TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ka kërkuar dënim maksimal për trafikantët e qenieve njerëzore. Nga konferenca rajonale kundër trafikimit të qenieve njerëzore, me temë “Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve dhe vetëdijes për të luftuar trafikimin e personave në Ballkan”, ambasadori Lu vuri theksin në zbatimin e ligjit.

Ai bëri një deklaratë të fortë duke thënë se drejtues të votuar të Shqipërisë por edhe në rajon kanë qenë burrat që shitën  vajza të pafajshme në skllavëri.

“Ndiej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi, ma merr mendja edhe nga vende të tjera nga rajoni kanë qenë burrat që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit. Për ta bërë këtë vendet e këtij rajoni duhet të mendojnë për zbatimin e ligjit në kontekst rajonal. E përgëzoj Shqipërinë për udhëheqjen rajonale për parandalimin e trafikimit të fëmijëve. Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një çështje që mund të zgjidhet pa bashkëpunimi rajonal. DASH e kupton këtë dhe ka dhënë një grant për të mbështetur qeverinë. Jemi entuziastë për punën inovatore të këtij projekti në përpjekjet për integrimin e viktimave.
Ky projekt do të ndihmojë që ato jo vetëm të strehohen por të dalin me aftësi, siguri financiare e vetëbesim. Në rastin e Shqipërisë këtu ka nevojë që qeveria jo vetëm të angazhohet politikisht për të siguruar financim por edhe duhet t’i dorëzojë me të vërtetë këto fonde dhe pa vonesa”, deklaroi Donald Lu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb