TIRANË

Dentistët kanë vendosur me votë për rritjen e çmimeve dysheme për një pjesë të shërbimeve dentare bazë në të gjitha klinikat dentare në vend. Pra, thënë me fjalë të thjeshta është marrë vendim për fiksimin e çmimit dysheme për të gjithë sektorin dentar duke rritur dukshëm çmimet bazë.


Në gjuhën ekonomike një vendimmarrje e tillë e marrë nga një urdhër profesionistësh i rregulluar me statut konsiderohet në shkelje flagrante të vetë statutit që në asnjë pikë nuk përcakton vendosje të çmimeve si dhe ligjit të konkurrencës.


Dok I Votave Stomatologet
Dok I Votave Stomatologet

Vendimmarrja është mbajtur e fshehtë deri më sot edhe pse mban datën 6 dhjetor 2018. Fillimisht ka qenë këshilli kombëtar i urdhrit të stomatologut që ka vendosur me votë unanime rritjen e çmimit dysheme të një numri të konsiderueshëm shërbimesh duke nisur nga vizita e thjesht.


Në dokumentin origjinal të mbledhjes që disponon News24 konstatohet qartë se nga 25 anëtarë 22 prej tyre kanë votuar pro, 2 abstenim dhe asnjë kundër.
Në dijeni të vendimmarrjes ka qenë edhe qeveria e cila ka tre anëtarë në këshillin kombëtar të stomatologëve, të cilët minimalisht kanë marrë pjesë në votim çka përbën një tjetër shkelje ligjore të një zyrtari të shtetit që sheh sesi shkelet ligji.

Tetë ditë më pas vendimmarrja e këshillit kombëtar është shtruar për votim në asamblenë kombëtare të stomatologëve të mbajtur në 14 dhjetor 2018 ku sërish në shumicë dërmuese stomatologët kanë votuar që të ngrihen çmimet për shërbimet bazë duke nisur nga 1 janari 2019.

Po çfarë ndikimi do të ketë vendosja e çmimit dysheme për konsumatorin e thjeshtë?
Kështu për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, çmimi fillestar rritet nga 2,000 lekë, në 4,000 lekë të reja, ose 60% më shtrenjtë. Rritje pësojnë edhe shërbimet e tjera dentare duke nisur nga vizita e thjeshtë që në asnjë rast nuk do të jetë më falas por 500 lekë.

Për mbushjet e gradës së tretë, çmimi para janarit ishte 3,000 lekë, ndërsa me referencën e re çmimi bëhet 5.000 lekë, baras 67% më shtrenjtë. Edhe për një heqje dhëmbi apo për të pastruar gurëzat, shqiptarët do të duhet të paguajnë dyfish nga janari edhe në vijim krahasuar me periudhën pararendës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në vendimmarrjen e kundërligjshme urdhri shkon edhe më tej teksa shkruan se do t’i drejtohet ministrisë së financave që çmimet e reja të referohen edhe në kasat fiskale të stomatologëve.
Të gjendur përballë presionit ka reaguar edhe vetë ministria e shëndetësisë që deklaron se vendimi i Urdhrit të Stomatologëve është i paaplikueshëm sepse nuk është tagër i këtij institucioni të vendos çmime. Por në reagimin e saj kjo ministri nuk sqaron se si është e mundur që përfaqësuesi i saj në këshillin kombëtar, si dhe dy përfaqësuesit e tjerë të përhershëm në këtë këshill nga fondi i sigurimit shëndetësor dhe ministria e arsimit janë bërë palë në vendimmarrje?

Në një reagim për News24 presidenti i urdhrit të Stomatologut Nikoll Deda deklaron se nuk mund të kërkosh standard pasi ai është në disporpocion me të ardhurat e vendit,
“Nuk kemi të drejtë ligjore dhe statutore të vendosim çmime. Është çmim orientues reference dhe në mbrojtje të qytetarit 100%. Që qytetari kur të shikoj çmime jashtë logjikës profesionale të ruhet shumë. Unë tani e kam detyre të sensibilizoj opinionin publik të ruhet nga mashtrimet sepse vijnë këtu tek mua dhe nuk dinë emrin e dentistit. E dyta të shikojnë standardin dhe të nënshkruajnë marrëveshjen e protokollit me dentistit”, deklaron Deda.

Vendimmarrja e pazakontë e denjë për një kartel detyron autoritetin e konkurrencës të nis një hetim.

(m.k/BalkanWeb)