Presidenti amerikan Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris thanë të enjten se vdekja e udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, përgatiti terrenin për rikthimin e pengjeve izraelite dhe përfundimin e luftës në Gazë.
Vrasja e Yahya Sinwarit, organizatori i sulmit të 7 tetorit 2023, që shkaktoi luftën në Gazë nga forcat izraelite në enklavën palestineze, shënon një sukses të madh për Izraelin dhe një moment historik në konfliktin njëvjeçar.
“Tani është koha për të ecur përpara. Vazhdoni, lëvizni drejt një armëpushimi në Gaza, sigurohuni që po ecim në një drejtim që do të jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat më mirë për të gjithë botën”, u tha Presidenti Biden gazetarëve pas mbërritjes në Gjermani, pasi bëri një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Është koha që kjo luftë të përfundojë dhe pengjet të rikthehen në shtëpi. Pra këtë jemi të gatshëm të bëjmë”.
I pyetur nëse ndihej më me shpresë për një armëpushim, Presidenti Biden tha se po, dhe tha se lufta do të përfundonte, të “shpresojmë shumë shpejt”.
Presidentin Biden tha se ai do të dërgonte kryediplomatin e tij, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, në Izrael për katër ose pesë ditë dhe se bisedimet do të përfshinin marrëveshjet për Gazën e pasluftës.
“Do të punojmë për… se si do të jetë e nesërmja. Si ta sigurojmë Gazën dhe të ecim përpara”, tha ai.
Pas muajsh fillimi dhe ndalimi, negociatat për armëpushimin nuk kanë patur sukses dhe nuk kanë treguar asnjë shenjë lëvizjeje prej disa javësh.
Pas vdekjes së Yahya Sinwarit, për të cilin zyrtarët amerikanë thonë se ishte pengesa kryesore për bisedimet, Uashingtoni do të “dyfishojë” përpjekjet për propozimin për armëpushim, tha Departamenti i Shtetit.
Por Kryeministri Netanyahu, i cili ndonjëherë është akuzuar gjithashtu për vonesa në arritjen e një marrëveshjeje, tha të enjten se lufta do të vazhdojë. Në një deklaratë nga zyra e tij, pas bisedës me Presidentin Biden, thuhet se dy udhëheqësit ranë dakord se vdekja e Yahya Sinwarit ka krijuar një mundësi për të nxitur lirimin e pengjeve në Gazë dhe se ata do të punojnë së bashku për ta arritur këtë objektiv.
Sipas Shtëpisë së Bardhë gjatë telefonatës ata “diskutuan se si ta përdornin këtë moment për të risjellë pengjet në shtëpi dhe për ta mbyllur luftën, me sigurinë e Izraelit të garantuar dhe me një Hamas që nuk do të jetë më kurrë në gjendje të kontrollojë Gazën”.
Duke folur në premisat e një aktiviteti elektoral për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, Nënpresidentja Harris e përforcoi këtë pikë.
“Ky moment na jep një mundësi për t’i dhënë fund përfundimisht luftës në Gazë, dhe ajo duhet të përfundojë në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gazë të marrin fund dhe populli palestinez të mund të realizojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje. Dhe është koha që e nesërmja të fillojë pa Hamasin në pushtet”, tha Nënpresidentja Harris.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se Uashingtoni tani do të “dyfishojë” përpjekjet për një propozim “që ka qenë në tryezë për disa kohë”.
Sekretari i Shtetit Blinken ka folur tashmë me ministrat e jashtëm të Katarit dhe Arabisë Saudite për t’i dhënë fund luftës dhe marrëveshjeve të pasluftës për Gazën, tha zoti Miller.
“Ne shohim një mundësi tani që duam ta shfrytëzojmë për të siguruar lirimin e pengjeve”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit Biden, Jake Sullivan. “Do të duhet të punojmë për t’u siguruar që vdekja e tij vërtetë do t’i japë Hamasit atë lloj goditjeje afatgjatë që të gjithë ne do të donim të shihnim”.