TIRANË

Dy ditë pasi e përditshmja gjermane ‘Bild’, publikoi 6 përgjime të tjera të dosjes 339 drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela tha në një dalje për mediat se kjo është dosja më e madhe që ka patur prokuroria shqiptare në historinë e saj.

“Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë më 28.12.2016 ka regjistruar veprat penale, për prodhim narkotikësh, trafik narkotikësh në bashkëpunim. Hetimet janë kryer nga disa prokurorë sipas periudhave.

Më 28. 12. 2016. deri më 20.11. 2017 hetimet janë kryer nga prokurori Anton Martini dhe dy OPGJ. Gjatë kësaj periudhe që përfshin dhe zgjedhjet janë regjistruar procedim vetëm për drogë. Nga 20.11.2017 deri në 2019, hetimet janë kryer nga prokurori Hajdarmataj dhe 3 oficerë të Policisë Gjyqësore. Në 2018 është regjistruar hetimi për grup të strukturuar kriminal. Më 5.7.2018 dhe 14.8.2018 është vendosur regjistrimi i emrave për prodhim e shitje narkotikësh, trafik, korrupsion aktiv në zgjedhje, grup i strukturuar kriminal, korrupsion i funksionarëve të lartë. Pas largimit të Hajdarmataj me vendim të drejtuesit të prokurorisë, më 25.09.2019 janë caktuar Vladimir Mara dhe Dritan Preçi.
Në një periudhë kohore më pak se 20 ditë janë regjistruar ermat e 40 subjekteve si të dyshuar të veprës penale.

Kanë kërkuar 44 masa sigurimi që janë vendosur. Janë administruar 624 CD me përgjime elektronike dhe mbi 150 DVD. Referuar informacionit që më është në dispozicion nga prokurorët e çështjes, të gjitha CD-të kanë qenë të patranskriptuara. Ka pasur disa transkriptime të pjesshme. Janë kryer veprime hetimor vetëm për kultivim narkotikësh dhe abuzim me pronat në qarkun e Lezhës. Nuk ka pasur hetime të hapur për veprat e tjera, me përjashtim të përgjimeve. Duke parë rëndësinë e madhe dhe numrin e madh të personave nën hetim, ka arritur në 74 persona dhe numri pritet të rritet. Kjo është dosja më e madhe e hetuar ndonjëherë”. u shpreh Prela.

Në qendër 6 përgjimeve te publikuara nga Bild është Astrit Avdylaj, i arrestuar në kuadër të operacionit ‘Volvo 4’ që bisedon në telefon me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë, të cilëve iu bën presion për votat apo për favore të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb