TIRANË

Myzejen Xhomaqi, 65 vjeçe, nënë e 6 fëmijëve ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 për të rrëfyer problemin me të cilin përballet ajo vetë dhe një prej vajzave të saj. Ndonëse i ka rritur fëmijët e saj, Myzejeni ende lufton me të përditshmen, e këtë radhë për nipin.

Njëra nga vajzat e saj, Gloria, 42 vjeçe ka bashkëjetuar me një person, lindi një djalë, Ergin që sot është 18 vjeç dhe në moshën 3-vjeçare u diagnostikua me autizëm.
Pas lindjes së djalit filluan konfliktet e Glorias me dhe e rriti vetë Myzejeni. Pas ndarjes është lidhur me një tjetër person, dhe ka një vajzë me të, por edhe kjo lidhje ka përfunduar.

Gloria në atë kohë kur u bë nënë ishte studente e juridikut. Në shkollën e mesme bëri liceun në Korçë për kanto, e ka lënë përgjysmë dhe është transferuar më pas në Tiranë. Pasi mbaroi studimet nuk arriti dot të punonte në profesionin e saj. Myzejeni tha se sot Gloria e pati të pamundur të vinte sot në emision pasi kishte dalë të kërkonte djalin që kishte ikur që në 5 të mëngjesit.

Ndërkohë Gloria zhvilloi një bisedë telefonike ‘live’ me emisionin ku rrëfeu peripecitë e saj.  Ajo tregoi se ka qenë 3-4 vite në Ministrinë e Brendshme, më pas në Bashkinë e Tiranës rreth 5-6 vite, një punë të thjeshte, por e la punën pasi iku në Gjermani për të kërkuar azil, mori dhe djalin e sëmurë me vete. Në Gjermani qëndroi 7 muaj dhe atje djali ndihej mirë, do ta çonin në një qendër të specializuar. Nga Shqipëria iu ka shkuar një letër, sipas tyre kishte qendra të specializuara në Tiranë dhe nuk ishte e nevojshme që të qëndronin atje. Iu shkon policia një natë, i merr dhe i sjell mbrapsht në Shqipëri.

“Nuk është herë e parë që djali ikën, ka ikur dhe herë të tjera, e bën çdo ditë. Jam në udhëkryq për djalin. Ky shtet nuk më jep asgjë. Nuk e kam gjetur ende djalin. Atë po kërkoj. Po ta kisha gjetur do kisha ardhur në emision.
Nuk pata kohë të merrja ndihmë. Kërkova, kontaktova me avokatët por s’mund t’i takoja ditën e nesërme. E lashë punën për shkak të tij, se thashë po më vdes djali rrugëve. Nuk kisha zgjidhje tjetër”, tha e ëma.

Që kur është kthyer Gloria e ka shumë të vështirë të rifillojë punë, ka kënduar nëpër dasma, por tani nuk largohet dot se ai do t’i qëndrojë nga pas sepse largohet nga banesa.
Gloria kërkon të largohet sërish jashtë vendit sepse kanë kushte të mira për trajtimin, ndërsa janë deportuar dhe për 3 vite nuk shkelin dot në asnjë vend të Bashkimit Europian. Ka qenë dhe më parë në shtete të ndryshme ku i kanë thënë se djali ka nevojë për një trajtim të specializuar dhe jashtë ka pasur qendra të tilla.

“Dua t’i bëj apel shteti që nga pagesa është qesharake. Çfarë do bëjë ai fëmijë me 100 mijë lekë. Të bëhet një qendër vetëm për këta. Të ketë logopedistë të specializuar. Është gjynah t’i lësh në këtë gjendje. Ndoshta djalit tim i ka ikur koha por do ketë të tjerë. I bëj thirrje shtetit të merren me këtë problem, të merren me autizmin dhe jo me budallallëqet e tjera”, tha nëna e 18-vjeçarit autik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb