TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda ka reaguar sot për propozimet e Avokatit të Popullit për ndryshimet në kodin e familjes. Doda e ka quajtur marrëzi dhe atentat të pastër kundër vlerave të familjes dhe kundër modelit që Zoti krijoi mbi tokë.

“Ndoqa me shqetësim propozimet dhe deklaratën e Avokatit të Popullit, Igli Totozani, i cili kërkon të fusë bashkëjetesën gay në kodin e familjes si edhe përkufizime të reja të identitetit gjinor. Pa asnjë mëdyshje a hezitim, deklaroj se kjo marrëzi është atentat i pastër kundër vlerave të familjes dhe kundër modelit që Zoti krijoi mbi tokë dhe që shoqëria dhe institucionet kanë detyrë ta ruajnë dhe ta promovojnë, që konsiston në modelin e bashkimit burrë dhe grua dhe gjithë brezave që rrjedhin prej tyre”, ka shkruar Doda.

Ajo shton se një strategji e tillë, nuk është e pamenduar, por rrjedhojë e një lobimi të fuqishëm politik pro-gay egzistues për fat të keq në gjithë institucionet politike dhe vendimmarrëse, shqiptare dhe europiane.

“Që askush të mos mundohet të krijojë insinuata të kota, nuk kam asnjë ndjenjë negative a urrejtje nga LGBT, por besoj fort se modeli që shoqëria jonë duhet të mbështesë është modeli i familjes dhe i bashkimit burrë-grua, si modeli i vetëm që siguron të ardhmen e shoqërise njerëzore”, ka thënë deputetja e PD.

Doda ndërkohë i ka kërkuar Avokatit të Popullit të merret me shqetësimet e qindra familjeve që sipas saj po vuajnë nga arbitrariteti i një shteti të dhunshëm.

“Ndërkohë i kërkoj avokatit të LGBT që të merret seriozisht me shqetësimet për mbijetesë që kanë ato qindra mijëra familje shqiptare që po vuajnë nga arbitrariteti i një shteti të dhunshëm dhe policor, të interesohet për të drejtën e jetës dhe të dinjitetit njeërzor që po nëpërkëmbet çdo ditë përpara syve të Totozanit.

Mesila Doda është figura e dytë e Partisë Demokratike që del kundër AP për ndryshimet në kodin e familjes për LGBT.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: