U duk sikur pranvera ishte afër. Ishin shumë ata që folën, që ngritën krye. Enver Hoxha u tremb. Pas gati 12 vjetësh që ai qeveriste me grusht të fortë, pozitat e tij po lëkundeshin. Ishte prill 1956 dhe po zhvillohej ajo ngjarje, që mbeti në histori si Konferenca e Partisë e Tiranës.

Një konferencë që u karakterizua nga një frymë e lartë kritike ndaj politikave shtetërore, por pasojat për kritizerët do të vinin paskëtaj: heqje nga partia, arrestime, burgosje… Me një titull domethënës historiania Ana Lalaj e ka titulluar veprën e saj, që i kushtohet pikërisht kësaj ngjarjeje: “Pranvera e rrejshme e 56­ ës”, dedikuar “Për ata që guxuan” e hapur me dy vargje të Kadaresë: “Frutat e hershëm e kanë çmimin e shtrenjtë, por frutat e hershëm i rrëzon shpesh ngrica”. Historiania, me një punë skrupuloze merr përsipër të zbardhë këtë ngjarje.

Çfarë ndodhi në ditët e Konferencës, cilët ishin kritizerët, pyetjet mbi gjendjen politike dhe ekonomike të vendit, qëndrimi që mbajti Enver Hoxha, roli i këshilltarëve sovjetikë që ndodheshin në Shqipëri e më pas masat e marra nga Enver Hoxha. Këtë atmosferë të nderë Lalaj e sjellë përmes një analize të thellë dhe të një korpusi të gjerë dokumentesh të kohës.

“Çfarë do të thotë për historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë Konferenca e Partisë e Tiranës, prill 1956? Përpjekje për vetëreformim në botën komuniste dhe iluzione në Tiranë. konferenca si një lëvizje kritike në parti, apo lëvizje e fshehtë për të përbysur udhëheqjen e partisë, siç e ka paraqitur historiografia komuniste shqiptare? Versionet për manipulim të konferencës nga jugosllavët, por edhe nga sovjetikët. Ishte apo jo konferenca disidencë komuniste?”.

Këtyre hipotezave dhe pyetjeve, Lalaj i jep përgjigje në veprën e saj, botim i “Infbotues”. Në pjesën e parë të librit ajo rendit ngjarjet, ndërsa në të dytën na sjell dokumente që lidhen me këtë ngjarje. Janë procesverbale mbledhjesh, informacione “sekrete”, raporte, të cilat na nxjerrin në vetë të parëfigurat kryesore të kohës, që nga Enver Hoxha, i cili e konsideroi edhe si një sulm personal atë çka ndodhi në konferencë, tek Mehmet Shehu, Liri Belishova, Hysni Kapo, Beqir Balluku, etj.

Përmes këtyre dokumenteve shpaloset teatri politik i kohës, në të cilat vendosej për fatet e sa e sa figurave të rëndësishme të PPSH­së. Një ndër këto dokumente është edhe ai që lidhet me arrestimin e Bedri Spahiut. Të gjithë e pranojnë, edhe Enver Hoxha, se nuk kishte asnjë fakt që vërtetonte se pas Konferencës së Tiranës ishte pikërisht ai dhe për të justifikuar këtë veprim të pambështetur, duhej një alibi. “E arrestuam sepse donte të vriste veten”, do të thoshte Enver Hoxha. Nuk kishte fakte as për Tuk Jakovën, por ama partia vendosi t’i transferojë, njërin ta lironte e ta çonte në berat, tjetrin në Elbasan…

NGA LIBRI
Bedriun e arrestuam nga frika se mos vriste veten Të gjithë kritikët në Konferencën e Tiranës dhe në organizatat e Partisë e kanë veçuar rehabilitimin e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut si shenjë reflektimi të pritshëm në frymëne Kongresit XX të PK të BS. Dihet se kjo kërkesë jo vetëm nuk u solli atyre rehabilitimin, por i çoi ata në pranga, gjoja si organizatorë në prapaskenë të konferencës. Materiali i mëposhtëm, ndër të tjera, tregon si Bedri Spahiu, anëtar i Byrosë Politike, ministër i Arsimit, ishte arrestuar më herët, qershor 1955, pa prova penale.

Marrë me shkurtime nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të Partisë Tiranë, më 2­ qershor 1955

Sh. E. Hoxha: Tani, çështja e Bedriut. Si do të bëjmë, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë. Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili më tha: “Po ç’do ta bëni, se po ta mbani brenda do ta çoni edhe në gjyq, dhe po të vejë atje duhen prova gjyqësore”. Unë i thashë se kemi vetëm prova partie, se të tëra të tjerat i mohon.

As Tuku nuk na ka thënë gjë, se po të thoshte Tuku që “kërkonim të rrëzohej kjo byro”, atëherë do të ishte gjë tjetër. Tani ne e morëm këtë masë, pasi gjykuam se Bedriu dha shenja se do të vriste veten dhe do të bëhej skandal. Vendimi i KQ ishte të përjashtohej nga partia dhe t’i jepnim edhe punë. Po edhe sikur të vrasë veten, tha Tishenko, e ç’u bë” Një njeri që është armik, le të vrasë veten! Pastaj, po të dojë ai, edhe në burg mund ta vrasë veten. Populli do të pyesë se përse e vrau veten, por sido që të jetë ai do të marrë vesh, se kjo çështje do të shtrohet në parti. Unë bisedova dhe me Gjovalin Lukën. Ai ka bërë një letër në të cilën kërkonte të bisedonte me mua për disa çështje, sepse, sipas tij, tek ne ka shovinizëm, ka krahinorizëm në punën me kuadrin, si dhe në KQ ka shokë që nuk punojnë mirë…”

Sot gruaja e Govalinit ti telefonoi Haxhiut (Kroit) dhe i tha se Gjovalini po çmendet dhe se është e drejtë ajo që thotë Komandanti. Tishenko tha se Gjovalinit i duhet hequr imuniteti dhe tani duhet të vendosim për të. Po këtë çështje ne duhet ta ndjelim me kujdes.

Sh. M. Shehu: Gjovalinin duhet ta heqim edhe nga shoqëria e Miqësisë.

Sh. E. Hoxha: E kuptoj çfarë ju kanë bërë jugosllavët, tha Tishenko. Këta ju kanë ndjekur, po në këto gjëra duhet gjakftohtësi. Ja si ka vepruar KQ i Partisë sonë. Komiteti ynë Qendror e dinte që Bagirovi ishte përzier me çështjet e beries, po nuk e arrestoi. Pas 7­8 muajsh dolën fakte dhe fap e kapën dhe në burg. Edhe për këta, me siguri, kanë për të dalë fakte.

Sh. M. Shehu: Pastaj ne situatën e kemi në dorë, të mos i arrestojmë tani. Sh. E. Hoxha: Këto ne i konsiderojmë kokëçarje, duhet t’i ndjekim me kujdes se deri ku ka qenë e organizuar kjo punë dhe ta neutralizojmë. Po situata jonë tani është shumë më e fortë se më 1948. Këtu kini kujdes, sidomos në qëndrimin e përgjithshëm karshi jugosllavëve. Ai (Tishenko) më këshilloi që në bllokun “Shënime për agjitatorët” të shpjegojmë çështjen jugosllave thjeshtë e qartë, në mënyrë që agjitatorët e Partisë të kenë materiale dhe të orientohen në propagandën e tyre. Pastaj korrespondenti i “Pravdës” më dha për të bërë një artikull. Mirë është ta bëj dhe them se kjo orienton dhe ndihmon. Për s ai përket punimiy të kësaj çështjeje në parti, ai ishte dakord të bëhen plenumet në qarqe, ku mund të thërriten edhe kuadrot kryesore. Kështu të bëhet edhe në rrethe…

Tani kthehemi tek çështja e Bedriut. Ia thamë se ai e ka plot kupën. Ky njeri ka menduar plotësisht se do të arrestohej. Përpara, si duket, unë do t’i kem dhënë libra dhe në mes tyre ka qenë një libër i Antonio Gramshit, “Lettere dal carcere”, që më është dedikuar nga një italian që ka ardhur në Shqipëri.

Si duket, këtë libër e ka pasur në shtëpi dhe e sjell në çantë ditën e fundit të plenumit, të premten në mëngjes dhe i tha Haxhiut: Na, jepja Komandantit. Me këtë ai ka dashur të thotë që ja, unë jam Gramshi dhe ju jeni fashistët që më arrestuat. Përpara se të arrestohej nuk mori rrugën të shkonte tek automobili, por priste në sallë, domethënë ishte i përgatitur për këtë gjë. Si mendoni tani, ta lëshojmë?

Sh. G. Nushi: Nedon (bashkëshortja e Bedri Spahiut) e thirra unë dhe i thashë ku ndodhej Bedriu. Korba unë! Tha ajo. I kisha thënë, shiko Partinë. Ishte shumë e shqetësuar.

Sh. H. Kapo: Nedo e dënon qëndrimin e Bedriut dhe nuk e di do të shprehë dot urrejtje karshi tij. Ajo tha se gjatë këtij plenumi ai nuk ishte përgatitur fare, si herët e tjera.

Sh. B. Balluku: Gogo i tha Nedos që Bedriun e arrestuam se mos të vriste veten.

Sh. M. Shehu: Tuku, përpara se të largohet nga Tirana, do të vijë në organizatën bazë për të dhënë llogari?

Sh. R. Marko: Ky është rregull partie, duhet të vijë.

Sh. G. Nushi: Të ikë njëherë dhe pastaj të vijë prapë.

Sh. M. Shehu: Po të jetë ashtu, atëherë duhet t’i gjejmë menjëherë punë, që nesër. Po në çfarë pune mund të vendoset. Kushdo nga ne mund ta emërojë, por unë mendoj që më mirë të jetë në Berat. Atje është ndërmarrja e industrisë lokale dhe e zdrukthëtarisë. Tani të mendojmë, ta bëjmë drejtor të ndërmarrjes apo shef reparti me 4 mijë­4 mijë e 500 lekë rrogë dhe Mita (Jakova) të emërohet mësuese në ndonjë nga shkollat 7­vjeçare. Tani rroga të mos u ndërpritet. Pastaj të marrim masa që t’u japim një pjesë minimale të plaçkave të tyre.

Sh. L. Belishova: Ç’plaçka të tyre kanë, ata le t’i marrin, kështu edhe Bedriu. Në rast se Bedriun e lëshojmë, duhet t’i gjejmë menjëherë punë, po kështu edhe Nedos. Si të dalë Bedriu nga burgu, menjëherë në kamion dhe ta dërgojmë nga Tirana për në Elbasan ose në Korçë.

Sh. R. Marko dhe Sh. B. Balluku (në një gojë): Më mirë në Elbasan.

Sh. M. Shehu: T’i gjejmë punën përpara dhe pastaj ta lëshojmë.

Sh. E. Hoxha: Llogaritar në ndonjë ndërmarrje tregtare. Ai njeri i kartave është dhe për çështje të hollash ai është treguar i ndershëm.

Sh. M. Shehu: Për këtë çështje të ngarkojmë Ritën, mendoj unë.

/Panorama/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: