NGA MARSELA KARAPANÇO*
TIRANË- Pas dorëheqjes së deputetit Arben Ndoka, karrigia në radhët e deputetëve socialistë ka mbetur bosh. Në listën e kandidatëve në Qarkun e Lezhës, lapsi shkon tek emri Ndrec Dedaj, që tashmë është në krye të Bashkisë së Mirditës, mandat të cilin nuk ka ndërmend ta dorëzojë për të marrë atë të deputetit. Shigjeta automatikisht zbret më poshtë, për t’u ndalur te Eduard Ndocaj.

Emri i Ndocaj kujtohet për debatin e fortë mediatik që shkaktoi me akuzat e hedhura në adresë të kryeministrit Edi Rama. Madje, në zgjedhjet e fundit lokale ai mbështeti kandidatin e djathtë në Lezhë, ndërsa sot mban edhe postin e zv.Kryetarit të PDK-së. Situata duket vërtetë e ndërlikuar. Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume në një intervistë për News24, sqaron se si duhet të procedohet në këtë rast, ku në listë do të vazhdojë të ulet vija e kuqe.

Por a do të pajtohet Rama me ardhjen e Ndocaj në Parlament, apo do t’i lëshojë një kartë jeshile më shumë aleatit Meta? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Nga ana tjetër, një dhimbje koke më shumë mund të shtohet për kryesocialistin Rama, në rast se Armando Prenga mbetet peng i vendimit të Gjykatës së Lartë pas ngjarjes së Laçit ku mbetën disa persona të plagosur, mes tyre edhe vetë vëllai i deputetit, çka do të përkthehet në një tjetër karrige që do të rrotullohet bosh në radhët e ligjvënësve të majtë.

Në rast se gjykata e gjen atë fajtor, Prenga e humbet mandatin dhe do të duhet të zëvendësohet me emrat pasues në listë. Radha i bie Kastriot Pirolit. Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Kurbin, për shpërdorim detyre dhe ka bërë edhe dy muaj burg. Piroli mbetet i fundit në listën e Partisë Socialiste pas dorëheqjes së dy zonjave me deklaratë në KQZ. Referuar kërkesave të Kodit Zgjedhor, kandidatit nuk i mohohet e drejta për të gëzuar mandatin e deputetit. Thënë kjo, vetëm në rast të ndonjë lëvizjeje te mundshme nga vete Piroli për të mos pranuar mandatin, skenari i mundshëm favorizon LSI-në, duke zgjedhur nga radhët e listës së 2013 një tjetër deputet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: