Memorie.al publikon dokumentet sekrete te vitit 1974 me korrespondencën në mes Komitetit Qëndror të PPSH-së të firmosur nga Hysni Kapo dhe sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, me Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, lidhur me letrën e oficerit të kufirit, Koço Danaj, dërguar kabinetit të Enver Hoxhës ku i kërkonte që të ndaloheshin dhe të hiqeshin nga qarkullimi disa filma të huaj si “Rrëfimet e komisarit të policisë”, “Gruaja më e bukur” etj., dhe disa libra si….

Nga Dashnor Kaloçi
Brezi i shqiptarëve që kanë qenë në moshë të rritur në fillimin e viteve ’70-të e kujtojnë fare mirë se si thyheshin sportelet e biletave dhe dyert e kinemave në mbarë vendin kur shfaqeshin filma të huaj, si p.sh. ato të regjisorit të famshëm italian, Damiano Damiani, “Gruaja më e bukur” (La moglie piu bella) të interpretuar nga aktorja Ornela Muti, (asokohe 14 vjeçare) në rolin e Françeska Çimarozës dhe Alesio Orano në rolin e Vito Juvarës, apo “Rrëfimet e Komisarit të Policisë”, ku rolin kryesor e interpretonte i madhi Franko Nero, (dhe në role të tjera, Martin Balzam e Mariku Toro), filma të cilat bënë një bujë të madhe dhe u pritën me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku artdashës shqiptar edhe për faktin se në qendër të filmit ishte mafia italiane e asaj kohe.

Por shkëlqimi i këtyre filmave nuk zgjati shumë dhe u venit shpejt, pasi papritur aty nga fundi i vitit 1974, si me magji, ato u zhdukën përgjithmonë nga qarkullimi për të mos u shfaqur më kurrë në kinematë shqiptare, ku bashkë me sportin, pothuaj ishin të vetmet argëtime apo më saktë “frëngjitë” e vogla nga ku mund të shikohej pak bota e jashtme nga ai realitet i izoluar dhe mbyllja në të cilën e kishte futur vendin udhëheqja e lartë komuniste me në krye Enver Hoxhën.

Edhe pse në vitet që pasuan regjisori i famshëm italian me përmasa botërore, Damiano Damiani, do të ishte përsëri “mysafir” në Shqipërinë komuniste me filmin “La Piovra” të interpretuar në rolin kryesor nga aktori i jashtëzakonshëm, Mikele Plaçido, filmat e tij “Gruaja më e bukur” dhe “Rrëfimet e komisarit të policisë” do të mbeteshin si një kujtim i bukur i së shkuarës dhe në memorien e të rinjve të asaj kohe nuk do të fshiheshin lehtë portretet e aktorëve Ornela Muti, Alesio Orano, Franko Nero etj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Po ç’ kishte ndodhur me këta filma dhe përse ata nuk u shfaqën më në kinematë shqiptare ku vazhdohej të bëhej “rituali” me filma të huaja dhe ata italian gjithashtu?! Të vërtetën e kësaj, pra të ndalimit të dy filmave të Damianit që asokohe po shkëlqente me mjeshtërinë e tij në Europën e uritur për kinemanë italiane, as sot e kësaj dite nuk e di njeri, pasi, pothuaj të gjithë ata që morën vendimin për ndalimin e atyre filmave, tashmë prej vitesh janë ndarë nga kjo jetë.

Por për fat të mirë, i vetmi dëshmitar që jeton ende, është pikërisht personazhi që u bë shkas, apo më saktë ai që i “zhduku” ato dy filma nga qarkullimi, dhe bashkë me to edhe filmin rumun “Shën Tereza dhe djajtë”, (të regjisorit të famshëm, Serxhu Nikolaesku ku rolin kryesor e interpretonte, aktorja, Reka Nagi, nga pakicat e minoritetit hungarez), filmin televiziv serial, prodhim çekosllovak, “Kapiteni Klos”, (titulli origjinal, “Çmimi më i lartë se jeta”), si dhe disa libra “të verdhë” si “Qeni i verdhë” (i autorit Zhorzh Simeon), etj.

Ai është Koço Danaj, me origjinë nga Tepelena, personazh publik mjaft i njohur pas viteve 90-të si publicist e studiues, por edhe i mjediseve politike si kryetar i një partie të vogël, i cili në vitin 1974 kur shërbente si oficer për Kufirin (sekretar rinie), në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, i dërgoi një letër Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës, ku i kërkonte ndalimin e filmave dhe librave të sipërcituar.

I diplomuar atë vit në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe me një formim e bagazh kulturor për t’u pasur zili, (kryesisht për njohuritë e tij në letërsinë dhe kinematografinë botërore), por edhe i indoktrinuar jashtë mase, në letrën e tij dërguar në adresë të kabinetit të Enver Hoxhës, Koço Danaj, ka analizuar me detaje se përse ato filma dhe libra nuk kishin vend në Shqipërinë Socialiste. Pra sa më sipër, duket se nuk ishte vetëm regjimi komunist me institucionet përkatëse të propagandës që “i bënin sytë katër” për të mos “depërtuar ideologjia e huaj” në Shqipërinë Socialiste, por “roje vigjilente” bënin edhe individë të veçantë, si në rastin në fjalë, që nuk e kishin atë gjë detyrë funksionale.

Dhe si rezultat, duket se letra e oficerit të ri, Danaj, asokohe “ka zënë vend”, pasi filmat dhe librat që ai “sugjeronte” të ndaloheshin, jo vetëm u hoqën nga qarkullimi, por disa institucione që i kishin ato në varësi, si Kinostudio “Shqipëria e re”, “Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” apo Radio-Televizioni Shqiptar, patën mjaft probleme sepse i kishin lejuar apo hedhur ato në qarkullim. Jo vetëm kaq, por letra e oficerit të ri të Kufirit ishte e “kopsitur” aq “hollë”, sa vuri në siklet edhe vetë udhëheqjen e lartë të PPSH-së së asaj kohe, si Hysni Kapon, Piro Kondin, etj., saqë nuk dinin se si, ku dhe çfarë përgjigje t’i jepnin atij si autor i saj?!

Interesant është fakti se përse ajo letër nga kabineti i Enver Hoxhës nuk i është dërguar për “shqyrtim” Ramiz Alisë që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën, por Hysni Kapos, i cili mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”?! Lidhur me këto e të tjera, na njeh letra në fjalë që publikohet e plotë dhe për herë të parë në faqet e këtij libri e, gjithashtu, ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”.

LETRA E KOÇO DANAJ PER SEKRETARIN E ENVERIT, HAXHI KROI
dosje sekrete
Shoku Haxhi Kroi

Po ju drejtoj këtë letër dhe jam nisur nga dy qëllime, ndoshta mund t’i shërbej sadopak Partisë dhe së dyti për të sqaruar veten.
Problemi që dua të sqaroj ka të bëjë lidhur me zbatimin në praktikë të fjalimit të shokut Enver të 15 marsit dhe të Pleniumit të 4-të. Konkretisht e kam fjalën për disa filma që janë shfaqur në ekranet e kinemave dhe të televizionit tonë, si dhe për disa libra të përkthyera.

Me aq sa i kam kuptuar unë mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, veçanërisht mbi presionin e gjithanshëm ideologjik borgjezo-revizionist, më duket se këta filma e këto libra për ne janë të dëmshëm, por nga bisedat që kam bërë me shokët dhe me njerëz të rritur, një pjesë e mirë e tyre ma kanë quajtur mendim të gabuar. Për këtë arsye unë nuk jam shumë i qartë dhe nuk dij kam gabim apo të drejtë.

Po mundohem shkurtimisht t’ua tregoj, ashtu siç kuptoj unë, disa nga idetë e disa filmave për të cilët mendoj se janë të dëmshëm për ne dhe dëshiroj që po të ketë mundësi Partia të më sqaroj çfarë kam gabim e çfarë kam të drejtë.

Filmi “Shën Tereza dhe djajtë” është një film me anë të cilit autorët mundohen të na japin një aspekt nga lufta e popullit rumun kundër fashistëve gjermanë dhe më konkretisht episodin e shkatërrimit të një ure. Mbas zhvillimit të aksionit partizanët që hodhën në erë urën, vriten. E gjithë kjo është plotësisht e justifikueshme, por mënyrat dhe detajet që zgjedhin autorët për realizimin e një ngjarje të tillë janë të papranueshme. Duke njohur mendimet e klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia jonë, mendoj se idetë e këtij filmi bien në kundërshtim të plotë me përfytyrimin tonë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare.

Cilat janë gabimet ideologjike të filmit, duke u nisur nga pozitat e ideologjisë marksiste-leniniste?

Së pari, populli ynë ka një fjalë të urtë që thotë “Mos shiko vetëm kur derdhet lumi, por shiko edhe ku dredhon ai”. Filmi nis me një fatkeqësi të njërit prej heronjëve, e shkaktuar kjo nga dy kuaj të bardhë, e cila në fund të filmit shëndrohet në realitet.

Së dyti, morali i partizanëve dhe i partizaneve tona gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare ishte një moral i pastër dhe, duke qenë i tillë, bëri pluhur e hi parrullat reaksionare të Ballit Kombëtar dhe zagarëve të tij mbi moralin e komunistëve, kurse në këtë film me temë nga lufta, me anë të disa skemave plot nudizëm, na dalin përpara sysh aventurat dashurore të dy “komunistëve”.

Së treti, simbas mësimeve të Partisë sonë, ne e dimë se ata që ranë për atdheun çimentuan me gjakun e tyre këtë kështjellë të socializmit që ne po shikojmë sot. Për këtë arsye të gjithë ne u përkulemi me veneracion atyre dhe i mbajmë gjithmonë në zëmrat tona. Kurse në film ndodh e kundërta, një grup të rinjsh rumun “një grup qejflinjsh”, vijnë tek varri i pesë partizanëve dhe njëri prej tyre thotë se; këtu më duket se kanë rënë im atë?! Kurse mbi varr qëndronmte e varur një copë dërrasë?!(ndërsa lapidarët e dëshmorëve tanë sulmojnë qiellin).

Mund të lindi një pyetje e tillë: Ç’të keqe ka këtu? Spektatori ynë e sheh në mënyrë kritike një film të tillë duke e ndarë në një anën grurin nga egjra? Kjo është shumë e drejtë, por një film i tillë s’ka aspak grurë përveç egjrës. E dyta autorët e filmit, për mendimin tim, e kanë parashikuar një gjë të tillë dhe e kanë futur në rrjedhën e ngjarjeve një “ilegale” shumë tërheqëse që s’ka frikë të nxjerri në pah format e trupit, si dhe disa skena të poshtra me udhëheqësin e aksionit, edhe ky “komunist”. Këto autorët e filmit i kanë futur që të mos i lënë kohë spektatorit të gjykojë mbi idetë e tyre, por t’i trullosin atij mëndjen që t’i thithë këto ide pa i kuptuar.

Për këto arsye dhe duke u nisur nga lufta që i bën partia për të kalitur ideollogjikisht njeriun tonë në kushtet e rrethimit imperialisto-revizionist, mendoj se se shfaqja e këtij filmi më shumë prish punë se ndreq punë. Në një kohë kur Partia i ka dhënë grushte dërmuese fesë, këtij “opjumi” kësaj “zemre të një bote pa zëmër”, për ta çliruar njeriun nga ankthi i tmerrshëm i paragjykimeve, spektatori ynë shikon realizmin e një bestytnie fetare, në një kohë që Partia bën një luftë të madhe për të ruajtur pastër moralin dhe ndjenjat e njerëzve tanë, kur ajo mëson gjithë popullin që të karakterizohet në punë dhe në jetë nga shtatë virtutet e partizanëve dhe të partizaneve tona gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, spektatori ynë shikon skena të poshtra të kryera nga një “komunist”, në një kohë kur partia jonë porosity që, duke ecur përpara, t’i kthejmë sytë nga pas, nga ata që ranë, kur në gojën e popullit thuhet se; “kemi derdhur gjak me okë, ndaj lulëzon kjo tokë”, kur Partija dhe i gjithë populli ynë në përvjetorët e tyre të rënies belbëzojnë vargjet e famëshme, “O shokë ç’është kështu me ju, vitet tutje dhe ju tëhu”, spektatori ynë shikon një grup “horrash”, që qëndrojnë një çast atje ku kanë rënë pesë vetë, duke u ngërdheshur, ndërsa mbi varr qëndronte “një paçavure”, një copë dërrasë. Ja çfarë nderimi për të rënët.

Atëhere çfarë i duhet spektatorit tonë ky ushqim shpirtëror, kur ne kemi akoma njerëz të paformuar si duhet politikisht dhe ideologjikisht? Sipas marksizëm-leninizmit ndërgjegjia e njeriut nuk qëndron kurrë bosh, në të zë vënd ideologjia socialiste apo borgjez-revizioniste dhe me që ideologjia marksiste-leniniste nuk ka hyrë plotësisht në ndërgjegjien e shumë njërëzev, përse ta mbushin këtë boshllëk me ide të tilla që mund t’u vësh çfardo lloj emri, veç jo marksist leniniste?

“Gruaja më e bukur” është një film italian që trajton një temë sociale. Me anë të këtij filmi autorët mundohen t’u mbushin mëndjen njerëzve për të kundërtën e asaj që ndodh në kapitalizëm, mundohen ta paraqitin jetën jo siç është në të vërtetë, por siç i intereson borgjezisë monopoliste. Sipas pikpamjes së Partisë sonë, në kushtet e ashpërsimit të luftës së klasave dhe në kushtet e një krize të përgjithëshme ekonomiko-sociale, borgjezia mundohet ta zhdukë çdo liri demokratike, merr çdo masë për të ruajtur të pacënuar rendin e saj.

Të gjitha predikimet e aopologjetëve të saj mbi harmoninë e këtij rendi, mbi mirëqënien dhe liritë e mëdha që gëzon individi, janë krejt fallco. Në veprën e shokut Enver “Raporte dhe fjalime” të viteve 1967-1968, faqe 134, thuhet kështu: “Në regjimet kapitalisto-revizioniste aparencat e lirisë janë të gënjeshtërta, gjoja modernizmat duan të tregojnë atë që në realitet nuk ekziston aspak, lirinë e individit, çlirimin e gruas nga zgjedha kapitaliste dhe ndjenjat e pastra”.

Shtrohet pyetja: A ka çfarë të mësojë spektatori ynë nga ky film? Po, ka, por më shumë gjëra negative se pozitive. E them këtë sepse në disa filma dhe romane të përkthyera ndodh ashtu siç thotë Partia jonë që; armiku e fut helmin e tij pa u ndierë, pa të mos thënë se ky është helm, por të shoqëruar dhe me disa anë pozitive. Gjithë filmi vërtitet rreth “dashurisë” që ushqen një borgjez i fuqishëm për një vajzë dhe për luftën që bën vajza deri sa e fut në burg, duke patur edhe përkrahjen e policisë?!

Eshte interesant fakti se gjithmonë sa herë ata mundohen ta fusin helmin e tyre, këtë e shoqërojnë me artiste të bukura dhe me një frazeologji të kulluar. Autorët e filmit mundohen t’u mbushin mëndjen njërëzve se, në bazë të martesës në vëndet kapitaliste, qëndron dashurija dhe ndjenjat e pastra, por sipas pikpamjeve të marksizëm-leninizmit në kapitalizëm në bazë të martesës qëndron levderdia dhe jo dashuria. Në këtë shoqëri dashuria dhe ndjenjat vihen në shërbim të pronës private.

Duke e zhvilluar më tej këtë pikpamje, shoku Enver nënvizon se; megjithëse martesa është një akt shoqëror, në fund të fundit ka filozofinë e saj si në rendin borgjez, ashtu dhe në atë socialist. “Në bazë të kësaj martese (martesës borgjeze), nuk qëndrojnë në fakt ndjenjat e pastra, por ndjenjat e egra të pronës dhe të interest privat të pasurisë, të trashëgimisë, të kurvërisë së burrit dhe të gruas”.

Së dyti, autorët e filmit mundohen t’i mbushin mëndjen spektatorit se femra në shoqërinë borgjeze gëzon të gjitha të drejtat, duke na paraqitur një femër “trime dhe të emnacipuar” që lufton kundër padrejtësive dhe fut në burg ish të dashurin e saj. Edhe kjo ide bie në kundërshtim të plotë me atë që ndodh në realitetin borgjez. Sipas marksisëzm-leninizmit në qoftë se ka qënie më të përbuzur e më të ulët në shoqërinë kapitaliste dhe pikërisht atë institucionin fetar, në vlersimin për gruan del qartë se çfarë roli i takon gruas në këtë shoqëri “skllave e zotit në qiell, e padronit në tokë, e burrit në shtëpi”.

Ja një nga vlersimet e panumërta të fesë mbi gruan. Në raporte dhe fjalime të vitit 1967-1968, shoku Enver midis të tjerash thotë se; “qoftë në kohën e Rilindjes apo në kohën moderne dhe gjoja qytetërimin e rafinuar”, kontemporan borgjez, gruaja ka qenë dhe është krijesa njerzore më e skllavëruar, më e shtypura, më e përbuzura nga çdo pikpamje”.

Së treti, autorët e filmit na e paraqesin policinë shumë demokratike që përpiqet dhe interesohet për të gjithë njësoj. Një ide e tillë e ka burimin tek predikimet e teoricienëve borgjezë mbi “shtetin e miqrenies së përgjithëshme, mbi shtetin si organ jashtë klasave”. Sipas marksizëm-leninizmit të gjithë këta njerëz s’janë veçse “çirakë” me diplomë në shërbim të borgjezisë”, kuklla të saj që ajo i ndërron sa herë që s’shërbejnë mirë. Një gjë e tillë bëhet më bindese nga fakti se në atë vënd ku fillojnë e ringjallen forcat më të errta, siç janë neofashistët italianë, në atë vënd është e pamundurt të ketë liri të tilla për të cilat flasin aq shumë shërbëtorët e borgjezisë.

Disa kohë më parë në ekranin e televizionit tonë u çfaq një film çekosllavak me temë nga lufta e popullit çek kundër okupatorit gjerman. Nga të gjitha episode që ka filmi, si dhe nga vetë fundi i tij, mendoj se ky film është kryekëput revisionist. Përse? Mbasi mbaron së shikuari filmin, për mendimin tim, nxjerr dy ide që mundohen të thonë autorët. Ideja e parë është kjo: “njerëz, mos luftoni, s’e shikoni që lufta është e tmerrshme”. Ideja e dytë “mos u mundo më kot t’i rezistosh Gestapos, rezistenca më e mirë që mund të bësh është t’i japësh fund jetës, s’kanë rëndësi bindjet e tua, qofsh komunist apo çfardo tjetër, vrit veten që të shpëtosh nga torturat”.

Po mundohem shkurtimisht që ta bëj më të qartë. Gestapua kap një komunist çek dhe disa strehues të tij. Ndërsa Gestapua pyet komunistin, në një dhomë qëndronte një giojtinë e tmerrshme, që filloi t’i priste kokat njerëzve. Komunisti çek, “duke mos duruar dot tërngëllimin e saj që shërbente dhe si një paralajmërim për të, pret venat e duarve dhe vdes. Më duket se ky është deheroizëm. Në film nuk ndihet fare ajo rezistencë që bëri populli çek, mungon ana tjetër e luftës, idealet dhe qëllimet e larta në emër të cilave revolucionarët dhanë jetën në atë luftë. Ideja e autorëve dhe e “komunistët” çek është diametralisht e kundërt me idenë dhe qëndimet e Julius Fuçikut e përmbledhur në thënien “Njerëz, ju kam dashur, jini vigjëlentë”.

A nuk provuan nazistët gjermanë, me Hauzdingun në krye, në trupin e Manush Alimanit torturat çnjerzore që ekzistonin deri atëhere? I provuan që të gjitha, por ai duroi sepse kish një ideal, një qëllim të lartë, kish mësimet e Partisë Komuniste Shqiptare që e çmëndën xhelatin e Gestapos. Manush Alimani nuk preu venat e duarve, por belbëzonte gjatë çdo torture fjalët e zjarrta “Plastë hasmi e u tërboftë, për jetë Partia rroftë”. Pra tjetër përfytyrim krijon njeriu ynë duke njohur Luftën Nacionalçlirimtare dhe tjetër duke parë një film të tillë. Një film që të ngjeth, një film me ide të poshtra, një film që të ngjall pesimizëm dhe pafuqi kundër okupatorit, një film q ëpredikon nënshtrimin dhe robërinë është krejt i dëmshëm për spektatorin tonë. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb