Në futboll duhet të kesh dhe pak fat, fati me sa duket e ka braktisur prej kohësh futbollistin më të shtrenjtë të ekipit përfaqësues, Armando Brojën. Dëmtimet vijojnë të jenë makthi i tij më i madh duke mos e lënë prej vitesh të shpreh potencialin e tij. Tek Everton u krijua ideja se Broja kishte gjetur më në fund vendin ideal, me klubin që e mori me qetësi rikuperimin e tij të plotë.
Atëherë kur dukej se makthet kishin përfunduar, brenda pak ditësh, Broja pësoi dy dëmtime radhazi duke e bërë situatën me të vërtetë alarmante. Më 4 janar, në takimin kundër Bournemouth, Broja zbriti në fushë si titullar, por në minutën e 32-të doli nga fusha i dëmtuar. Në dukje të krijonte përshtypjen se bëhej fjalë për një dëmtim të serioz, por të gjithë u befasuan teksa panë sulmuesin kuqezi të disponueshëm për sfidën kundër Peterborogh, e vlefshme për raundin e 1/32-ve në FA Cup.
Jo vetëm që ishte i disponueshëm, për Broja u hodh në fushë në minutën e 68-të. Në të 89-të, gjatë një zbritje të shpejt në krah, Broja u shtri në tokë duke mbajtur me dorë tendinën e këmbës, në të njëjtën vend që kishte dhe një shqetësim pak ditë më parë, i njëjti dëmtim që e mbajti gjatë jashtë fushës së lojë që nga dita kur u dëmtua në verë në një miqësore me ekipin e Chelsea-t. Situata këtë herë dukej e rendë pasi sulmuesi kuqezi doli nga fusha mes lotësh, në barelë dhe me maskë oksigjeni.
Leighton Baines, trajneri i përkohshëm i Everton pranoi pas ndeshjes se dëmtimi i Brojës duket serioz: “Padyshim që dukej keq, ne e pamë të largohej me barelë nga ana tjetër e stadiumit. Nuk e dimë ende shkallën e dëmtimit, por shpresojmë të mos jetë serioz”, u shpreh trajneri i Everton.
(BalkanWeb)