TIRANE- Historiani dhe studiuesi Kastriot Dervishi, ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, i cili u bë protagonist i debatit mediatik për lidhjet e panjohura të Nexhmije Hoxhës me Partinë dhe regjimin fashist, ka sjell sot disa fakte të reja në lidhje me ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, pjesë e regjimit ‘fashist’ dhe komunist. Me anë të një statusi në rrjetin social ‘Facebook’ Dervishi thekson se në vitin 1941 Aranit Çela kërkonte të punësohej në administratën e fashizmit.

Ndër të tjera historiani shton se ndonëse Çela ia doli të bëhej prokuror e gjykatës, ndërsa shtoi se nuk e pati të vështirë të akuzonte kot më kot si “fashistë” e “tradhtarë” qindra e qindra kundërshtarë të regjimit komunist.

“Në vitin 1941, Aranit Çela në vend që të merrte armët e të luftonte okupatorin që kish zaptuar vendin, bënte kërkesa për t’u përfshirë në administratën e pushtuesit. Kjo është kërkesa që Aranit Çela i bën Ministrisë së Drejtësisë për të marrë pjesë në konkursin e nënsekretarëve gjyqësorë. Kërkesën e ka shkruar me seriozitet maksimal, madje nuk ka harruar të shënojë as vitin e 19-të fashist. Sipas të dhënave të tjera, nuk rezulton që Çela të jetë shpallur fitues në këtë konkurs. Nëse do kishte fituar, do regjistrohej menjëherë në Partinë Fashiste. Megjithatë, Aranit Çela ia doli të bëhej prokuror e gjykatës, pa pasur pikën e turpit të akuzojë kot më kot si “fashistë” e “tradhtarë” qindra e qindra kundërshtarë të regjimit komunist.”, citohet në reagimin e Dervishit. Po ashtu, Kastriot Dervishi ka publikuar një kërkesë në Prokurorinë e Vlorës për konkursin e nënsekretarëve Gjyqësor.

Çela ka qenë kryetar i Gjykatës së Lartë për shumë vite në sistemin komunist, por mbi të gjitha ai ka qenë kryetar i trupës gjykuese në proceset më të rëndësishme politike, që nga grupet armiqësore brenda partisë dhe qeverisë e deri te dënimet politike për krime kundër shtetit, propaganda dhe agjitacioni apo dhe arratisjet jashtë vendit.

KËRKESA
Me ndërmjetësin e P.T Prokurorisë së Shtetit
Vlorë
P.T
Ministrisë së Drejtësisë
Zyrës së Regjistrimit të Gjendjes Gjyqësore
Tiranë
Parashtroj se për të marrë pjesë në konkursin e Nën Sekretarëve Gjyqësor më nevojitet dhe certifikata e penalitetit.
Me qenë se shënimet rreth identitetit janë të shënuara në modelin e bashkangjitur.
Pra:
Lutem që si të bëhen kërkimet e duhura të më lëshohet certifikata në fjalë dhe meqenëse dokumentet me kërkesën, datën e sotme, ja kam referuar P.T Ministrisë së Drejtësisë. Lutem gjithashtu që dëshmia e penalitetit të dorëzohet në Sekretarin e Ministrisë për tu bashkuar me akt.
Vlorë, më 17 mars, 1941.
Nderime
(Aranit Hysni Cela nga Vlora)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb