TIRANE- Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, nënshkruan sot urdhrin e përbashkët për ngritjen e një njësie të përbashkët të dy institucioneve për kontrollin e kontenierëve në Portin e Durrësit. Me anë të këtij urdhri është vendosur funksionimi dhe përcaktimi i procedurave standarde të punës së kësaj njësie.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Këshilltari Rajonal i Programit EXBS të SHBA-ve, Alan C. Theriault dhe Koordinatorja e Projektit nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Ela Banaj. Nënshkrimi i këtij urdhri të përbashkët është në vijim të analizës 1-vjeçare të zhvilluar pak kohë më parë mbi funksionimin e Njësisë së Përbashkët të Kontrollit të Kontenierëve në Portin e Durrësit në kuadër të zbatimit të Programit Global të Kontrollit të Kontenierëve.

Ky projekt i udhëhequr nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), prej 1 viti është prezent edhe në Doganën Shqiptare në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Për të përmirësuar mirëfunksionimin dhe përmirësimin e punës së kësaj njësie të përbashkët kontrolli në Portin e Durrësit u pa e arsyeshme nënshkrimi i këtij urdhri të përbashkët ndërinstitucional mes Doganës Shqiptare dhe Policisë së Shtetit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb