Gazetari Arbër Agalliu në një bisedë në News24 foli për kthimin e emigrantëve në Itali dhe vendimin e gjykatës italiane. Ai tha se emigrantët e kthyer kanë mbërritur dje në Portin e Barit kanë 14 ditë në dispozicion për të apeluar për refuzimin e kërkesës së tyre si azilkërkues dhe mendohet se së shpejti qeveria italiane do të nisë një tjetër kontingjent drejt Shqipërisë.
“Është më se normale që në bazë të situatës shëndetësore për dy të sëmurët dhe ndërkohë situata ndryshon për sa i përket të miturve që janë pritur në qendra të posaçme. Janë individë të cilëve iu cenohet liria. Nuk ka qenë i mundur rikthimi në vendet përkatëse Egjipt dhe Bangladesh dhe pse Italia këto dy vende i ka renditur në listën e vendeve të sigurt nga Evropa ka qenë i kundër gjykimi. Gjykata Europiane e Drejtësisë në 4 tetor ka reduktuar listën e vendeve që qeveria italiane i ka renditur si të sigurta, nga 22 në 7. Për vendet e tjera që nuk janë të sigurta është i pamundur riatdhesimi”, tha Agalliu.
Sipas tij, vitin e kaluar bazuar në statistika të Ministrisë së Brendshme në Itali kanë qenë 100 mijë emigrantë të ardhur nga vende të konsideruara të pasigurta. “Duke bërë llogaritë e duhur nga këta 100 mijë, vetëm 15 mijë mund të vinin në Shqipëri. Për sa i përket kërkesave që bëhen, kohëzgjatja e shqyrtimit të rasteve është 1 vit e gjysmë. Po për sa i përket dy qendrave shqiptare gjykata italiane duhet të vendosë brenda 4 javëve dhe azilantët kanë kohë 14 ditë për të bërë apelim.
Shpesh herë emigrantët vijnë në brigjet italiane të papajisur me dokumente identifikimi dhe pse protokolli parashikon që verifikimi i parë bëhet në anijen që i shpëton sepse bëhet fjalë që shpëtohen nga deti. Emigrantët nuk ishin në dijeni se ku po shkonin, nuk e dinin se po vinin në Shqipëri. Sa i përket të miturve institucionet bazohen në dëshmitë që ata japin”, tha më tej gazetari.
Agalliu u shpreh se dy emigrantët me probleme shëndetësore u kthyen sepse protokolli parashikon që ata që vendosen në kampin e Gjadrit të jenë në gjendje të mirë, jo vulnerabël dhe parashikon disa pika që duhen ndjekur në mënyrë strikte. Lidhur me vendimin e gjykatës për rikthimin e emigrantëve, ai tha se cenon besueshmërinë e qeverisë Meloni.
“Dihet se mund të dështonte projekti sepse vendimi i gjykatës europiane mbërrit më 4 tetor para se të “inauguroheshin” dy qendrat në Shqipëri por nuk u mor asnjë vendim nga qeveria italiane për të riparë ato që ishin të metat e këtij procesi.
Qeveria italiane do bëjë çmos në sy të elektoratit për të treguar që këto dy kampe funksionojnë. Është dhe një sfidë mes maxhorancës dhe opozitës. Unë besoj se cenohet besueshmëria e qeverisë Meloni. Nuk cenon akordin”, tha Agalliu.