja një punë të mirë, e cila mbasi të përpunohet dhe sistemohet, t’i paraqitet për aprovim Këshillit të Mbrojtjes.

Balluku: Nuk u tregova vigjilent në mbrojtje të parimeve
Vihet në pyetje pse nuk u ndala unë të shikoj se këtu po preken parimet?

Ose pse nuk u tregova vigjilent në mbrotje të parimeve?

Këtë gjë unë nuk kam mundur ta bëj sepse forca e presionit të ideologjisë borgjezo-revizioniste më kishte mposhtur e paralizuar, unë këto probleme i kam parë me sytë e liberalit dhe arrivistit, pra në këtë rast kisha humbur cilësitë e vërteta të komunistit për të mbrojtur me vigjëlencë dhe disiplinë të hekurt vijën e Partisë, por kam ecur në këtë rrugë me mëndje të ngritur se unë këto gjëra i di dhe se këto elementë të rinj në stadin aktual janë të nevojshme për mbrojtjen tonë. Si përmënda dhe më lart, kundërshtimet e Petritit, për materialin e dytë i kam konsideruar si çështje që kanë të bëjnë me hezitim dhe ngurim për futjen e së resë.

Në mbarim të materialit të tretë i cili iu dorzua shokëve 40 ditë para mbledhjes së drejtorëve, përveç shokëve Hito dhe Sadik, që më kanë thënë se kanë vërejtje, bile Hito më tha se ja dhashë Rrahmanit, shoku Petrit nuk më ka thënë asngjë për këtë material, veç letrës që më dërgoi një natë para mbledhjes për vërejtje, që ky material të anullohet se vjen në kundërshtim me Tezat.

Pse nuk e shtrova për diskutim dhe vërejtje këtë material në rreth të ngushtë me shokët? Pse rrashë në këtë gabim që është rregull elementar? Në këtë gabim unë kam rënë sepse jam udhëhequr nga mendimi i gabuar se Petriti përqafonte me vështirësi të renë dhe kundërvihet apriori pa argumentuar dhe bazuar mendimet e tij dhe se shikimi i këtij problemi në rrethin e drejtorëve do të jetë objektiv dhe një rreth për koregjimin dhe sistemimin e materialit në të gjitha aspektet e armëve dhe shërbimeve, vërejtje të cilat i kanë bërë me shkrim një natë para mbledhjes, kjo është jo vetëm metodë e gabuar, por edhe cënimi i unitetit të mendimit e veprimit të komandës, sepse mendimet e kundërta duhen të shtrohen e zgjidhen në instancat më të larta dhe jo në mbledhje dhe konsulta si në rastin konkret.

Balluku: Para mbledhjes, anullova tezat e Petrit Dumes
Pra materialin me sinjalin e Petritit një natë para mbledhjes se ai është në kundërshtim me tezat e anullova dhe në po këtë moment çova materialin dhe duke e parë me këtë sy, shënova se vërejtjet e shokëve kanë të bëjnë:

Me formacionin e luftimit
Kundërsulmet, kundërgoditjet
Lufta mobile sipas bisedës me Hiton
Mbi disa formulime dhe dinamika të luftës në mbrotje, etj.
Në këtë aktiv ngrita problemin që hartimi i materialeve duhet të bëhet vetëm në përputhje me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, në këtë mënyrë unë këtë material e quajta të anulluar dhe menjherë u ula dhe shkrova vetë materialin e katërt, në këtë material unë qëllimisht flas për luftën mobile që është formë që praktikohet nga vënde që kanë hapësira të mëdha territoriale dhe forca të mëdha ushtarake dhe është formë krejt e praktikueshme në kushtet tona. Pse e mbylla unë në mënyrë kaq të thjeshtë këtë çështje, pa u ndalur për të parë dhe analizuar në mënyrë kritike shkaqet dhe rrethanat që më çuan të frymëzoj hartimin e këtij materiali të cilin unë e zëvëndësova me materialin e katërt, pas sinjalit të Petritit, bile vërejtjet me shkrim të drejtorëve që ndodheshin në arshivën e ministrisë bashkë me materialin unë i kam kënduar në Qershor 1974, kur doli kjo çështje mbas takimit me shokun Enver.

Si në takimin me shokun Mehmet dhe veçanërisht me shokun Enver, unë i jam përmbajtur qëndrimit semplist se unë nuk shkel tezat dhe se materialet e vjetra janë të anulluara e nuk kanë të bëjnë me mua, se ato janë të paqena dhe se materiali im është materiali i katërt, pa njohur faktin se idetë e hedhura në këto materiale ishin frymëzuar nga unë, pra ishin në kokën time./memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb