Ipeshkvi Dom Gjergj Meta ka komentuar fenomene si ai i islamofobisë në programin “A Show” në News 24 por edhe drama si ato të abuzimit të të miturve nga priftërinjtë. Ai thotë se pranimi i priftërinjve të martuar nuk do ta zgjidhte problemin e abuzimit, pasi stilistikisht në të gjithë botën fëmijët abuzohen më shumë në familje apo edhe shkollë.

Ka një rritje të islamofobisë në Botë, a kanë këta njerëz ndonjë inat?
Dom Gjergj Meta: Mendoj që është një perceptim që duhet ta thonë myslimanët a ndjehen ata të shqetësuar. Unë si katolik nuk ndjej agresion. Mendoj se në Shqipëri nuk ka islamofobi, Shqipëria është një oaz në këtë pikëpamje. Kam vizituar vende të tjera me disa fe, të them të drejtën që jemi vend me fat. Ne përveçse ta kultivojmë duhet ta ruajmë këtë vlerë.

Pse Kisha Katolike nuk u shqetësua të rritej numri i katolikëve në Shqipëri? Gjykimi im personal është që thjesht ata e lanë të zhvillohet vetë…
Dom Gjergj Meta: Shqetësimi ynë është të kujdesemi për katolikët që kemi, megjithatë dyert tona janë të hapura. Mendoj që duke këmbëngulur drejt një propagande për të rritur radhët tona mund të biem në gabimet e së shkuarës ku janë bërë edhe luftëra. Mendoj që besimi është diçka thellësisht shpirtërore.

Një debat i madh është hapur sot në botë në lidhje me abuzimet me të miturit nga priftërinjtë…A mendoni që nëse do të ishin të martuar priftërinjtë katolikë s’do dëgjonim për këto skandale?
Dom Gjergj Meta: Është debat i gjerë, sot po diskutohet në Brazil burrat e martuar të bëhen priftërinj. Por kjo gjë duhet ndarë nga çështja e abuzimeve. Nga statistikat që ekzistojnë sot, pjesa më e madhe e abuzimeve të minorenëve ndodh në familje, në shkollë, ndodh nga persona të martuar. Në botë sot ka 100 milion fëmijë të abuzuar. Fenomeni i abuzimit me të miturit ishte një bombë e jashtëzakonshme që ka ndodhur brenda Kishës Katolike. Po përpiqen të krijohen mekanizmat e parandalimit që kishat tona të kthehen në vende të sigurta.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb