Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, tha se Joe Biden është “presidenti më i keq në historinë e Amerikës” në një seri postimesh në median sociale Truth, duke kritikuar politikat e administratës aktuale.

“Joe Biden është presidenti më i keq në historinë e Amerikës, një katastrofë totale”, shkroi Trump, duke shtuar se veprimet e Biden dhe ato të “bandave të tij që ndërhyjnë në zgjedhje” nuk do të harrohen.

Ai shënjestroi veçanërisht politikat kufitare të Bidenit, duke pretenduar se ato çuan në rritje të kërcënimeve të sigurisë. “Vendi ynë është një katastrofë, një objekt qeshjeje në gjithë botën. Kjo është ajo që ndodh kur keni kufij të hapur”, postoi Trump.

Trump Postimi
Trump Postimi

“Me politikën e Kufijve të Hapur të Biden, unë thashë, shumë herë gjatë mitingjeve dhe gjetkë në takime, se terrorizmi radikal islamik dhe forma të tjera të krimit të dhunshëm, do të bëhen aq të këqija në Amerikë sa do të bëhet e vështirë edhe të imagjinohet apo besohet. Ajo kohë ka ardhur, vetëm më keq se sa është imagjinuar ndonjëherë”, shkruan Trump.

Trump, i njohur për favorizimin e tarifave të larta të importit, bëri thirrje gjithashtu për ndryshime të politikës ekonomike, duke sugjeruar një kthim në të ardhurat e bazuara në tarifa.

“Tarifat dhe vetëm tarifat krijuan këtë pasuri të madhe për vendin tonë”, shkroi ai.

“Ta bëjmë Amerikën të pasur përsëri”, shtoi ai.

Duke paralajmëruar atë që ai e quajti “erozion i dhunshëm i sigurisë, sigurisë kombëtare dhe demokracisë”, Trump premtoi t’i adresojë këto çështje pas marrjes së detyrës më 20 janar.

“Vetëm forca dhe lidershipi i fuqishëm do ta ndalojnë. Shihemi më 20 janar”, shkroi ai, duke iu referuar datës së inaugurimit presidencial.

“Trump kishte të drejtë për çdo gjë”, përfundoi presidenti i zgjedhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb