Një 19-vjeçar pakistanez ka përfunduar në prangat e policisë së Gjirokastrës.

Blutë njoftojnë se i riu transportonte me automjet, drejt Kakavijës, 5 emigrantë nga vendet e treta, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë.

19-vjeçari Asad Ali  do të përballet me akuzën për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Njoftimi: 

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, Sektorin Operacional dhe me Prokurorinë e Gjirokastrës, operacioni i koduar “Turn 1”, për goditjen e një rasti të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Transportonte me automjet, drejt Kakavijës, 5 emigrantë nga vendet e treta, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari, shtetas pakistanez.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin dyshohej se po transportoheshin emigrantë. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur shenjës për ndalim por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi për disa minuta dhe më pas ka braktisur automjetin.

Nga veprimet e shpejta hetimore u identifikua dhe u vu në pranga drejtuesi i automjetit, shtetasi pakistanez A. A., 19 vjeç, banues në Pakistan.

Automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb