TIRANË

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur sot në studion e News24 edhe për zgjedhjet lokale dhe mundësinë e rikandidimit të Erion Veliajt në Tiranë.
Balla nuk konfirmoi kandidimin por tha se secili do kandidojë në bazë të performancës dhe se duhen kandidatë që i mbështet komuniteti. Për këtë arsye ai deklaroi se kanë nisur konsultimet.

“Do kemi 61 kandidatë në 61 bashkitë e vendit, për të cilët kemi përcaktuar një axhendë shumë të mirë për sa i përket marrjes së mendimit të komuniteteve. Ne kemi krijuar modele të shkëlqyera të qeverisjes vendore, qoftë me Edi Ramën por edhe tashmë në qeverisjen vendore, ku ndër to spikat në mënyrë të veçantë kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili e ka justifikuar besimin e dhënë nga ne por pikë së pari besimin e dhënë nga qytetarët shqiptarë në 4 vite. Por askush prej nesh nuk ka të drejtë të dalë mbi vendimet e përbashkëta e kolegjiale të PS-së që në momentin e duhur do të flasin për vendimet”, tha Balla, raporton “BalkanWeb”.

Ai u shpreh më tej se më 30 qershor ne duam që të bëjmë të njëjtën punë të shkëlqyer që kemi bërë në Tiranë dhe në bashki të tjera e për këtë qëllim nuk do të rikandidohen një pjesë dhe do rikandidohen disa të tjerë. “Për këtë kemi nisur konsultimet. Partia e parë që do shpallë kandidatët do të jemi ne. Ne kemi një libër rregullash brenda familjes politike ku kemi përcaktuar afatet. Secili do kandidojë në bazë të performancës së vet. Ne dimë të vlerësojmë punën e gjithkujt që komuniteti e do. Duam kandidatë që i mbështet komuniteti. Ne e kemi kuptuar që mandati që kemi marrë më 25 qershor na ka obliguar të jemi në një proces bashkëqeverisje me njerëzit”, theksoi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb