SHKODER- Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar vendosjen e sekuestros preventive për 25 mijë m2 tokë në zonën e Razmës. Toka kryesisht masiv pyjor ndodhet në zonën e Malësisë së Madhe. Gazetari Senad Nikshiqi raporton për ‘BalkanWeb’ se kërkesa e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër që regjistroi procedimin penal në mars 2016 është pranuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër në 25 prill 2018.

“Sektori i Hetimit të Veprave Penale në fushën e krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionin në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër kërkoi vendosjen e sekuestros preventive mbi rreth 25 000 m2 tokë e llojit pyll, në Razëm të Malësisë së Madhe”, njofton Prokuroria. Prokuroria bën me dije se vendimet e komisionit të Kthimit të Pronave për ish-pronarët janë të falsifikuara për rreth 52 mijë m2 tokë.

“Kjo sipërfaqe ndodhet ende e regjistruar në favor të përfituesve të vendimit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve. Hetimet treguan se vendimet e Komisioni të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, Rrethi Malësi e Madhe, me anë të të cilëve janë kthyer 53 906 m2 tokë e llojit pyll në Razëm, janë të falsifikuara”.

Vazhdojnë hetimet për funksionarët publikë që kanë dhënë këto vendime si dhe përfituesit të pasuritë në mënyrë të paligjshme për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuara nga neni 287 i Kodit Penal.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb