Erion Veliaj ka firmosur nga qelia shkarkimin e kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanin, rreth 1 muaj pasi asaj iu delegua detyra.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Dokumenti i firmosur nga Veliaj mban datën 18 mars 2025.
Në dokumentin e firmosur nga kryebashkiaku Veliaj, të cilin e ka siguruar BalkanWeb, detyra e kryetares së komanduar i delegohet shefes së kabinetit, Sara Goxhaj.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 8 pika 2, neni 59 pika “I”, pika “3” të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të neneve 22, 28 dhe 29 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Rregullores me nr. 46111 datë 29.12.2022 për “Miratimin, Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Strukturave të Institucionit të Bashkisë Tiranë”,
URDHËROJ:
Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.
Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet.
Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit me Qytetarët, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe njoftohet në stendën e afishimeve publike të Bashkisë Tiranë.
KRYETARI
Erion Veliaj
***
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK mesditën e 10 shkurtit me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Gjyqtari i GJKKO Erjon Bani e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Veliajt në 12 shkurt. Ndërsa me vendim të Apelit të Posaçëm, gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi kërkesën e Veliajt në 11 mars, për lirim kundrejt garancisë pasurore.
(BalkanWeb)