Banka e Shqipërisë e ka shtyrë për në muajin janar 2025 miratimin e ndryshimeve rregullatore, pjesë e paketës për forcimin e mbrojtjes konsumatore.

Këshilli Mbikëqyrës pritet të miratojë ndryshimet në rregulloren për kredinë konsumatore, që do të sjellë edhe uljen e normës maksimale të interesit (NEI maksimal).

Ulja e NEI-t maksimal për kreditë konsumatore parashikohet të jetë një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në paketën e mbrotjes konsumatore të nisur nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2024.

Koncepti i NEI-t maksimal në huadhënien konsumatore u bë pjesë e kuadrit rregullator të Bankës së Shqipërisë pas ndryshimeve të miratuara në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare”, që hynë në fuqi më 31 dhjetor 2021.

Sipas rregullores, NEI maksimal llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj.

Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.

Banka e Shqipërisë nuk ka dalë ende me një propozim konkret mbi mënyrën se si do të ndryshohet rregullorja në dispozitat që rregullojnë llogaritjen e NEI-t maksimal. Megjithatë, sipas burimeve nga ky institucion, një ide mund të jetë heqja ose reduktimi i shtesës me një të tretën mbi mesataren e llogaritur të kredive të dhëna.

Pavarësisht formës, e sigurt është se normat tavan të interesit vitin e ardhshëm do të ulen.

Synimi i Bankës së Shqipërisë është veçanërisht fasha e parë, që përfshin kreditë e vogla konsumatore me vlerë deri në 200 mijë lekë. Këto kredi kanë edhe normat më të larta mesatare të interesit.

Pjesë e paketës rregullatore të Bankës së Shqipërisë për të rritur mbrojtjen e konsumatorit nga mbikreditimi apo nga produketet jo plotësisht transparente është edhe ndryshimi drastik i kuadrit që rregullon marketingun e bankave dhe institucioneve financiare.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, që synojnë të vendosin disa rregulla strikte në përmbajtjen e reklamave dhe materialeve të tjera promocionale të institucioneve financiare.

Dokumenti i rishikon tërësisht rregullat e lidhura me marketingun dhe reklamën e bankave dhe institucioneve financiare.

Projektregullorja parashikonte se bankat duhet të njoftojnë Bankën e Shqipërisë për çdo reklamë apo material promocional, përpara botimit apo publikimit nëpërmjet medias së shtypur ose elektronike. Banka e Shqipërisë do të shqyrtojë reklamën apo materialet promocionale, brenda 15 ditë pune nga momenti i dërgimit.

Banka e Shqipërisë do të ndalojë reklamën apo materialet promocionale nëse ato do të përmbajnë vlerësime ose parashikime në lidhje me ecurinë e ardhshme të bankës; krahasime ndërmjet bankave të ndryshme që ofrojnë të njëjtat produkte apo shërbime, që vënë në disavantazh banka të tjera; shprehje si “rezultat i garantuar”, “banka më e mirë”, “kosto më e ulët”, “kosto zero”, “më e lartë/më e ulët/më e mira në treg”, “ne ju rimbursojmë”, “ne paguajmë për ju”, “ofertë” etj., ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për fitime/rezultate të sigurta apo për kosto të ulëta.

Gjithashtu, sipas draftit, bankat nuk do të lejohen të reklamojnë produkte kredie që inkurajojnë konsumatorët të kërkojnë kredi, duke sugjeruar se kredia do të përmirësonte gjendjen financiare të këtyre konsumatorëve; specifikojnë se shumat e papaguara (tepricat) të kredisë kanë pak ose aspak ndikim në vlerësimin e një aplikimi të ri për kredi; sugjerojnë në mënyrë të rreme se kredia çon në një rritje të burimeve financiare, përbën një zëvendësues për kursimet ose mund të rritë standardet e jetesës së një konsumatori; theksojnë lehtësinë ose shpejtësinë me të cilën mund të merret kredia; deklarojnë se një zbritje është e kushtëzuar me marrjen e kredisë; ofrojnë periudha faljeje (grace) më shumë se tre muaj për shlyerjen e kësteve të kredisë.

Megjithatë, projektrregullorja e propozuar nga Banka e Shqipërisë shkaktoi pakënaqësi të shumta mes subjekteve të saj, duke përfshirë bankat dhe institucionet financiare jobanka. Banka e Shqipërisë ka marrë më shumë kohë për të reflektuar mbi komentet e palëve të interesit dhe pritet që rregullorja të miratohet me ndryshime në janar 2025./ Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb