Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi ligjvënësen e Nju Jorkut, Elise Stefanik për të shërbyer si ambasadore e tij në Kombet e Bashkuara.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer i hedh një vështrim karrierës dhe sfidave me të cilat ajo do të ndeshet. Elise Stefanik hyri në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2014 në moshën 30 vjeçare si një republikane e vijës së moderuar, që përfaqësonte një zonë kryesisht rurale, në pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut.

“Fillimisht ajo nuk shquhej si mbështetëse e veçantë e Presidentit Trump; por ndryshoi, duke u bërë e tillë, u ngjit nëpër radhët e udhëheqjes së partisë në Kongres, dhe aktualisht, deri sa të japë dorëheqjen nga ky post, ajo mban detyrën e kryetares së grupit të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve”, thotë profesorja e shkencave politike pranë ‘University of Albany’, Sally Friedman.

Si shefe e grupit të republikanëve, pozitë që e ka mbajtur që nga viti 2021, ajo është zyrtarja e katërt më e lartë në hierarkinë e ligjvënësve republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ajo nuk mori pjesë në Kuvendin Republikan të mbajtur në Cleveland në vitin 2016 dhe vetëm pas zgjedhjes së tij dhe ngjitjes së tij lart, sidomos në mesin e konservatorëve, ajo u bë, siç e thotë edhe vet, “përkrahëse e flaktë e doktrinës ‘Ta Bëjmë sërish Amerikën Madhështore’”. Për ligjvënësen Stefanik, kjo nënkuptonte që ta mbronte zotin Trump gjatë procedurave të shkarkimit në Kongres, të mbështeste pretendimet e tij se zgjedhjet e 2020 ishin vjedhur dhe të bëhej një përfaqësuese e denjë e fushatës së tij.

“Ajo është e mençur dhe shumë punëtore. Ajo ka aftësi retorike dhe është tejet efektive”, thotë zoti Seiler.

Zonja Stefanik u bë e njohur gjatë seancave dëgjimore në Kongres për protestat pro-palestineze në disa universitete amerikane. Tre presidentë të universiteteve të njohura dhanë dorëheqje pas këtyre seancave.

Stefanik: ‘Pra përgjigja është po, që thirrja për gjenocid ndaj hebrenjve shkel kodin e sjelljes së Harvardit, a po jo?’

Gay: “E them sërish, varet nga konteksti”.

Stefanik: “Nuk varet nga konteksti. Përgjigja është PO dhe kjo është arsyeja përse duheni të jepni dorëheqjen. Përgjigjet tuaja janë të papranueshme”.

Në muajin maj, ajo shprehu përkrahjen e saj të pakursyer për Izraelin në deklaratat e bëra në Knesset, parlamenti i Izraelit, dhe ka pranuar kontribute të rëndësishme financiare për fushatën e saj nga lobet dhe individët që janë pro Izraelit.

Zoti Trump e shpalli emërimin e zonjës Stefanik si njërin prej emërimeve të para të administratës së tij të re, vetëm pesë ditë pas zgjedhjeve. Ajo shkon në Kombet e Bashkuara me përvojë të kufizuar në çështjet e politikës së jashtme, ndërkohë që kjo organizatë botërore ballafaqohet me luftërat në Ukrainë, Gazë dhe Sudan; urinë në rritje në nivel botëror, ndryshimet klimatike dhe një sërë krizash tjera.

“Mendoj se në momentin që ajo bëhet ambasadore, Elise Stefanik do të përqëndrohet në Lindjen e Mesme. Ndoshta do të përqëndrohet në Ukrainë dhe duket se, duke marrë parasysh deklaratat e saj në të kaluarën, ajo do të jetë shumë kritike ndaj Kinës”, thotë drejtori për OKB-në pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Richard Gowan.

Gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump shkurtoi qindra milionë dollarë fonde amerikane për disa agjenci të OKB-së. Kësaj radhe, organizata po bën plane rezervë në pritje të shkurtimeve edhe më të rrepta.

Ndërkohë, Elise Stefanik do ta gjejë veten në një skenë të re, kësaj radhe ndërkombëtare./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb