Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u ndal sot në Rrogozhinë, nga ku komentoi protestën e dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës. Në takimin mirënjohës me strukturat socialiste të zonës, Veliaj tha se PD-në e pret humbja sa herë që përballet me socialistët.

Po shikoja dje këta që vazhdojnë të djegin goma. E dini pse e bëjnë? Sepse janë të dështuar sa herë përballen me ne, me vulgaritetin e tyre, me djegien e gomave, me agresivitetin, me gjuhën e dhunës. Nuk arrijnë të kuptojnë dot se në 2024-ën Tirana është tjetër gjë, Rrogozhina është tjetër gjë. Sot gara duhet të jetë mes ideve. Kush ka ide për ta bërë shkollën më të bukur, të japë një kontribut më të madh për turizmin, se si mund të kemi një bum edhe më të madh. Por, ata nuk kanë asnjë ide. Për sa kohë vazhdojnë si talebanët, djegin gomat dhe me zjarr e molotov mundohen të artikulojnë, të thonë ato që ndoshta nuk dinë t’i thonë me gjuhë, ne do të vazhdojmë të qeverisim, do të vazhdojmë të fitojmë, do vazhdojmë të kontribuojmë dhe të punojmë sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se PS-ja ka treguar se socialistët e kanë mbështetur reformën në drejtësi që në fillim.

Kur shikon që edhe kryetari i Bashkisë bashkëpunon me drejtësinë, është gati që të japë të gjitha shpjegimet, tregon se kur qeverisin socialistët vendosin një raport normal me të gjitha institucionet. Iku koha kur garda vriste protestuesit, iku koha kur presidenti shkonte dhe rrihej me policët bashkiakë. Sot jemi në një dimension krejt tjetër. Sigurisht, ai që punon do duhet të japë edhe llogari për punët që ka bërë, dhe do duhet të japë sqarime. Por, ne nuk jemi me dy fytyra, që në një rrugë të thuash: ‘Bravo drejtësia dhe vazhdo merru me bashkinë’, ndërsa në rrugën tjetër të thuash: ‘Poshtë drejtësia, se me ke futur babin në arrest shtëpie’. Kjo loja me dy fytyra nuk është një lojë që e bëjnë socialistët. Socialistët e kanë mbështetur këtë reformë, e kanë votuar, bashkëpunojnë për këtë reformë”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: