Nga: ANDON ANDONI
Pas gati një viti ndërprerje, me gëzim mora në dorë revistën “Mësuesi”, e cila filloi të dalë sërish, e përgatitur nga kolegia Vjollca Spaho, gazetare dhe poete, duke ua vënë në dorën mësuesve anekënd vendit.
Pavarësisht ndonjë vërejtjeje dhe pretendimi që mund të kisha, që në hedhjen e syrit të parë si lexues i saj, pranoj se u bë mirë që ky organ shtypi, i vetmi dhe i pakonkurrent në tregun shqiptar prej më se pesëdhjetë e dy vitesh, doli përsëri, për të qenë në tryezën e lexuesit të vet specifik, mësuesve, dhe jo vetëm.
Historia e shtypit tonë, por dhe më gjerë, në Evropë dhe në botë, ka njohur me dhjetëra e qindra raste të një ndërprerjeje të përkohshme të botimit të titujve të gazetave dhe revistave nga më prestigjiozet dhe me emër të madh në tregun e medies, sa për hir të konjukturave historike, të mungesë së financimit, dhe deri tek burgosja dhe persekutimi prej regjimeve i vetë botuesve të tyre. Kështu, De Rada e mbylli gazetën e parë shqiptare “Arbëreshi i Italisë”, në qershor të 1848-ës, pas disa muaj botimi, për shkak të luftës dhe se “kisha shumë pak të holla…” – thotë ai. Konica gjithashtu e mbylli “Albanian” më 1903-shin, për shkak se i ungji nuk i dërgonte më para; Sotir Peci më 1909-ën mbylli “Kombin” pasi kishte shitur edhe sahatin e xhepit; Kostë Çekrezi e mbylli “Telegrafin” më 1928-ën pasi u burgos nga regjimi dhe e ribotoi më 1929-ën. Dhe mund të vijoja me shembuj të tillë të shumtë, ku tri shkaqet e përmendura më sipër: politike, ekonomike dhe shoqërore, kanë qenë dhe mbeten deri në ditët e sotme arsyet e mjafta për të mbyllur një organ shtypi.
Në rastin e gazetës, sot revistë, “Mësuesi”, që me të njëjtin emër ka vijuar të botohet që nga shtatori i 1961-shit, me emrin “Mësuesi”, dhe që s’ka pasur asnjë prej tri arsyeve të mësipërme për t’u mbyllur, mund të them me bindje se ka qenë një organ shtypi, që edhe nëse nuk ka bërë ndonjë jehonë të madhe, përfshirë këtu edhe kohën e socializmit, në raport me gjithë fashën tjetër të shtypit të shkruar, së paku, nuk ka prishur ndonjë punë. Them kështu, pasi me faqet e saj, shkrimet, problematikat specifike të trajtuara në të, për fushën e mësimdhënies, edukimit dhe deri tek reportazhet “për arritje e suksese”, i ka shërbyer një lexuesi specifik që, nëse donte, vërtet mund të gjente atje qasje dhe sjellje që, si të thuash, i hynin në punë. Që nga modeli, për shembull, i një ore mësimi në lëndën e Biologjisë, me mjetet e pakta laboratorike, e deri tek komentet në lëndën e Letërsisë. Pasqyrimi i një feste të Abetares, me fotot e nxënësve të klasës së parë, që gëzonte vogëlushët, prindërit dhe komunitetin e shkollës “së privilegjuar” që gjente vend në faqet e këtij shtypi etj.
Shkurt, askujt nuk i prishte punë nëse nuk gjente në shkrimet e saj debatin; që mbërthente politikën, për përdorimin ndonjëherë të nxënësve në takimet elektorale, për programet e ngarkuara dhe kurrikulën, që herë kërcente nga klasa e pestë në të tetën dhe kthehej sërish tek e para, për gabimet e teksteve që gjendeshin herë-herë jo vetëm nga mësuesit, por edhe nga prindërit, dhe deri tek mungesa e regjistrave të shkollave për burokraci të dikasterit (edhe sot, qindra shkolla në mbarë vendin janë pa regjistra mësimi).
Një organ shtypi që financohet nga shteti dhe është pasqyrë e politikave shtetërore, sigurisht që do t’i japë lexuesit, do ta ushqejë atë “jo me atë që do donin realisht të gjenin lexuesit në faqet e tij, por me atë çka vetë kjo politikë është e interesuar të bëjë prezente tek lexuesit”, në këtë rast mësuesit, – punëmarrës në shtet (Drejtorive Arsimore). Ky organ shtypi, iu përcjell atyre “shqetësimet e veta”, ato që do, sigurisht, si: zbatimi i planeve, programeve lëndore, zbatimi i ligjshmërisë përmes udhëzimeve dhe akteve normative, dhe fare pak, ndonjë kritikë që nis e artikulohet brenda politikëbërjes, dhe që nuk prish shumë punë, nëse pranohet si inicim i një reforme “që do kohë” të realizohet. Sa për shkrime debatuese, kritika që tronditin sistemin, akuza për pengesa dhe mungesë performance, në pjesë të ndryshme të tij dhe deri tek prania e ndërtesave të rrënuara të shkollave, si “një faj i së shkuarës”, me parimin e dyshimit, nuk përfshihen fare në kolonat e “Mësuesit”.
Në gjykimin tonë, ky shtyp, ideuar, financuar dhe propaganduar nga shteti, vërtet që do jetë me një ndryshueshmëri të theksuar prej shtypit tjetër të pavarur, përfshi edhe atë partiak, në të gjitha derivatet e tij, sidomos tek guximi dhe përfshirja në të e polemikave dhe debateve. Shpesh të vërtetat e “hidhura” i anashkalon. Ai zbukuron, por nuk gënjen. Sepse Ai nuk e kërkon lexuesin e tij në tregun e lirë, por e ka atë të garantuar. “Mësuesi” i para dy viteve kishte 12 mijë abonentë në të gjithë vendin, përmes skemës së porosive: Drejtori të shkollave – Drejtori Arsimore – Sektori i publikimeve në Ministri. Dhe në këto kushte të botimit të saj, mbyllja e “Mësuesit” ishte një mëkat.
Nuk duam të hyjmë këtu në mekanizmin e detyrimit të pajtimit të mësuesve dhe shkollave. Kjo gjë është e nënkuptuar, por ajo që pëshpëritej shpesh gjatë periudhës së planifikimit të botimit të “Mësuesit” ishte se “një kafe në muaj, prej 100 lekësh që i kushtonte mësuesit të shkollës kjo revistë” dhe që me të drejtë, nuk ishte ndonjë kosto e madhe e papërballueshme prej tyre. Problem mbetej menaxhimi më i mirë i shpërndarjes së saj në kohë dhe që realisht, ai që paguante të ndihej i motivuar për ta lexuar atë. Financimi prej buxhetit të shtetit, përmes rregullave të tenderimit të përvitshëm mundësonte botimin për të cilin, jam i bindur, që në tregun shqiptar një revistë me 84 faqe, format A4, e gjitha me ngjyra, me letër 80-gramshe, duke përfshirë botimin, shtypjen dhe shpërndarjen, që nuk i kaloi të 70 lekët për copë, do ta kishin zili edhe më të suksesshmet në treg, që nga “Klan” e deri tek ato të modës, “Jeta” dhe “Ama”.
Nisur nga këto të dhëna, kush nuk do ta dëshironte të kishte një organ të tillë shtypi, me shitje të garantuara (pajtime) prej 12 mijë kopjesh në muaj, me një kosto prej 70 lekësh dhe me çmim kopertine 100 lekësh? (Shitësit- Drejtoritë Arsimore, nuk përfitonin asnjë cent prej shitjes.)
Stafi i përgatitjes së saj, që në gjuhën e shtypit quhet “redaksi”, nuk i kaloi asnjëherë tri dhe dy vetë?! Duke ardhur sot në një të vetëm, kur sipas vendimeve qeveritare, norma e prodhimit dhe botimit të një të tille shkon nga 8 deri në 16 gazetarë dhe redaktorë?!
Në këtë pikë, çdo kryeredaktor do ta kishte të vështirë ta mendonte një punë të tillë, dhe jo më ta merrte përsipër për ta realizuar në cilësi dhe në kohë. Por për hir të traditës së gjatë dhe lexuesit të shumtë, bashkëpunëtorët e saj kanë qenë të shumtë dhe me një gjeografi për t’u lakmuar. Duhet thënë se jo gjithmonë mund të kishe komoditetin për të zgjedhur dhe vënë në faqe, alternativën më të mirë shkrimore, për katër rubrikat e mëdha të saj: Nxënësi, Mësuesi, Edukimi dhe Komuniteti.
Ajo për të cilën kishte nevojë kjo revistë, ishte fryma polemizuese dhe kritike, për t’i pranuar në faqet e saj, gjë që ka munguar.
Në periudha të ndryshme kohore, varur shumë prej frymës së ministrave që kanë drejtuar arsimin, edhe në faqet e saj gjenden ku më shumë e ku më pak, alternativa reformash, debate dhe kritika, por gjithmonë nga ato “që nuk prishnin punë”. Dhe në këtë pikë do kujtoja shtypin e kohës së Mbretërisë, sidomos atë të viteve ’28-’34, kur sipas një rregulli të pashkruar, vetëm mbreti mund të “kursehej” nga kritikat e ashpra të shtypit të kohës, e sa për të tjerët, që nga Koço Kota kryeministër e deri tek Musa Jukë e Abdurahim Mati, ishin të gjithë në shigjetat e shtypit të kohës. Është rasti për ta hapur dhe bërë më të vërtetë. Qoftë edhe me parimin e mësipërm: “mbreti” kursehet, të tjerët poshtë tij jo.
Por asnjëherë dhe në asnjë rast të vetëm, debatet e opozitave në këto njëzet e ca vite, nuk kanë gjetur vend në faqet e saj. Nga frika se do të merrte damkën e një gazete, reviste të politizuar sipas krahut që ishte në pushtet, ajo u ka qëndruar larg këtyre debateve dhe polemikave, edhe kur ato merrnin ngjyrime të forta dhe akuza prej ministrave në sallën e Parlamentit dhe gjetkë.


Kjo mendojmë se është një shenjë e mirë, në mos e kulturës së drejtuesve të saj ndër vite, e nevojës për t’i përcjellë sa më shumë të ishte e mundur lexuesit-mësues, frymën e bashkëpunimit në shkolla dhe jo përçarjes dhe ndarjes politike të tyre.
Revista “Mësuesi” ridoli përsëri, përmes oshilacioneve dhe dilemave të drejtuesve ministrorë: të mbahej apo të mbyllej ky organ shtypi, në mos i vetmi, ndër të vetmit me buxhet dhe politikë redaksionale shtetërore (ndoshta ka një revistë të Ushtrisë të dytë).
Një mijë arsye mund të artikulohen për ta mbyllur këtë organ shtypi dhe një mijë të tjera për ta mbajtur e botuar atë. Rrugët, mënyrat dhe format mund të përsosen dhe të ndryshojnë, por “Mësuesi” po del sërish, dhe ky është një ogur i mirë për të gjithë ata që e presin në derën e shkollës, dhe jo vetëm.


(d.d/GSH/BalkanWeb)