Nga XHEMIL BEHARAJ*

Xhelozia në çift ka çuar deri në marrëzi një 51- vjeçar, i cili ka dhunuar barbarisht bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar asaj vdekjen. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në lagjen “Sheq i Madh” në qytetin e Fierit. Burime nga policia lokale pohuan se Arben Muho ka ushtruar dhunë fizike, duke e goditur gruan e tij, Teutën me sende të forta, të cilat kanë rezultuar fatale për 48-vjeçaren. Kanë qenë komshinjtë, ata që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë dëgjuar britmat e viktimës. Forcat të shumta nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Ndërkohë, është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i Arben Muhos, i cili dyshohet për vrasjen e bashkëshortes së tij. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, hetuesit e çështjes deklaruan se ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie.

Të njëjtat burime pohuan se konflikti mes çiftit të bashkëshortëve kishte nisur mëngjesin e djeshëm, ndërsa e ndjera do nisej për të bërë pazar. Mësohet se Arben Muho nuk e ka lejuar gruan e tij të dalë nga shtëpia, duke e qëlluar me grushte e shkelma në trup, e me mjete të forta. Pas goditjeve që ka marrë, 48-vjeçarja ka përplasur kokën në tavolinë dhe më pas në dysheme. Të njëjtat burime deklaruan se Arben Muho ishte person me precedentë penalë, ndërsa kishte vetëm 5 ditë që ishte liruar me kusht nga burgu. Ai ishte dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Fierit për veprat penale “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje të armëve të ftohta në ambiente të hapura për publikun”, ndërsa kishte bërë vetëm 8 muaj burg. Gjykata e kishte vendosur në provë Muhon, që brenda një periudhe 3-vjeçare të mos kryente asnjë vepër penale.

Ngjarja
Rreth orës 9:30 të së dielë, Arben Muho në debat e sipër ka dhunuar për vdekje bashkëshorten e tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Fierit deklaruan se çifti i bashkëshortëve gjatë momentit të krimit kishin qenë të vetëm në banesë, ndërsa fëmijët e tyre ishin te gjyshja.Viktima, nënë e tre djemve, ka humbur jetën në banesë pas goditjeve të forta që ka marrë në kokë. Sakaq, trupi i pajetë i 48-vjeçares është transportuar për në morgun e spitalit të Fierit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjekoligjore.

Hetimet
Burime nga grupi hetimor i çështjes deklaruan dje se shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë bërë konfliktet e vazhdueshme mes çiftit. Gjatë marrjes në pyetje, Arben Muho ka pranuar para grupit hetimor se ka dhunuar bashkëshorten e tij, por nuk ka dashur ta vrasë. Muho deklaroi se në nerva e sipër e ka goditur 48-vjeçaren, pasi sipas tij, ajo “kishte thyer rregullin e tij” për mos të dalë nga shtëpia. Ndërkohë, në polici janë marrë në pyetje dhe djemtë e çiftit Muho. “Mëngjesin e sotëm (dje) babai ka debatuar ashpër me nënën, pasi i kërkoi që ajo mos të dilte nga shtëpia. Pas debateve dhe sharjeve, ai ka nisur ta gjuajë me shpulla e shkelma. Pasi e ka qëlluar, nënës i ka rënë koka në çimento. Ajo donte të ikte në pazar”, – kështu pohoi para grupit hetimor djali 17-vjeçar i familjes Muho. Nga ana tjetër, fqinjët të familjes ku ndodhi ngjarja pohojnë se familja e Arben dhe Teuta Muho jetonte në gjendje të vështirë ekonomike. Banorët e zonës thanë se viktima nuk dilte kurrë nga banesa. “Ne dëgjuam zhurma. Teuta nuk dilte fare, pasi ai nuk e lejonte. Ne nuk e dinim hallin e saj në fakt”, – kështu u shpreh për “GSH” një nga komshijet e familjes Muho. Sakaq, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: