Nga: ZONJA KATERINA

1 kokë lakër
400 gr mish të grirë
200 gr oriz
1-2 qepë të thata
2-3 qepë të njoma
1 karrotë
1-2 domate
1 tufë koper
1 tufë majdanoz
5-6 lgj vaj ulliri
Kripë, piper i zi
2 kokrra vezë
2 kokrra limone

Në një tenxhere të madhe hedhim ujë të bollshëm (sa ¾ e tenxheres) dhe pak kripë dhe e lemë ujin të vlojë. Ndërkohë marrin lakrën dhe nga ana e bishtit i bëjmë nje prerje rrethore mundësisht sa më brenda dhe më pas e largojmë pjesën e bishtit. Sapo uji të ketë filluar vlimin e vendosim lakrën brenda nga pjesa e bishtit të hequr dhe e lemë 2-3 minuta. Më pas e largojmë lakrën dhe e vendosim në një tavë të ftohet dhe ta kemi gati për të marrë më pas gjethet për të mbushur dollmat.

Fillojmë më pas me përgatitjen e mbushjes. Në një enë përziejmë mishin e grirë me orizin, qepën e thatë, qepët e njoma, domaten, karrotën, majdanozin, koperën, kripën, piperin e zi dhe gjysmën e sasisë së vajit të ullirit.

Vendosim në tavolinën e punës gjethet e lakrës, largojmë nga çdo gjethe pjesën e trashë dhe më pas vendosim nga një lugë supe mbushje. Fillojmë e palosim duke puthitur anët në fillim dhe më pas e bëjme role. Eshtë mirë që roletë të bëhen në masa të barabarta.

Në një tenxhere vendosim një shtresë me gjethe dhe mbi gjethe vendosim dollmat duke bërë dy tre rreshta. Vendosim më pas një pjatë mbi dollmat dhe shtojmë lëngun e përgatitur me një koncentrat pule ose perimesh. Shtojmë dhe vajin e mbetur dhe e mbulojmë tenxheren me kapak dhe i lemë dollmat të ziejnë në temperaturë mesatare për 40-45 minuta.

Përgatisim vezët me limonin duke rrahur të bardhën e vezëze marengë, më pas shtojmë të verdhat e vezëve dhe lëngun e limonit së bashku me pak lëkurë limoni të grirë në rende. E rregullojmë temperaturën me pak lëng nga dollmat dhe e hedhim në tenxheren ku po ziejnë dollmat. E tundim pak tenxheren dhe i lemë dollmat dhe për 10 minuta të qëndrojnë në sobë të fikur.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb