Mjeku Halim Kosova, në një lidhje skype për News24 ka bërë të ditur planet e tij profesionale. Ai ka bërë me dije se nuk është i interesuar për postin e presidentit, pas daljes së emrit të tij si i propozuar nga opozita, por se dëshiron që të vijojë me planet për të ndihmuar njerëzit.
Ai ka zbuluar se është duke vijuar me planet e tij për të pasur një bashkëpunim me konsultoret e Tiranës për identifikimin e rasteve, në mënyrë që të ofrohet për familjet në nevojë shërbim falas.
“Javës tjetër do dalin lajmërimet e nevojshme dhe pjesët që më duhet për të realizuar atë që unë kam synim. Kam bërë një projekt dhe do ti përmbahem atij. Kam pasur një propozim për bashkëpunim me konsultoret, ky do të filtronte njerëzit në nevojë dhe mjekët e konsultoreve do vinin bashkë me pacientët e do bëhej një kurs kualifikimi. Kjo është lënë në mënyrë autodidakte. Është faza e dytë në rrethe sepse duhen pajisje moderne dhe të transportueshme lehtë, ose ndryshe do të kishte vështirësitë e veta. Që kur qarkulloi emri im për postin e presidentit, qeshja me bashkëshorten time. Më frenoi pak në nxjerrjen e detajeve sepse paragjykohesh, se thonë po e bën këtë gjë për post. Pavarësisht sa i rëndësishëm është posti, unë kam nisur diçka dhe do të doja ta mbaroja”, është shprehur Kosova.