TIRANË

Komisioni i Pavarur i Kulifikimit ka shtyrë me 5 shkurt vendimin në lidhje me drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prelën. Prokurorja Prela është vënë në shënjestër të Partisë Demokratike për një sërë problemesh të shfaqura në raport me ligjin. Ajo së fundi është akuzuar  si pjesë e përgjimeve  me kreun e bandës  së Avdylajve.

Gjatë seancës së ballafaqimit në KPK përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs i drejtua Prelës me fjalët: “Dosja juaj më la një shije të keqe”.  Gjithashtu problem tjetër që ka shfaqur drejtuesja e Krimeve të Rënda lidhet me pasurinë si dhe mospagimin e taksave nga bashkëshorti i saj.

Ndërkohë relatorja ka shtuar se Prela përmbush kriteret profesionale dhe pastërtinë e figurës dhe kjo i jep të drejtë për të vijuar  detyrën. Drejtuesja e Krimeve të Rënda dhe e ardhmja e saj në raport me ushtrimin e detyrës do të përcaktohet pas pak ditësh, ku kriteret dhe problemet do të vihen në peshoren e vetingut.

Një njoftimin e KPK-së thuhet se shtyrja e seancës për drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prelën është bërë për shkaqe të arsyeshme duke mos dhënë asnjë detaj shtesë.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, për shkaqe të arsyeshme, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, Znj. Donika Prela, me detyrë drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përcaktuar në datë 29.01.2019, ora 10:00, do të shtyhet për në datë 05.02.2019, ora 9:00. Kjo seancë do të mbahet në të njëjtën sallë në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Pas kësaj do të merret edhe vendimi nëse Prela përmbush të gjitha kriteret nga ato profesionale e deri tek ato të pasurisë. Kjo do të mësohet me 5 shkurt.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: