Ish-Zonja e Parë e Amerikës, Melania Trump, ka njoftuar se këtë vjeshtë do të publikojë librin e saj me kujtime, të titulluar “Melania”.

Ky libër i shumëpritur do të dalë në qarkullim më 1 tetor, pak para zgjedhjeve presidenciale, duke tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve anembanë botës.

Me këtë rast, Melania publikoi një video në platformën X, ku shpjegoi rëndësinë e ndarjes së historisë së saj personale.

“Shkrimi i këtyre kujtimeve për mua ka qenë një udhëtim thellësisht personal dhe reflektues”, tha ajo në video.

“Si një person që ruan shumë privatësinë, shpesh kam qenë subjekt i gjykimit publik dhe keqprezantimit, kështu që ndiej përgjegjësi të qartësoj faktet. Besoj se është e rëndësishme të ndaj këndvështrimin tim: të vërtetën”.

Libri është përshkruar si një histori të fuqishme dhe frymëzuese për një grua që ka gjetur rrugën e saj, ka kaluar mbi të gjitha vështirësitë dhe ka përcaktuar përsosmërinë personale.

Thuhet se është i pasur me histori personale dhe fotografi familjare që deri tani nuk janë ndarë me publikun.

Ky libër pritet të zbulojë histori të panjohura nga jeta e Melania-s, duke përfshirë periudhën e saj si Zonjë e Parë dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë këtij udhëtimi. Ajo shprehet se ndarja e këtyre momenteve dhe përvojave është një mënyrë për të qartësuar keqkuptimet dhe për të treguar perspektivën e saj autentike.

Melania kishte njoftuar në korrik se po përgatitej të publikonte librin me kujtimet e saj. Kjo vepër e re pritet të jetë një ndër librat më të diskutuar të vitit, duke sjellë një perspektivë të re dhe të veçantë për njërin nga personazhet më enigmatikë të politikës amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb