TIRANE- Ambasada e Rusisë në Tiranë ka një lajm të mirë për të gjithë maturantët dhe studentët e interesuar për të vijuar studimet në Rusi. Në një njoftim për mediat, ambasada bën me dije që të gjithë të interesuarit mund të bëjnë aplikim për bursat falas në universitetet kryesore ruse. Në vitin mësimor 2018-2019 për maturantët dhe studentët shqiptarë ofrohet një gamë e gjerë specializimesh, ndërkohë që opsionet e mundshme janë studimet bachelor, master, doktoraturë, si edhe programe të tjera.

Informacionet e detajuara lidhur me procedurën e aplikimit dhe specializimet e disponueshme gjenden në faqen e Ambasadës www.albania.mid.ru tek rubrika “Arsimi në Rusi”. Sakaq, bëhet e ditur se afati i fundit i aplikimit është data 1 mars. Kujtojmë se akordimi i bursave për të rinjtë shqiptarë është iniciativa e përvitshme e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Rusisë dhe Agjencisë Federale të Bashkëpunimit Humanitar Ndërkombëtar “Rossotrudniçestvo”.

“Ka vite që ky program realizohet nga shteti rus. Deri më sot në Rusi janë arsimuar qindra studentë nga Shqipëria, të cilët janë diplomuar si specialistë të klasës së lartë në fusha të ndryshme: që nga mjekësia, inxhinieria, jurisprudenca dhe diplomacia deri tek filologjia, turizmi, sporti, muzika, koreografia dhe shumë të tjera. Mos e humbisni këtë shans për të marrë një arsim cilësor të nivelit botëror dhe njëkohësisht për t’u njohur nga afër me Rusinë, vendin e kulturës së madhe dhe traditave të jashtëzakonshme.”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Ruse.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: