Partia e Lirisë mbështet kërkesën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin që i detyron ata të punojnë në Shqipëri pesë vite pas mbarimit të universitetit.
Deputetja e kësaj partie, Erisa Xhixho ka publikuar një dokument, ku bashkë me dy kolegët e saj, Monika Kryemadhin dhe Petrit Vasilin, ku shprehin mbështetjen e tyre pranë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit përkatës të ligjit.
Reagimi i plotë:
Deputetët e Partisë së Lirisë mbështesin kërkesën e studentëve të mjekësisë për shqyrtimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.
Mbështetje të plotë për studentët e mjekësisë, të cilëve në mënyrë antikushtetuese, të padrejtë dhe pa u dhënë mundësinë të dëgjohen, qeveria vendosi t’u marrë peng diplomën për pesë vjet pas përfundimit të studimeve.
Kemi qenë në krah të kërkesave të tyre të drejta që në krye të herës dhe kemi këmbëngulur që zëri i tyre të dëgjohet, ndaj sot firmosëm kërkesën për ta çuar ligjin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Një qeveri që injoron dramën e emigracionit të trurit, nuk mund ta zgjidhë atë me ligje që shkelin të drejtat e mjekëve të ardhshëm.