“Judicial Watch” ka siguruar një material prej 32 faqesh i cili tregon të dhëna se administrata e Presidentit Barak Obama i dërgoi fondet e taksapaguesve të SHBA-së tek një grup i mbështetur nga miliarderi Xhorxh Soros, i cili i përdori paratë për të financuar aktivitetet politike të së majtës në Shqipëri, duke përfshirë edhe punën me qeverinë socialiste për të nxitur edhe më shumë reformën në drejtësi.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2018/04/JW-v-State-Soros-Albania-01012-3.pdf”]

Të dhënat gjithashtu detajojnë mënyrën sesi aktivitetet e Soros ndihmuan Departamentin e Shtetit që të rishikojnë aplikimet për grante nga grupe të tjera të fondeve nga taksapaguesit.

Të dhënat u gjetën në një padi të 26 majit 2017, i Aktit për Lirinë e Informacionit (FOIA) kundër Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), pasi të dy nuk arritën t’u përgjigjen më 31 mars 2017 kërkesave të parashtruara.

Dokumentet e reja tregojnë se fondet e USAID-it u kaluan përmes projektit të Shoqërisë Civile të Agjencisë për të mbështetur fondacionet e krahut të majtë në Shqipëri, veçanërisht përpjekjet e operacionit Soros për t’i dhënë qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi drejtësinë. Thuhet se USAID ka dhënë 9 milionë dollarë në vitin 2016 në fushatën “Drejtësia për të gjithë”, e cila mbikëqyret nga “East West Management Institute” i Sorosit.

Në mars të vitit 2017, një grup prej gjashtë senatorësh amerikanë të udhëhequr nga Mike Lee, i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të atëhershëm Rex Tillerson, duke i kërkuar që të hetojë akuzat se qeveria amerikane po përdorte fondet e taksapaguesve amerikanë për të ndihmuar Sorosin në Shqipëri.
“Fondacioni Shoqërisë së Hapur – Shqipëri dhe ekspertët e saj, me financim nga USAID, kanë krijuar dokumentin e diskutueshëm Strategjik për Reformën shqiptare në Gjyqësore. Disa liderë besojnë se këto ‘reforma’ kanë për qëllim t’i japin Kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi gjyqësorin”, thuhet në letër. Në parlamentin shqiptar, liderët e opozitës e kanë quajtur Strategjinë “një reformë e sponsorizuar nga Soros”.

Të dhënat e reja të publikuara nga “Watch Judicial” përfshijnë një memorandum të vitit 2016 nga Ambasada Amerikane në Tiranë, i cili zbulon se ajo “sponsorizoi” një sondazh së bashku me “Fondacionin e Shoqërisë së Hapur” të Sorosit për të matur “njohuritë, mbështetjen dhe pritjet e qytetarëve shqiptarë për reformën e drejtësisë”.

Sondazhi i grupit Soros raportoi se “91% e të anketuarve ose ‘mbështesin plotësisht’ ose ‘e mbështesin disi’ nevojën për reformën në drejtësi”. Por sondazhi nuk specifikon llojin e reformës që grupi Soros po kërkon.

Gjithashtu, të dhënat që datojnë në shkurt 2017 tregojnë se Departamenti i Shtetit ka përdorur fonde të tatimpaguesve për të bashkëfinancuar një sondazh të dytë me “Fondacionin e Shoqërisë së Hapur” mbi reformat në drejtësi, që në thelb do të ngurtësonin kontrollin e majtë të qeverisë shqiptare.

Raporti vë në dukje se Seksioni i Marrëdhënieve Publike të ambasadës amerikane dhe “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur” i siguruan fonde një organizate lokale për të kryer një sondazh të opinionit publik mbi qëndrimet ndaj përpjekjeve të Reformës në Drejtësi.

Dokumentet gjithashtu tregojnë se Departamenti i Shtetit i dha organizatës Soros të dhëna të drejtpërdrejta për rishikimet e veta të financimit të programeve në Shqipëri. Po kështu më 10 shkurt 2017, raporti “Angazhimi me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë” thekson se “si një nga ofruesit më të mëdhenj të ndihmës në Shqipëri, shpesh nga përfaqësuesit e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur kërkohet të marrin pjesë në shqyrtimet teknike të aplikimit që ne marrim për financim”.

Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i administratës së Obamës, ka qenë i lidhur ngushtë me Sorosin dhe qeverinë socialiste në Shqipëri. Në maj 2017, Lu ndihmoi të minojë planet e partive opozitare shqiptare për të protestuar ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke deklaruar se SHBA do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve edhe në qoftë se partitë e opozitës refuzonin të merrnin pjesë. Lu është përshkruar në shtypin e SHBA si “një forcë shtytëse prapa e reformës në drejtësinë e Shqipërisë”.

“Administrata e Obamës kaloi në heshtje të paktën 9 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me mbështetjen e miliarderit të krahut të majtë George Soros për qeverinë socialiste në Shqipëri. Është mizore që Departamenti i Shtetit lejoi veprimtarinë Soros që të ndihmonte grupe të tjera me fondet e drejtpërdrejta të taksapaguesve amerikanë”, tha presidenti i “Judicial Watch”, Tom Fitton.

“George Soros është një miliarder, dhe ai nuk duhet të marrë mbështetjen e taksapaguesve për të avancuar axhendën e tij radikale të majtë, duke minuar lirinë si këtu brenda SHBA, ashtu edhe jashtë vendit”.

Për raste të ngjashme, “Judicial Watch” kërkon informacion në lidhje me aktivitetet e Soros në Maqedoni, Rumani dhe Kolumbi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb