Nga: ZONJA KATERINA
1 lakër
1 ½ gotë miell misri
1 qepë, 1 presh
1 tufë koper
1 tufë majdanoz
1 tufë nenexhik
4-5 lgj vaj ulliri
Kripë, piper i zi

Në një tenxhere të madhe hedhim ujë të bollshëm (sa ¾ e tenxheres) dhe pak kripë dhe e lemë ujin të vlojë. Ndërkohë marrin lakrën dhe nga ana e bishtit i bëjmë nje prerje rrethore mundësisht sa më brenda dhe më pas e largojmë pjesën e bishtit. Sapo uji të ketë filluar vlimin e vendosim lakrën brenda nga pjesa e bishtit të hequr dhe e lemë 2-3 minuta. Më pas e largojmë lakrën dhe e vendosim në një tavë të ftohet dhe ta kemi gati për të marrë më pas gjethet për të mbushur dollmat.

Nisim më pas përgatitjen e mbushjes, grijmë imët pjesën e bardhë të preshit. Gjithashtu imët grijmë dhe qepën. Bashkojmë në një tas preshin me qepën dhe me erëzat e freskëta koper, nenexhik dhe majdanoz. Shtojmë më pas në tas miellin e misrit, kripë, piper të zi dhe vaj ulliri. Në fund shtojmë pak ujë të nxehtë dhe i trazojmë mirë të gjithë përbërësit derisa të bëhet një masë e lidhur.

Hapim gjethet e lakrës në tavolinën e punës dhe vendosim mbushje në çdo fletë lakre. Më pas i mbështjellim role dhe i vendosim dollmat rradhë-rradhë në një tenxhere ku kemi shtruar disa gjethe lakre. I mbulojmë dollmat në fund me një pjatë. Shtojmë ujë dhe gjysmën e sasisë së mbetur të vajit të ullirit dhe i lemë dollmat të ziejnë në temperaturë mesatare për 40 minuta.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb