Publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të titulluar; “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.
“Ata që mendojnë se regjimet komuniste janë vepër vetëm e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur…”!
Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”
ELBASANI
Vrasje me pambuk Historiku i Sigurimit të Elbasanit është më i veçanti nga të gjitha rrethet e vendit. Gjuha e ashpër, intrigat, kurthet, ekzekutimet gjatë luftës dhe pas saj janë pastruar tërësisht, duke nxjerrë për pasojë një “Sigurim”, që nuk është më i njëjti, si në qytetet e tjera. E megjithatë, Elbasani ishte pjesë e Shqipërisë dhe dramaturgu Ethem Haxhiademi, ishte arrestuar në Elbasan, e do të vdiste në Burrel, duke qenë edhe sot pa varr.
“Ai u godit dhe mori dënimin e merituar…”, është pothuaj maksimumi që has në Historik. Termi “kriminel”, i kudogjendur në rrethet e tjera, këtu zëvendësohet me “kulak”. Te Sigurimi i Elbasanit, rrallë dalin të vrarë, rrallë të pushkatuar rrugëve, apo në male, rrallë dalin metodat e përpunimit. Megjithatë, pavarësisht gjuhës prej pambuku, matanë kishte arrestime, që jo gjithnjë përmenden. Në vend të termave: pushkatim, likuidim, asgjësim apo vrasje, që gjenden në historikët e tjerë, Elbasani përdor vetëm një folje, edhe atë në pësore: u godit (!) Edhe në rastet kur përmendet një i arratisur, si N. H., ish-kryetar kooperative i Rrajcës, nuk tregohen metodat e përpunimit, thjesht vërehet se u dënua për tradhti ndaj atdheut. Por ajo që nuk thuhet, nuk do të thotë se nuk ka ndodhur, dhe ana tjetër e ngjarjes, tregon atë që historiku fsheh.
Përkthyesi i burgut të Burrelit
“Natë dimri… 25 janar 1947, e martë. Ishim mbledhur të gjithë rreth votrës në dhomën e zjarrit…! Baba po korrigjonte hartimet e një klase së ‘Normales’ së Elbasanit…! Duke përfituar nga muri i shembur i avllisë, njerëz të armatosur hynë pas pak në shtëpinë tonë…! U paraqitën si njerëz të pushtetit lokal, se gjoja kishin ardhun për kontroll, për gjana të ndalume për kohën…! Pashë…më vonë babën, duke zbritur nga shkallët me duar të lidhura…! Akuzohej për komplot për përmbysjen e pushtetit, për bashkëpunim me anglo-amerikanët”. I biri, Emini, e kujton me këto fjalë arrestimin e babait.
Pas asaj nate, emri i Ethem Haxhiademit (1902-1965) do të shuhej për më së 4 dekada, nga 1947-a, deri pas 1990-ës. Në po kaq kohë, dramat, tragjeditë, poezitë, përkthimet dhe studimet e tij do të heshtshin. Para asaj nate, ai kish pasur në duar gjithë botën. Me shkollën e mesme të kryer në Leçe (Itali), ai do të ndiqte studime në Insbruk (Austri) dhe Shkenca Politike në Berlin e Vjenë. Ish-prefekt i Lushnjës, drejtor në Ministrinë e Brendshme, anëtar i Institutit të ri të Studimeve Shqiptare, pas lufte u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kryetar i degës së saj për Elbasanin. Më 1946, ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkollën ‘Normale’ të Elbasanit, derisa u arrestua dhe u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan, ndërsa pas ndërhyrjes së Aleksandër Xhuvanit dhe Omer Nishanit, dënimi me vdekje, iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet, si përkthyes në burgun e Burrelit.
Dorëzimi i trishtë i Lef Nosit
“XH. N., ishte rekrutuar nga “Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit” dhe në mënyrë të pabesë, e çoi Lef Nosin në duart e forcave që e arrestuan më 7 gusht 1945”. Në studimin e historianit Edmond Malaj, për përndjekjen e Lef Nosit, shënohen të gjitha vendet ku ai u fsheh nga miqtë që të mos binte në duart e Sigurimit; nga Shkodra, në Malësinë e Dukagjinit, në Tiranë në disa familje dhe te mulliri i Xhemal Farkës, e mandej deri në Elbasan, ku u strehua në pyje, banesa dhe deri në një fabrikë alkooli.
Gjykata Ushtarake e Tiranës e gjykoi bashkë me Atë Anton Harapin “të akuzuar pse si kriminelë lufte dhe armiq të popullit… në cilësinë e tyre anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë”.
Mikja e tij, antropologia Margaret Hasluck, i dërgoi një letër Enver Hoxhës, ku tregohej e gatshme të dëshmonte përpara çdo gjykate shqiptare, për pafajësinë e Lef Nosit, por më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje, pushkatim. U ekzekutua te Kodra e Priftit (ose, sipas një versioni tjetër, te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane), bashkë me Maliq Bushatin dhe At Anton Harapin.
Pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, njëri prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ministër i Postë-Telegrafës (4 dhjetor 1912-21 shkurt 1914), Kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943), Anëtar i Regjencës (1943-1944), botues, arkivist, filolog, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan. Një prej figurave më poliedrike të vendit, kish lindur në lagjen ‘Kala’ të Elbasanit, në një prej familjeve më të mëdha të qytetit…!
Për ekzekutimin e tij, Adelina Kosturi, kujtonte se: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit, për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma”!
Sekretari i Fan Nolit, vdes në mjerim
Në historikun e Sigurimit në Elbasan, ai përmendet si element që i kundërvihej vijës së Partisë, por pa dhënë pasojat e kësaj kundërvënieje. “Qamil Çelirama, i cili më përpara kishte patur pozita me rëndësi shtetnore dhe që njihej si komunist i vjetër dhe pjesëmarrës i luftës në Francë, filloi të villte vrer kundër vijës së Partisë…”!
Mik i Lef Nosit, Hilë Mosit, Dervish Himës, Mithat Frashërit, ai kishte punuar në kabinetin e qeverisë së Sulejman Delvinës e Iljaz Vrionit dhe në ministrisë e Xhafer Ypit. Vrasja e mikut të tij, Avni Rustemi, e mbajti në Tiranë, kur më pas u bë sekretar i Fan Nolit, duke punuar me Haki Stërmillin. Pas rënies së qeverisë së 1924-s, emigroi.
Në Bari strehohej te Bahri Omari, ndërsa në Francë do të bëhej anëtar i Partisë Komuniste. Është në Paris, kur delegacioni shqiptar shkon në Konferencën e Paqes, dhe atje takon Enver Hoxhën e Hysni Kapon. Me ndërhyrjen e Ymer Dishnicës, kthehet në Shqipëri dhe emërohet Kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar. Në 60-vjetorin e Hoxhës, nga Tirana i bëhet një vizitë, ku i kërkohet të dëshmojë aktivitetin revolucionar të Enver Hoxhës në Paris si student dhe ai përgjigjet, se; “nuk e ka njohur për të tillë”. Pas kësaj përgjigjeje, i pritet pensioni. Ata që e kanë njohur, si Bukurosh Dylgjeri, rrëfejnë se vitet e pensionit qenë vitet e izolimit të tij, ndërsa agjentët e Sigurimit të Shtetit e ndiqnin dhe e provokonin kudo. “Në vitet 1974 – 1975, Qamil Çeliramën e cilësuan “armik të popullit” dhe si i tillë ndenji 14 vjet në izolim, arrest shtëpie”, shton Dylgjeri, duke rrëfyer se u nda nga jeta në mjerim të plotë.
TIRANA
Vangjel Lezho, udhëtimi i pamundur drejt Moskës
Ish-nxënës i “Normales” së Elbasanit, i diplomuar në Moskë për gazetari, më 1959, Vangjeli, baba e bashkëshort, nis punë si gazetar kulture, në Radio Tirana. Kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik po rrënoheshin, ai pa një dritë diku larg. Një të diel përvëluese korriku të vitit 1963, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, munguan në një vizitë që gazetarët e Radio Tiranës, i bënë në shtëpi një kolegu që martohej. Të nesërmen, në radio u hap fjala se Lezho, ishte arrestuar në tentativë arratisjeje nga Pogradeci. Atë ditë, Kokomani dukej i habitur. Pak ditë më vonë, edhe ai do të ishte në qeli.
Hetuesia e Lezhos, duhet të ketë qenë një torturë. Ai kishte lënë një dhomë shtëpi në Tiranë dhe ishte përpjekur të arratisej, për t’iu bashkuar gruas së tij ruse dhe së bijës. “Në mars të vitit 1962, merret në përpunim paraprak Robert Vullkani. Në muajin prill, sipas mendimit të dhënë nga Trifoni, bashkë me Vangjelin dhe Fadilin, shkruajnë tekste me përmbajtje armiqësore dhe me 28 prill…afishojnë dhe përhapin në rrugët e qytetit”, shkruhet në Historikun e Sigurimit.
Në të 30-at, dënohet me burg në Spaç, bashkë me mikun e tij Kokomani. Akuzoheshin se mbanin kontakte me oficerin sovjetik Valentin Zhej. 13 vite më pas, është më i revoltuar se ç’ishte jashtë burgut. Më 9 korrik 1978, Lezho, Kokomani dhe shoku i tyre në burg, Xhelal Koprencka, i dërgojnë letra udhëheqësve të lartë të PPSH-së, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, ku kritikojnë ashpër Enver Hoxhën. “Perandorinë e Enverit e mban në këmbë armata e spiunëve…! Ky ‘Olimpi’ ynë e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ua kalojnë edhe atyre të fashizmit…”! Pasi letrat mbërritën në Tiranë, Lezhon dhe Kokomanin i pret ri-dënimi. Nëse herën e parë i shpëtuan vdekjes, të dytën nuk ia dolën. Më 18 maj 1979, u dënua me vdekje, me pushkatim për “krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare”. U ekzekutua më 28 maj të po atij viti. Eshtrat e tij, ende nuk janë gjetur!
“Po mbushen 18 vjet që udhëheqja shqiptare, duke e çuar vazhdimisht popullin, gjithmonë kurriz përkulur, në greminën më të turpshme që ka parë historia, sulmon pa pushuar, si kukuvajka në errësirë, vendin dhe popullin e madh të Tetorit, me shigjetat më të pështira e të helmuara”!
Nga letra e korrikut 1978
Fadil Kokomani, gazetari që shigjetoi “zotat”!
“Te fotoja e parë, e madhe, ishin ata të tre, diku në një ledh, natën, në natyrë, të lidhur me një litar, që shikonin pa dyshim të frikësuar, të tmerruar kamerën e atij fotografit që po i fotografonte në momentin para pushkatimit. Pra, ishin gjallë. Dhe çuditërisht ishte ajo që më tërhoqi më shumë…! Që më ngelën sytë…! Që sikur ishin gjallë dhe më panë e i pashë…! Pastaj fotografia ngjitur, e madhe prapë, ishin që të tre, por tashmë të shtrirë, të vdekur. Ndërsa në të tria fotot e vogla, ishte secili më vete, me plumbin në ballë…”!
Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka, ishin ekzekutuar, kur Fatos Lubonjës, bashkëvuajtës në Spaç, në formë presioni, i vihen përpara imazhet e tyre. Ishte viti 1979. Historia që u paraprinte atyre fotografive, niste në vitin 1963. I pari që bie në pranga, është Vangjel Lezho. Disa javë më pas, një të martë gushti në mbrëmje, Fadil Kokomani po dilte nga Radio Tirana. Ishte në të 30-at, kur jeta e tij u mbyll mes muresh.
Me studime të kryera në Universitetin e Leningradit (Shën Petërburg), ai shkruante tregime, reportazhe e skica letrare, por nuk kishte pranuar ftesën për t’u anëtarësuar në parti. Akuza ndaj tij, është; “si kryetar i një grupi që kishte shpërndarë trakte dhe kishte dashur t’i bënte atentat kryeministrit”. Historiku i Sigurimit të Tiranës, pretendon se Trifon Xhagjika, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, donin të vrisnin ministrin e Brendshëm dhe disa punonjës Sigurimi, për çka ky i fundit shton se; “Fadili kishte gjetur një bajonetë, me të cilën kanë bërë prova, si mund të vritet njeriu”!
Dënohet me vdekje dhe i falet jeta me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nga Spaçi, ku vuante dënimin bashkë me Vangjel Lezhon, më 1978, i dërgon letër Komitetit Qendror të PPSH-së dhe dënohet me 10 vite burg.
“Krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare,” shkruanin Kokomani dhe Lezho.
Teksa vuante dënimin në kampin e Spaçit, më 23 shkurt 1979 u arrestua sërish dhe, më 18 maj të po atij viti, u dënua me vdekje, me pushkatim “për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare” dhe “për agjitacion e propagandë”. Ai u ekzekutua më 29 maj 1979, bashkë me Vangjel Lezhon dhe Xhelal Koprenckën. Gazetari e shkrimtari, është ende pa varr, pavarësisht përpjekjeve për kërkimin e eshtrave të tij nga nipi vet, ish-Ministri i Brendshëm, Spartak Poçi (1999).
Pjesë e letrës nga burgu e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos
“Në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet mendimit dhe rrugës politike të një suite të përjetshme, pa dyshim që ky shtet është pushtuar nga një humnerë amoraliteti! Në Shqipërinë Socialiste, fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me qëllimin humanitar që ai, fëmija, kur të rritet, të vrasë veten”!
Kërkimi i eshtrave
-Rrëfimi i nipit të Kokomanit, Spartak Poçi (ministër i Brendshëm në vitin 1999)
“Bashkë me oficerin, shkuam në vendin e treguar. Ndodhej pranë një kazerme të mjerë ushtarake, e cila, megjithëse pa ndonjë funksion të dukshëm, ruhej me një ushtar. Aty për aty ngrita një ekip gërmimi dhe filluam që atë ditë, por deri në muzg nuk gjetëm asgjë. Vazhduan të nesërmen, të pasnesërmen….!
Rrëfimi i oficerit të togës së pushkatimit
Oficeri i togës së pushkatimit, i pat rrëfyer ish-ministrit Spartak Poçi, nipi i Kokomanit, se makthi i natës së pushkatimit, e ndiqte tërë jetën. “U ndieva shumë i dobët për të reaguar…! Kur makina u nis, ishte Fadili që pyeti se ku po shkonim…! Dikur ndaluam në një shteg të ngushtë e të errët…! Ngjitur me të ndodhej gropa. Ishte një skenë që të kallte datën. I ulëm në gjunjë, me fytyrë nga gropa. U qëlluan menjëherë, pothuajse njëkohësisht, me nga një plumb në kokë, nga mbrapa, në një distancë fare të afërt…! Gjumi më del shpesh dhe i kujtoj të tre. Nuk kam provuar tmerr më të madh se atë natë të zezë. Kam pësuar një shok të pashlyeshëm”. Ishin ekzekutuar Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Xhelal Koprencka.
Xhelal Koprencka, 5 dënime, një me vdekje
Imazhi më i njohur i Xhelal Koprenckës, është ai i një djaloshi të njomë. Ngjan pothuaj fëmijë. Buzëqesh me dy sy që ndrijnë. Pas atij portreti plot dritë, është historia e një djali që u dënua pesë herë nga regjimi komunist. Është historia e një djali që një natë, me duar të lidhura e nxjerrin nga qelia dhe e çojnë për ta pushkatuar, në një shpat të djerrë në rrethinat e Tiranës. Dhe në fund është historia e një djali që pas asaj nate, nuk dihet as fati i trupit të tij.
Ai vinte nga një familje e madhe nga Skrapari. Gjyshi i tij që kish pasur të njëjtin emër, kishte qenë firmëtar i Pavarësisë dhe ishte vrarë në mënyrë misterioze. Dënimi i parë iu dha më 1967, kur ishte 35 vjeç. Pas dënimeve në burgun e Tiranës, Sarandës e Ballshit dhe punës si hidraulik në Shkodër, në Spaç mbërrin më 1977. Në burg njihet me gazetarët Vangjel Lezho e Fadil Kokomani. Ishin pothuaj të një moshe. Kur dy gazetarët i çojnë letër Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, duke denoncuar hapur regjimin komunist, një letër të ngjashme dërgon edhe Koprencka, me të njëjtat akuza, për një sistem shtypës që mbahet nga armata e spiunëve. Letra e tij nuk është gjetur, ashtu siç nuk është arkivuar as fotografia e trupit të pajetë, që do u tregohej të dënuarve si formë presioni, por pas këtyre letrave, të tre arrestohen sërish dhe i pret procesi gjyqësor. Akuza e parë ishte agjitacion e propagandë.
Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e deklaroi fajtor dhe e dënoi (duke bashkuar dënimet e mëparshme) me 25 vjet burgim. Por e pret një akuzë e re, si edhe shokët e tij. Arrestohet sërish më 23 shkurt 1979, me pretendimin se ka krijuar një organizatë, si “armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit dhe ndërtimit socialist të vendit”. Ai nuk e pranon. Para hetuesit Dhimitër Beshiri, e cilësoi “thjesht një fantazi”.
Ndërsa ishte në qeli në Tiranë, i vunë pranë një bashkëpunëtor të Sigurimit që ta zbërthente. Rezultati dihet. Me vendimin nr.3, datë 9.5.1979, Gjykata e Lartë i deklaroi fajtorë të pandehurit, për; “pjesëmarrje në organizatën antisocialiste” dhe agjitacion e propagandë sipas neneve 55 e 57 të Kodit Penal, duke dënuar Kokomanin, Lezhon dhe Xhelal Koprenckën me vdekje, me pushkatim.
Rrëmbimi dhe vrasja e Galip Hatibit
I akuzuar se “se ka hyrë në shërbim të spiunazhit të imperializmit amerikan”, 26-vjeçari dibran, Galip Hatibi, i sapomartuar, me 25 shtator 1946, arrestohet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Dëshmitë flasin për një arrestim që merr formën e një rrëmbimi të fshehtë, para godinës së Universitetit të Tiranës. “Më 1946, me urdhër të Nestit, kam arrestuar ilegalisht Galip Hatibin…si agjent i amerikanëve. Ai merrej në pyetje nga Nesti dhe Thoma Karamello..! Di se shpesh, Nesti me Thomain, e kanë rrahur keq Galipin dhe shumë keq e kanë trajtuar. Është vrarë ilegalisht në korrik-gusht 1948, me gjyq special, bërë me urdhër të Vaskës nga Angji Faber dhe Skënder Kosova”, pohonte oficeri i lartë i Sigurimit, Vango Mitrojorgji në autokritikë.
I mbajtur i izoluar për një kohë të gjatë në bodrumin e Seksionit të Sigurimit të Shtetit (te Selvia), ai nuk u mor asnjëherë në pyetje, derisa u ekzekutua, sipas disa dëshmive, diku afër zonës së Kinostudios, pasi ishte bërë kockë e lëkurë.
Gjatë procesit të vet, Koçi Xoxe i vënë tashmë në akuzë, pohonte se; “Për Galip Hatibin, Vaska (Koleci) më tha se ishte katandisur në gjendjen mizerabël dhe kështu, edhe me vendim të Komandantit (Enver Hoxhës) u ekzekutua me një gjyq formal”. Vartësi i tij, Vango Mitrojorgji, pohonte po ashtu, se: “lidhur me përdorimin e torturave, kur hasej rezistencë, përdoreshin me të madhe torturat, derisa i arrestuari, vdiste ose tregonte”. Ndërsa në gjyqin kundër Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, akt-akuza përmend se; “Nga provat dhe faktet e grumbulluara nga organet e hetimit, janë konkretizuar shumë raste të vrasjeve të tilla, të bëra pa gjyq, me urdhër të tradhtarëve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti e Llambi Peçini. Këtu përmenden, ose siç janë vrasja pa gjyq e pastaj djegia në furrë nga Mihallaq Ziçishti, e Galip Hatibit të arrestuar si spiun i amerikanëve, vrasjet e kryera në Pukë, Rrëshen, Krujë, Burrel, Berat, etj.”.
Dëshmitë e personave përgjegjës, përfshijnë disa fajtorë në ekzekutimin e tij, duke thyer edhe vetë ligjet komuniste, fati i tij mbetet i paqartë, siç edhe vendi ku prehen eshtrat e tij nuk u mësua kurrë!
Pas vrasjes së Galipit, e shoqja Asamble Hatibi, njohu kalvarin e vuajtjeve bashkë me fëmijën, Durimin. Përveç pakënaqësisë që kishte kundër regjimit, që i vrau të shoqin, një akuzë tjetër që iu bë, ishte se ajo ka përforcuar fjalët për figurën e keqe morale të Enver Hoxhës. Asambleja do të arrestohej në tetor 1978 për t’u liruar në nëntor 1982.
Përveç saj, përndiqej edhe i biri. Ndonëse i talentuar në futboll, ai u la të punonte në ndërmarrjen gjeologjike. “Është tepër korrekt, tepër i mbyllur, por në gjoksin e tij zien një vullkan. U këshillua”, shkruan Sigurimi për të.
Sigurimi pranon manipulimin
Oficeri i lartë i Sigurimit, Vango Mitrojorgji, i marrë i pandehur pas arrestimit të Koçi Xoxes, në një autokritikë që bën, zbardh mënyrën e vdekjes së Andrea Zisit. Andrea kish qenë komunist i orëve të para, themelues i “Grupit të Zjarrit”, grup komunist i themeluar në Athinë dhe që në vitet e para, në përplasje me komunistët, që do të merrnin pushtetin. Në kujtimet e Koço Tashkos, Zisi përmendet për lidhjet e tij me komunistët grekë dhe po ashtu, si sabotator që ka bashkëpunuar me Mustafa Krujën. Oficeri i Sigurimit, Vango Mitrojorgji, zbardh mënyrën si vdiq. “Di se kur kam qenë në D.P.M., Vaska ka urdhëruar për të ekzekutuar një farë Andrea Zisi, të cilin e ka ekzekutuar kapiten Kapo Kapaj. Këtë e kanë maskuar, se gjoja iku nga makina”.
Dënimi i tri grave
Liri Gega, Dhora Leka dhe Selfixhe Broja, (Ciu), u dënuan të akuzuara se kishin lidhje me zbulimet jugosllave. Jetët e tyre qenë krejt të ndryshme, fatet dhe vendimet që morën deri në fund, po ashtu, siç është edhe sot kujtimi për to.
Selfixhe Ciu, ishte shoqe e Musine Kokalarit, gazetare e shkrimtare, që i kish botuar shkrimet e para më 1935. Pas studimeve në Firence, ajo u kthye dhe u rilidh me grupet komuniste dhe do të internohej disa herë bashkë me të shoqin. “Ne që vumë një tullë në këtë ngrehinë që shkatërroi jetën tonë, jetën e këtij populli, ndoshta dhe i kemi merituar ato vuajtje, atë kalvar”, ka rrëfyer e bija, t’i kenë thënë Selfixhe dhe Xhemal Broja.
Dhora Leka ishte kompozitore e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare dhe krijuese e një sërë këngësh partizane. Ndërsa Liri Gega, ish-anëtare e Byrosë Politike, në luftë shumë afër Enver Hoxhës, ishte bashkëshortja e gjeneral-major Dali Ndreut, ish-Komandant i Korparmatës së Parë gjatë Luftës. Si Liri Gega, si Dali Ndreu, u dënuan me vdekje, pasi u akuzuan si “agjentë të Jugosllavisë së Titos” dhe u ekzekutuan.
Në historikun e Sigurimit të Tiranës ka një dokument që i bashkon të trija. “Të gjithë kuadro të Zbulimit Jugosllav, u vunë në lëvizje dhe vendosën në kontakt me një pjesë të agjenturës së tyre të vjetër dhe të rekrutuar të rinj, si Petro Bullati, Dali Ndreu, Liri Gega, Dhora Leka, Zija Dibra, etj. Nëpërmjet Dhora Lekës, ata u lidhën dhe me armiq të tjerë të Partisë si Bedri Spahiu, Tuk Jakova, etj…! U arrestuan personat që u vërtetua plotësisht, se ishin vënë në shërbim të jugosllavëve, si; Dali Ndreu, Liri Gega, Petro Bulloti, Zija Dibra, Dhora Leka, etj. U muarën masa internimi e dëbimi nga Tirana i një sërë elementesh me rrezikshmëri e të implikuar me zbuluesit jugosllavë, siç ishin; Pëllumb Dishnica, Nesti Zoto, Selfixhe dhe Xhemal Broja, etj., gjithsej 25 familje.
“Nga studimi i bërë nga grupet e bashkëpunimit, komisionet, rezultonin se rreth 300 veta të arrestuar ishin armiq ose dyshoheshin për veprimtari armiqësore. Ndër ta, përveç krerëve të reaksionit e kriminelëve të luftës, ishin gjeneral Mirdasi, Beqir Valteri, Estref Frashëri, Terenc Toçi, Fejzi Alizoti, aktiviteti i të cilëve dihej”.
Akuza si agjentë
Amerikanët “rekrutonin agjentët e vjetër, si; Llazar Papapostoli, Shaban Balla, Kolë Kuqali, intelektualë të degjeneruar e borgjezë, si; Gjergj Kokoshi, Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Beqir Çela, Enver Sazani, Sulo Klosi, Selaudin Toto, etj., njerëz të klasave të përmbysura, si; Shefqet Beja, Bejat, Toptanasit, etj. Klerikët Sheh Ali Pazari, Dom Shtjefën Kurti, Andon Dukagjini, Meshkalla, etj.”!
“Një veprimtari të theksuar armiqësore zhvillonte kleri. Nën pretekstin e mbrojtjes së fesë, këta propagandonin kundër pushtetit popullor. Medreseja e Tiranës dhe xhamitë, u kthyen në qendra kryesore të aktivitetit reaksionar që drejtoheshin nga ish-kryetari i komiteti./Memorie.al