TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda ka deklaruar sot se ligji për hapjen e dosjeve do të mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe ish-studentët e dhjetorit. Në një postim në faqen e saj në Facebook, Doda ka qetësuar miqtë e saj duke u shprehur se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga iniciativa dhe se tashmë projektligji i lustracionit ndodhet në Kuvend, ndërsa ka theksuar se spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq duhet të largohen.

 

“Të dashur miq! Ju falënderoj nga zemra për mesazhet tuaja mbështetëse. Asnjë shqetësim!!! Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin sot është në kuvendin e Shqipërisë dhe do mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe studentët e dhjetorit. Asnjë tërheqje! Spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq duhet të largohen se kanë çerek shekulli që i marrin frymën këtij vendi”, ka shkruar Doda në FB.

 

Më tej ajo u ka bërë thirrje mbështetësve të bashkohen me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, 8 dhjetorin, për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të projektuar një të ardhme ndryshe.

 

“Pas disa ditësh do kemi mundësi të festojmë së bashku 8 dhjetorin. Le ta kthejmë në një ditë reflektimi mbi të kaluarën dhe të gjejmë së bashku rrugën e së vërtetës duke projektuar një të ardhme larg dhunës, paligjshmërisë, korrupsionit dhe klientelizmit. E ardhmja duhet të ndërtohet ndryshe!”, është shprehur deputetja e PD-së, Mesila Doda.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb