Presidenti i Republikës Ilir Meta në një konferencë për mediat deklaroi se referendumin që ka lajmëruar e shikon si mjaft të rëndësishëm për popullin shqiptar.

Meta tha se në rast se populli shqiptar nuk ushtron të drejtën demokratike për referendum, edhe vetë do të ikë nga Tirana, por shtoi se nuk do të ikë nga Shqipëria.

“Duhen referendume jo vetëm [për çështje të tilla madhore, por edhe për çështje rajonale. Duan njerëzit të shkatërrohet Vjosa, që është një nga bukuritë e jashtëzakonshme europiane që ka mbetur. Të shkojnë në referendum, të votohet edhe për këtë çështje. Për çdo gjë që mendohet se  ka rëndësi, duhet shkuar në referendum, për koncesione që bëhen fshehurazi në kundërshtim me interesin publik e të komunitetit. Ligji ka qenë domosdoshmëri, duhet të ishte bërë para 20 viteve. Është bllokuar qëllimisht që populli shqiptar të mos ushtrojë këtë të drejtë. Populli shqiptar deputet nuk zgjedh, në partitë e popullit shqiptar zgjedhjet nuk bëhen, përkundrazi njerëzit përjashtohen, dialog nuk ka, asgjë nuk ka.

Populli shqiptar ka vetëm një detyrë: të kërkojë të zbatohet deri në fund e drejta për referendum. Unë jam me popullin shqiptar. Unë e shikoj si mision për veten time. Në momentin që do ia kthej këtë mundësi popullit shqiptar, do iki edhe unë nga politika , madje edhe nga Tirana do largohem, por jo jashtë vendit, do iki për rafting, do iu pres atje të gjithëve. E kam këtë mision që popullit shqiptar t’ia kursejmë këtë tallje që i ka bërë deri më sot klasa politike. Ka dy vjet që bëj thirrje për dialog. Palët duhet të ishin ulur për dialog dhe të bëhen zgjedhje normale lokale si kudo në botë. Kështu që tani zgjidhja është vetëm referendumi, nuk ka zgjidhje tjetër në Shqipëri”, tha Meta.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb