Nga një e-mail anonim që mbërriti në departamentin e antiterrorizmit dhe kishte të bënte me pakistanezin në Zakynthos dhe organizatorin 30-vjeçar në Iran, nisi zbulimi i sulmit terrorist në një restorant hebre në Psirri, i cili u parandalua nga autoritetet greke.
Përveç restorant-sinagogës në Psirri, të cilën terroristët donin ta masakronin, kishin planifikuar edhe një sulm të përgjakshëm në Muzeun Hebre në sheshin Sintagma. Sipas “Ta Nea”, ky plan u braktis pasi masat e sigurisë janë shtuar veçanërisht dhe si alternativë u zgjodh sinagoga hebreje në qendër të Athinës.
Sipas dokumenteve, shuma të vogla parash u dërguan përmes Ëestern Union tek të afërmit e tyre në Pakistan nga koordinatori i tyre. Gjithashtu, në dialog del se të dy të arrestuarit i ishin afruar një shqiptari, identiteti i të cilit nuk dihet, për të marrë pjesë në vrasjet e izraelitëve jashtë sinagogës së Psirri, gjë që ai e mohoi, duke iu përgjigjur se kryen ‘vetëm goditje me thikë’.
Gjithashtu, njëri prej të arrestuarve ka pohuar në dëshminë e tij se do të merrte pjesë në operacionin për vrasjen e izraelitëve, jo vetëm për shkak të shpërblimit monetar, por edhe për shkak se kishte frikë nga kërcënimet që kishte marrë nga “Abbas”, i cili dyshohet se ka kryer vrasje në Pakistan.
(BalkanWeb)