Akil Kraja, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka paralajmëruar një krizë të mundshme energjetike në Shqipëri, të cilën e cilëson si “të qëllimtë”, duke iu referuar nivelit të ulët të ujit në liqenin e Fierzës.

Kraja thekson se “rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metra”, që sipas tij do të thotë një kapacitet prodhimi prej vetëm 423 milion Kw/orë. Kraja tha se sipas rregullores, niveli në këtë periudhë duhej të ishte 289 metra, që do të siguronte rreth 1 miliard e 106 milion Kw/orë.

Kjo mungesë energjie sipas Krajës do t’u kushtojë taksapaguesve minimalisht mbi 80 milionë euro.
“Për të mbushur këtë mungesë nga prodhimi vendas, ministria dhe agjencitë nën përgjegjësinë e ministres Balluku do të duhet t’i adresohen blerjeve në bursë. Por siç është bërë tanimë zakon, Shqipëria e shet lirë dhe e blen shtrenjtë energjinë e saj. Mbase, edhe për të vendosur në punë sa për spektaktlin e radhës dy Tec-et lundruese të Vlorës të cilët kushtojnë çdo ditë 94 mijë dollarë dhe që kanë përthithur pa u vënë asnjë ditë në punë mbi 46 milion dollarë”- u shpreh Kraja.

DEKLARATA E PLOTË
Prej vitit 2013, fjala “krizë” ka shoqëruar çdo vendimarrje abuzive të qeverisë Rama. Termeti i vitit 2019 ishte justifikimi ideal për të mbuluar abuzimet me fondet e rindërtimit. Covid-19 u gjet si justifikim për qindra tenderë sekretë. Më herët, kriza mjedisore u përdor si justifikim ligjor e financiar për të grabitur qindra milionë euro me inceneratorët fantazëm. “Kriza” e rradhës duket se po fabrikohet në zyrat e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës drejtuar nga “krye”ministresha Balluku.

A po shkon Shqipëria drejt një krize energjetike, të qëllimtë, teksa rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metër?
Ky nivel i kuotës garanton aktualisht 423 milion Kw/orë prodhim energjie.

Sipas rregullores së digave në kaskadën e Drinit, niveli në liqenin e Fierzës duhej të ishte 289 metra, ose 22 metra më shumë se niveli i sotëm prej 267 metrash.

Në terma prodhimi, sot, sipas rregullores së digave, Shqipëria duhej të kishte 1 miliardë e 106 milion Kw/orë. Energjia e munguar nga keq-shfrytëzimi i kaskadës së Drinit është 683 milion Kw/orë. Një mungesë energjie që do t’u kushtojë taksapaguesëve minimalisht mbi 80 milion euro.

Për të mbushur këtë mungesë nga prodhimi vendas, Ministria dhe agjencitë nën përgjegjësinë e Ministres Balluku do të duhet t’i adresohen blerjeve në bursë.

Por siç është bërë tanimë zakon, Shqipëria e shet lirë dhe e blen shtrenjtë energjinë e saj. Një praktikë abuzive, që shkel çdo protokoll e proçedurë të energjisë. Një praktikë e cila është në gjenezë të krizës që po troket, e që do të përdoret si justifikim për blerje qindra milionëshe. Mbase, edhe për të vendosur në punë sa për spektaktlin e rradhës dy Tec-et lundruese të Vlorës të cilët kushtojnë çdo ditë 94 mijë dollarë dhe që kanë përthithur pa u vënë asnjë ditë në punë mbi 46 milion dollarë.

Kjo është arsyeja e vërtetë përse pensionet në Shqipëri nuk rriten. Nën justifikimin e krizave te njëpasnjëshme, taksat e qytetarëve shkojnë për të financuar fushata shit-blerje votash, drejtorë sipërmarrës, e propaganda të gënjeshtërta. Një vjedhje e përditshme në gjëndjen e krizës së përhershme. Kjo situatë duhet të marrë fund. Qeveria teknike është e vetmja rrugëdalje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb