“Kam folur çdo javë mbi gjuetinë për peshqit e mëdhenj dhe dua ende të flas sepse është vërtet e rëndësishme për popullin shqiptar”. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme ambasadori në ikje i SHBA-ve Donald Lu. Teksa foli për ‘gjuetinë’ e peshqve të mëdhenj, Lu tha se ende ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

I ftuar në emisionin “Real story’ në Vizion plus ambasadori Lu tha se do t’i vinte keq që nuk do ishte këtu për të parë rezultatet e punës. Sipas ambasadorit Lu sukses për policinë ka qenë arrestimi i Arbër Çekajt dhe i Met Kananit, ky i fundit i cilësuar si ‘Eskobari i Ballkanit’. Mes të tjerash ajo që ra në sy ishin edhe çorapet që kishte veshurn ambasadori Lu, të cilat kishin figura me peshq.

“Nuk do të thoja është një dështim, por është diçka ende e papërfunduar. Kam folur çdo javë mbi gjuetinë për peshqit e mëdhenj dhe dua ende të flas sepse është vërtet e rëndësishme për popullin shqiptar. Vesha çorapet e mia të posaçme që t’i shihni (corape me peshq). Është me rëndësi për popullin shqiptar që të dijë se qeveria e tyre, policia e tyre, prokuroria e tyre janë vërtet seriozë për luftën kundër krimit të organizuar. Pata një bisedë shumë të mirë me drejtorin e përgjithshëm të policisë Ardi Veliu javën e shkuar. Kanë punuar shumë fort së bashku me prokurorët për të ngritur task-forcën për forcën e ligjit. Po punojnë sot shumë ngushtë me ligjzbatues amerikanë, gjermanë, Italianë, francezë, grekë, spanjollë dhe kjo ka çuar në suksese reale. Kemi parë arrestimin e Arbër Çekaj, arrestimin e Met Kananit; janë dy trafikantë droge të arrestuar në Spanjë. Vetëm këtë javë pamë trafikantë të arrestuar në Itali dhe Gjermani. Kjo është e rëndësishme por duhet të jetë vetëm fillimi. Ka shumë më tepër punë për të bërë dhe më vjen pak keq së nuk do të kem mundësi të jem këtu për t’i parë gjithë rezultatet e asaj pune”, tha Lu.

Po ashtu ai tha se ishte i skandalizuar nga rasti i Klement Balilit, apo nga ai i Lul Berishës dhe Shullazit.

“Unë, për vete, jam i skandalizuar që dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin. Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit. Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku ai vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq. Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave”, pohoi ambasadori.

Po ashtu diplomati amerikan Lu nuk nguroi që të bëjë ‘sulmonte’ ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, që sipas tij ka penguar reformën në drejtësi.

“Nuk kam asgjë personale kundër Z. Llalla. Mendoj se shumë shqiptarë dhe unë personalisht ndjejmë se Z. Llalla përfaqëson zyrtarët e shumtë që janë përpjekur të pengojnë zbatimin e reformës së gjyqësorit. Gjithashtu, Sekretari i Shtetit e ka shpallur Z. Llalla si zyrtar të lartë të korruptuar. Prokurorët, në Shqipëri, po e hetojnë aktualisht për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Kemi përgëzuar vendimin e gjyaktave për të sekuestruar asetet e tij shumë të mëdha të pashpjeguara dhe kemi nxitur gjyqësorin në vend që të kufizojë lëvizjet e tij në mënyrë që të mos i largohet drejtësisë. Kanë ende frikë. Ishin të frikësuar në 2016-ën, janë të frikësuar edhe tani. Por shih rezultatet që janë arritur tashmë nga reforma – 20 gjyqtarë dhe prokurorë u dorëhoqën, 23 janë shkarkuar nga KPK, komisionet e vetingut, 27 janë konfirmuar. Një total prej 70 zyrtarësh që i janë nënshtruar këtij procesi në gjashtë muajt e fundit. Është një rezultat shumë i mirë për popullin shqiptar. Dhe faza e ardhshme është edhe më e thellë. Keni ngritjen e KLP, KLGJ dhe krijimin e prokurorit të pavarur SPAK dhe hetuesve të BKH. Kjo u kall frikë në zemër krerëve të krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar. Sa i përket BKH dhe SPAK, ne, Qeveria e SHBA, kemi marrë një angazhim përpara jush, Shqipërisë, që ne do të paguajmë për këshillimin, trajnimin dhe pajisjet për BKH”, tha ambasadori.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb