Një qytetare ka rrezikuar të mbytet në bregdetin e Kavajës, ndërsa ka treguar përvojën e saj tronditëse. Bëhet fjalë për Moza Cinon, e cila pohoi se rreth orës 11 të paradites së sotme, jo më larg se 300 metra nga bregu i detit ra në një rrjetë gjigante, nga e cila e kishte të pamundur që të dilte.
Qytetarja tregon mes të tjerash se kishte tentuar që të kontaktona disa herë me policinë e të trija rretheve, atë të Durrësit, të Tiranës dhe të Kavajës, por më kot; askush nuk ia kishte hapur telefonin.
Ajo theksoi se përveç një telefonate të çuditshme nga policia e Durrësit, nuk kishte marrë asnjë lloj përgjigje apo mbështetje. Madje ajo tha se i kishte shkruar dhe kryeministrit Edi Rama, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje, vec një mesazhi në anglisht.
MESAZHI
Jam tronditur si rrallëherë. Në fakt jam e traumatizuar.
Ata që më njohin, njohin edhe guximin tim në thellësinë e detit. Këtë herë ishte diçka e re. Ishte një grackë nga ku s’del më.
Sot rreth orës 11, le të them jo më larg se 300 metra nga bregu i detit, rashë në një rrjetë gjigande.
Nuk kisha asnjë mundësi të gjeja forcat e duhura
ti shpëtoja rrjetës.
Në hapësirën disa sekondëshe më përpiu në fund të detit. Në skajet e rraskapitjes, e përhumbur plotësisht nga kërcimet sfilitëse për t’iu shmangur fundit të rrjetës që shtrihej me kilometra…, do të isha në morg në mënyrën më absolute, nëse në këmbë nuk do të kisha mbathur palmat, (lopata deti), si dhe një tapë salvataggio në duar. Nuk e pranoja të mbetesha në fundin e detit në grackën e një rrjete…!
Si ka mundësi që në këtë botë ka njerëz kaq të papërgjegjshëm, kaq të shfrenuar…ku shëtitin me jahte në afërsi të bregut, i lëshohen atij me rrjeta e gomone si amatorë duke ia privuar vetes kujdesin për plazhistët!
Do të kisha dëshirë që këta njerëz, të bëheshin koshientë tek hanë peshkun e drekës apo të darkës.
Tentova dhjetra herë të kontaktoja policinë e tre rretheve, Tiranë, Durrës, Kavajë.
Përpjekjet zgjatën gati një orë derisa më në fund rashë në veshin e shërbimit policor Durrës. Kërkoi një rrëfim të shpejt të ngjarjes, me urgjencë, për mungesë kohe. Premtoi se do ndalojë gjithë peshkatarët të hedhin rrjetat.
Ah! Mor zotni, peshkatari është profesionist, nuk hedh rrjeta për të gjuajtur plazhistë, shiko peshkaqenët, peshkaqenët e mëdhenj, me jaht ke pista përballë hotel Klajdi.
Një orë pas meje në të njëjtën distancë pashë të lahej një djalosh me kokën e mbushur plot me flokë.
E ruajta me sytë e ngulitura mbi siluetën e tij.
E dija që rrjetat nuk ishin më të hedhura në det. Gomonia i mblodhi kur unë shkoja në drejtim të pistës. Por kisha panik në zemër, (në atë zemër që buçiti nga mungesa oksigjenit, sa s’plasi!) …e më dukej sikur koka e tij do fundosej si unë, një orë më parë…
Pa përshkruar llahtarinë që provon njeriu në fund të detit, sensibilizoj gjithë ata që në ndërgjegje ndiejnë se duhet vepruar, nëse unë apo tjetërkush, nesër mbetet në rrjeta të njerëzve pa licencë, pa përgjegjësi, pa logjikë…
Lutem në të tilla raste, kujt i drejtohesh dhe si veprohet?!…Emergjenca detare ishte “out” që në zilen e parë të telefonatës e deri në fund…
P.s
Si qytetare i kërkova ndihmë zotit Edi Rama në faqen e tij të FB.
Përveçse një përgjigje mesazh elektronik në anglisht nuk kam asnjë vazhdimësi të problemit.
Nejse… fund gushti.
Ndjesë që kërkova të krijojë një lloj alarmimi social duke iu drejtuar medias për të aktualizuar këtë ngjarje të frikshme, por nëse kërkojmë një lloj funksionimi të disiplinës, rregullit, paqes e qetësisë ajo krijohet nga vetë ne, nga reagimi ynë i përbashkët.
Nuk besoj se qeveria, e çfarëdo ngjyre qoftë, do na shpëtojë.
Bashkangjitur po ju nis dhe ata numra shtetërorë që unë telefonova për të kërkuar ndihmën e menjëhershme, por përveç një telefonate të çuditshme nga Durrësi nuk pata asnjë lloj përgjigje të problemit dhe asnjë lloj mbështetje.
Zotëria i shërbimit policor nga Durrësi, pasi përpiloi dy pyetje se nga jam dhe ku banoj, më thërriste në çdo dy fjalë “motra”. Motra, unë kam 3 motra vetë dhe nënën të sëmurë…nuk kuptoja më tej se me kë po bisedoja.
Kuptova se jo vetëm unë isha “mort vivante” nga rrethanat që kishin nënshtruar, por…, edhe zotëria nga linja telefonike me këmbët në tokë, ishte në një gjendje çoroditëse.
Për nga ana profesionale ishte “zero me xhufkë”, megjithëse kish 9 vjet që punonte në atë post.
Nejse.
Po ju bashkangjis foton e numërave që kompozova për të kërkuar ndihmë, e cila nuk m’u dha!
Uroj të jetë ndër episodet e fundit, të shëmtuara, që ndodhin nga mungesë e kujdesit apo mbikqyrjes shtetërore.
P.S
Jam plazhiste e pjesës shterërore. Në det nuk ka asnjë mjet kufizimi, e përcaktoj për arësyen e vetme, që nuk kam thyer asnjë rregull në ujrat detare dhe, që prej 8 vite ku unë frekuentoj të njëjtin vend nuk ka asnjë lloj ndryshimi.
(BalkanWeb)