Ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, i cili do të kujtohet si diplomati që pati rolin kryesor për të bindur palët për të votuar reformën në drejtësi në Shqipëri, jep sot një mesazh në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve partnere.
Ka qenë ambasada amerikane në Shqipëri, që ka publikuar mesazhin e ish-ambasadorit Lu, teksa ky i fundit ka zgjedhur një moment prekës për të kujtuar vitet e tij të punës në vendin tonë, teksa ka publikuar një foto duke u përqafuar me një të moshuar.
“Gjatë këtyre viteve kaluam shumë kohë duke punuar me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe gjuetinë për peshqit e mëdhenj”, shprehet ambasadori Lu në postimin e tij në video.
Ai ishte ambasador në Shqipëri nga 2015-12018, një vit i vështirë pas përplasjeve të forta për reformën në drejtësi dhe betejën antikorrupsion për kapjen e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”.
“Unë jam bindur që për sa kohë vendet tona ekzistojnë ne do të kemi gjithnjë një lidhje të veçantë mes popujve tonë. Gëzuar 30-vjetorin”, shprehet Lu në fund të mesazhit të tij.
Ambasada Amerikane ndërkohë thekson se “ne po festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë me këto mesazhe të dërguara nga ish-Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara për popullin shqiptar. Donald Lu i paraqiti letrat kredenciale qeverisë së Shqipërisë në 13 janar 2015 dhe ishte Ambasadori i nëntë i SHBA në Shqipëri”.