Nga: OLA MITRE

TIRANE- Personat që janë në dije ni ose zotërojnë doku mente të ish-Sigurimit të Shtetit apo kopje ose dublikata të tyre, duhet t’i dorëzojnë ato pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë që, çdokush që shkel këtë detyrim ligjor do të gjobitet me 100 mijë -200 mijë lekë. Gjithçka përcaktohet në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili është botuar dje në Fletoren Zyrtare e hyn në fuqi pas 15 ditësh.

Sipas ligjit, çdo person fizik dhe juridik privat i dorëzon menjëherë autoritetit, me kërkesë të tij, dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që zotëron, si dhe kopje apo dublikata të tjera, kur këto nuk janë në pronësi të personit fizik apo juridik privat. Vërtetimi i pronësisë i takon personit fizik ose juridik privat.

Gjithashtu, ligji saktëson se në pronësi të personit fizik apo juridik privat do konsiderohen dokumentet që personi fizik apo juridik i ka përgatitur vetë në bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit. Ndërkohë që, kur dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, rezultojnë në pronësi të personit fizik apo juridik privat, ky i fundit i vë ato në dispozicion të autoritetit për të përgatitur kopje ose dublikata të tyre. Dorëzimi i këtyre dokumenteve nga personat fizikë dhe juridikë, krahas rrjetit arkivor, është një nga mënyrat që parashikon ligji për identifikimin e dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit, me qëllim hapjen e dosjeve.

INFORMIMI
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, do të jetë organi përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to. Sipas ligjit, për t’u informuar për këto dokumente, personat e interesuar duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë autoritetit. Ndërkohë që, për çdo detaj në lidhje me këtë proces “Gazeta Shqiptare” zbardh një nga kapitujt më të rëndësishëm të tij e konkretisht “E drejta për informim dhe vënia në dispozicion e dokumenteve”, ku përfshihet e drejta për informim e të prekurve, palëve të treta, bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të favorizuarve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb