Çekia është në përgatitjet e fundit përpara ndeshjes shumë të rëndësishme, që e pret të shtunën në mbrëmje në Tiranë, përballë kombëtares kuqezi.
Në prag të kësaj përballje shumë të rëndësishme për ta, kanë folur edhe dy mesfushorët e kësaj skuadre, Lucas Provod dhe Pavel Sulc.
Fillimisht lidhur me gjendjen e skuadrës dhe se si e presin këtë përballje ndaj përfaqësues tonë, ka folur mesfushori 28 vjeçar, Lucas Provod, i cili luan me Slavian e Pragës në kampionatin vendas.
“Ndjehem shumë mirë, kam lënë pas periudhën e vështirë. Shokët e skuadrës më kanë ndihmuar shumë të përmirësohem e të rikthehem sërish në formën time më të mirë. Shpresoj që kjo gjendje të vazhdoj të jetë e tillë për shumë kohë”.
Ndërkohë ndryshe nga shoku i tij i skuadrës, mesfushori 23 vjeçar që luan në kampionatin çek me Plzen, Pavel Sulc, ka kërkuar menjëherë të “ndez” situatën duke lëshuar edhe një premtim për tifozët çek, për sfidën ndaj kuqezinjve.
“Është gjithmonë mirë kur gjithçka është në dorën tonë. Besoj se mund ta përballojmë ndeshjen e të shtunës. Nuk e di si do shkojë, por rëndësi ka që i kemi gjërat në dorën tonë.
Unë jam duke luajtur një pozicion pak më ndryshe se sa luajta sezonin e kaluar. Dikur luaja thjesht si sulmues, tani luaj si 8-sh. E kam ruajtur golin për ndeshjen ndaj Shqipërisë”,
Kujtojmë që ndeshja mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke do të zhvillohet më 16 nëntor, ora 20:45. Sfidë kjo e vlefshme për raundin e 5-të të Nations League.