Revista franceze “Courier des Balkans” i ka kushtuar një artikull ditën e sotme raportit të OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit. Artikulli nis me kritikat e vëzhguesve të OSBE/ODIHR për të cilat thotë se minimizohen nga ana e kryeministrit.

Shkrimi i plotë në “Courier des Balkans”:

“Rënie e demokracisë, presione sistematike ndaj zgjedhësve, pa kandidatë alternativë në më shumë se gjysmën e bashkive…” – Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it sapo ka publikuar një raport befasues mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kritikat minimizohen nga kryeministri Edi Rama, i cili flet për “një furtunë në gotë”.

OSBE/ODIHR-i publikoi të enjten e 5 shtatorit raportin e tij final për zgjedhjet lokale të 30 qershorit në Shqipëri. Dokumenti vë në dyshim legjitimitetin e procesit dhe nuk e konsideron atë as demokratik e as që u përgjigjet normave ndërkombëtare.   Në 31 nga 61 bashkitë e vendit, lista e partisë në pushtet ishte e padenjë, thekson raporti, por prapëseprapë procesi zgjedhor u njollos nga një sërë parregullsish, ku që të gjitha rezultonin se u bënë për të favorizuar pushtetin. “Qytetarët, në veçanti punonjësit e administratës publike, u gjendën nën presion, që të shpalosnin përkatësinë e tyre politike pro qeverisë, kjo në kundërshtim me paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së, viti 1990. Shumë funksionarë rrëfyen për forma të presionit dhe intimidimit të drejtpërdrejtë, kryesisht pushime nga puna apo edhe përjashtim nga programet e ndihmës sociale”.

Si përfundim, raporti merr në shqyrtim edhe faktin se Gjykata Kushtetutese nuk funksionon, dhe kujton se zgjedhjet e 30 qershorit ishin ilegale, pas daljes së dekretit të presidentit, që i shtynte ato me 13 tetor. “Me 10 qershor, presidenti Ilir Meta nxori dekretin që anullonte mbajtjen e zgjedhjeve, i shqetësuar nga rreziqet që paraqiste rendi dhe siguria publike, por edhe për të përmbushur përgjegjësinë kushtetuese në mbrojtje të pluralizmit në vend. Parlamenti e shpalli nul dekretin dhe ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit. Kjo klimë e pasigurisë juridike si dhe kriza politike ku gjenden institucionet kryesore në vend, minoi besimin e publikut tek legjitimiteti i zgjedhjeve” thuhet në raport.

“Edhe pse misioni i vëzhguesve ishte dëshmitar i disa rasteve të intimidimit të zgjedhësve dhe i shkeljes së fshehtësisë së votës, si dhe mori informacione të ngjashme edhe nga ana e disa partive politike, nënvizon raporti, asnjë hetim për raste të tilla nuk është regjistruar nga ana e policisë. Mjaft bashkëbisedues të Misionit Vëzhgues shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e plotë të hetimeve dhe ndëshkimeve për krimet elektorale të kryera në të shkuarën, përfshirë blerjen e votës dhe presionin mbi votuesit”.

Raporti

 

Sfida e mediave

Analiza e mediave dhe roli i tyre zë një vend të rëndësishëm në këtë raport. Sipas ODIHR-it, peisazhi mediatik shqiptar është përgjithësisht i larmishëm, por karakterizohet nga një ofertë marketingu mjaft e limituar. Sipas bashkëbiseduesve të Misionit të Vëzhguesve, vështirësia e të qenit rentabël i ka detyruar mediat të luajnë rolin e lobistit për pronarët e tyre. Në mungesë të një procesi vetërregullues efektiv dhe me kushtet e pasigurisë në punë, gazetarët janë gjithmonë e më vulnerabël ndaj presioneve dhe shpesh i nënshtrohen autocensurës. Aktet e intidimidimit, kërcënimit dhe të sulmeve ndaj gazetarëve, edhe pse janë dënuar nga autoritetet, rrallëherë janë shoqëruar me një hetim të thellë, duke sjellë kështu krijimin e një atmosfere pandëshkueshmërie.

Televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit politik, edhe pse faqet e internetit dhe rrjetet sociale kanë mundur shumë shpejt të zënë vendin e medias së shkruar si burimi i opinioneve dhe i komenteve. Ndryshimet e ligjit për median autovizive, në 2016-n, edhe pse formalisht garantojnë transparencën e pronësisë së medias, gjithsesi kanë vendosur kufizime lidhur me numrin e medias që mund të ketë një pronar i vetëm. Por drejtimi i procesit të transmetimeve numerike nga një grup që zotëron 3 nga 5 frekuencat kombëtare ka ngjallur shqetësime të shumta lidhur me përqendrimin e pronësisë së medias në pak duar.

Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike (PD, në opozitë) ka theksuar rëndësinë e raportit të OSBE/ODIHR-it, duke nënvizuar se “për herë të parë, që prej vendosjes së pluralizimit në Shqipëri, ne kemi një raport që nuk flet për parregullsi teknike, por për krime elektorale, si dhe për akte të paligjshme të kryera në mënyrë të qëllimshme, me synim mohimin e të drejtës për të votuar”. Opozita u mblodh pasditen e të enjtes në selinë e PD-së për të detajuar një platformë kombëtare për nxjerrjen e vendit nga kriza. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e ka rrëzuar raportin, duke e përkufizuar si “një stuhi në gotë, zgjedhjet ishin legjitime”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb